Prishtinë, 8 prill 2009
Në hapje të mbledhjes, kryeministri i Qeverisë së Republikë së Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar angazhimet e javës së kaluar.
Kryeministri Thaçi është shprehur se vizita në Bruksel dhe takimet e zhvilluara me përfaqësuesin e lartë të Politikës së jashtme dhe sigurisë të BE-së, Havier Solana dhe më zyrtarë tjerë të lartë të BE-së, ka treguar edhe një herë mbështetjen e plotë të Kosovës nga ana Bashkimi Evropian.
Kryeministri Thaçi ka shprehur falënderimin, në emër të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për Gambinë, shtetin e 57 që ka njohur Kosovën dhe ka shtuar se edhe anëtarësimi i Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare, në Fondin Monetar Ndërkombëtarë dhe në Bankën Botërore.
Kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij ka përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, dhe ka vlerësuar se ky është një mesazh i mirë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Sot është shënuar njëvjetori i miratimit të Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi duke vlerësuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shprehje e plotë e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, andaj është një obligim i të gjithëve që të forcohet kushtetutshmëria e vendit tonë.
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar edhe publikimin e raportit vjetor të Agjensionit Kosovarë Kundërkorrupsionit, dhe ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe dukurive tjera devijonte në shoqërinë tonë.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka përkrah nxjerrjen e vendimit shpjegues lidhur me detyrimet e TVSH-së për Korporatën Energjetike të Kosovës. Në përputhje me legjislacionin që rregullon punën e Administratës Tatimore të Kosovës, Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka propozuar që të shqyrtohet vendimi shpjegues që ka të bëjë me detyrimet e TVSH-së për Korporatën Energjetike të Kosovës.
Qeveria ka vendosur që të vazhdojë mandatin me përbërje të njëjtë përfaqësimi të Komisionit të gjuhëve.
Qeveria, gjithashtu, ka miratuar vendimin për të mbështetur financiarisht organizimin e festës së 23 prillit, që sipas Ligjit për festat zyrtare është Dita Memoriale e Turqve në Kosovë. Qeveria e Kosovës, ka vendosur që të mbështes manifestimet në këtë ditë me 35.276 euro.
Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria e Kosovës ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e vendimi të Qeverisë Nr. 02/31, të datës 27.08.2008. Sipas këtij plotësimi me pasaportë diplomatike do të pajiset edhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencies.
Është miratuar iniciativa për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Migracionin dhe Planin e Veprimit. Bartës i këtij procesi do të jetë vet Ministria e Punëve të Brendshme.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka propozuar formimin e grupit punues për hartimin e dokumentit përmbajtjesor të Projektligjit për Emërtimin e Komunave dhe Fshatrave. Ky dokument do të hap rrugë për hartimin dhe miratimin e Projektligjit për Emërtimin e Komunave dhe Fshatrave, që do të sigurojë vendosjen e ligjshmërisë në emërtimin e drejtë të komunave dhe fshatrave. Grupi do të përbëhet nga institucione shkencore dhe arsimore dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Qeveria ka miratuar Projektligjin për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë. Ky projektligj ka për qëllim avancimin dhe afirmimin e vazhdueshëm të pjesëmarrjes së të rinjve në procesin e vendimmarrjes, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi, në zhvillimin e një shoqërie demokratike, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së të rinjve dhe të statusit të tyre shoqëror.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit të Republikës së Kosovës si dhe Planin për implementimin e kësaj strategjie. NË mbledhje është konkluduar se Qeveria e Kosovës synon kufij të hapur por të kontrolluar për Kosovën.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka kërkuar që deri në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës të diskutohet dhe të gjendet një zgjidhje për çështjen e mospagesës së 264 punëtorëve të arsimit, në tërë Republikën e Kosovës, të cilët kanë punuar që nga 1 shtatori. Ky numër i punëtorëve të arsimit është rritur si pasojë rritjes së numrit të nxënësve.
Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar që krahas shtrirjes së EULEX-it në veri të vendit, të mundësohet që edhe gjykatësit vendorë të fillojnë punën në gjykatat në veri.
Last modified: 8 Prill, 2009