Prishtinë, 26 maj 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami ka vizituar sot Lipjanin, ku është pritur nga kryetari i Komunës, Shukri Buja me bashkëpunëtorë.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka vizituar punimet në rrugët e reja “Kongresi i Blinajës” dhe “Idriz Ajeti”, si ka parë nga afër punimet që janë duke u kryer në ndërtimin e shkollën e re fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lagjen Mustina të Lipjanit.
Në vazhdim, po e prezantojmë të plotë deklarimin e kryeministrit Hashim Thaçi, pas vizitës që i bëri këtyre punishteve të ndërtimit në Lipjan.
Unë ndihem tepër i inkurajuar prej këtyre punimeve të mëdha që po bëhen edhe në komunën e Lipjanit. Kjo vërehet edhe në ndërtimin e shkollave të reja, gjithashtu në shumë kilometra kanalizim dhe ujësjellës, e gjithashtu edhe në dhjetëra kilometra të infrastrukturës rrugore dhe shumë moderne.
Këto janë investime për një jetë më të mirë për qytetarët në Lipjan. Këto investime janë investime që do të ndryshojnë jetën e qytetarëve. Edhe Lipjani po ndryshon për të mirë, falë qeverisjes së mirë, një qeverisje që është në shërbim vetëm e vetëm të qytetarëve. Prandaj, edhe kjo komunë do ta ketë, si komunat e tjera mbështetjen e plotë për të gjitha punët e mira që po bëhen.
Këto ndryshime janë evidente kudo në Kosovë. Viti i parë i pavarësisë përveç sukseseve të mëdha në kuptimin politik, ka reflektimet e veta edhe në zhvillimin ekonomik, të krijimit të vendeve të reja të punës, të rritjes së mirëqenies sociale, të modernizimit të vendit, pra krijimit të Kosove moderne dhe demokratike.
Gjithashtu, dua të theksoj se edhe këtu, në komunën e Lipjanit, kemi të bëjmë me një komunë multietnike, kemi investuar jo vetëm në këtë hapësirë ku jemi, por edhe në vendet ku jetojnë minoritarët serbë. Janë këto investime të gjithanshme dhe në shërbim të gjithë qytetarëve, shtetasve të Republikës së Kosovës
Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja falënderoi kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e projekteve infrastrukturore që po i japin komunës së Lipjanit.
“Gjatë vitit 2008 janë investuar 15 milionë euro për këto qëllime. Kjo dëshmon punën e mirë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe përkushtimit të saj për të siguruar kushte më të mira për të gjitha qytetarët e vendit tonë. Unë falënderoj kryeministrin për ndihmën dhe përkrahjen që është duke u dhënë për komunën e Lipjanit” – u shpreh z. Buja.
Last modified: 26 Maj, 2009