Prishtinë, 8 prill 2009
Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në seancën solemne të Kuvendit, me rastin e shënimit të Një Vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Të nderuar deputet të i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës
Këtij Kuvendi, i dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike të nëntorit 2007, i takoj nderi dhe përgjegjësia për të marrë vendime të mëdha historike për vendin tonë.
Këto janë vendime që ndajnë epokat e historisë sonë më të re.
Me 17 shkurt të vitit 2008 ne përmbushëm aspiratën njëshekullore të popullit tonë për liri, pavarësi dhe rend demokratik.
Shpallëm Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Mes entuziazmit qytetar dhe mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare ne filluam procesin e shtetndërtimit.
Filloi Historia e Re e Kosovës.
Me Historinë e Re të vendit ndihet krenar çdo shtetas i Kosovës.
Brenda një viti ne bëmë punë të përbashkët të jashtëzakonshme në shtetndërtimin e Kosovës, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.
Ndërtuam koncensusin politik dhe qytetar për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tone.
Natyrisht kanë mbetur edhe shumë punë të tjera për tu bërë.
Vullneti dhe energjia nuk na mungojnë.
Shteti i Kosovës ka ndërtuar politika të qarta zhvillimore të brendshme dhe të jashtme që po jap fryte çdo ditë.
Shteti Kosovës është njohur brenda vitit të parë të pavarësisë nga 57 shtete. Procesi i njohjes po vazhdon në mënyrë të pandalshme.
Së shpejti Kosova do të anëtarësohet edhe FMN dhe Bankën botërore dhe mekanizma tjerë ndërkombëtar.
Brenda vitit të pare pavarësisë Kosova ka shënuar rritje ekonomike mbi 5.5%.
Edhe në këtë të krizës globale financiare, po punojmë fuqishëm të gjithë që të vazhdojmë me trendët pozitiv të zhvillimit ekonomik.
Zonja dhe Zotërinj,
Në krejt këtë proces historik një ndër hapat e parë ishte miratimi i Kushtetutës së Republikës sonë.
Kushtetuta e parë e vullnetit sovran të popullit të Kosovës.
Ne e miratuam aktin më të lartë juridik të shtetit tone të ri.
Kushtetutën e standardeve më të avancuara demokratike.
Dokumentin themelor që garanton lirinë tonë të fituar me aq mund e sakrifica, sovranitetin e Republikës së Kosovës, që buron nga populli dhe ushtrohet përmes përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike prej tij.
Ky sovranitet dhe integriteti territorial i Republikës sonë është i pacenueshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti që shpreh në mënyrën më të mirë përkatësinë e vendit tonë në familjen e shteteve të lira dhe demokratike.
Identitetin shtetëror të Republikës së Kosovës, të bazuar mbi vlerat liberale perëndimore, sundimin e ligjit, barazinë e të gjithë qytetarëve para tij, pavarësisht dallimeve etnike apo religjioze, liritë themelore të njeriut, respektimin në shkallën më të lartë të të drejtave të minoriteteve, shoqërinë multietnike.
Një vit të rrugëtimit të shtetit tonë kishim edhe shumë sfida e ballafaqime, por edhe sukseset ishin të mëdha.
Do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht, pa dallime për shtetin tonë të ri, për zhvillimin edhe më të hovshëm ekonomik dhe mirëqenie më të lartë sociale të qytetarëve.
Le të punojmë bashkërisht në rrugën tonë, në vizionin tonë, dhe besimin e popullit tone për integrimin e vendit tonë në strukturat euro-atlantike, në bashkësinë e popujve të lirë.
Last modified: 8 Prill, 2009