Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Miratimi i Rezolutës nga Konferenca Islamike, shtytje edhe më e madhe që të gjitha këto shtete në të ardhmen e afërt ta njohin Republikën e Kosovës

26 Maj, 2009

Prishtinë, 26 maj 2009

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu në një konferencë të përbashkët kanë vlerësuar me interes miratimin e rezolutës për Kosovën nga Organizata e Konferencës Islamike. Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi në këtë konferencë shtypi:

Jemi sot këtu së bashku për të falënderuar Organizatën e Konferencës Islamike, e cila dje ka nxjerrë një rezolutë shumë të rëndësishme për vendin tonë, Kosovën .

U jemi shumë mirënjohës të gjitha këtyre shteteve të cilat e përkrahin shtetin e Kosovës. Edhe pse deri më tani vetëm 13 nga 57 shtete anëtare të Konferencës e kanë pranuar shtetin e Kosovës, miratimi me unanimitet të plotë i kësaj rezolute është mesazh i qartë dhe shtytje edhe më e madhe që të gjitha këto shtete në të ardhmen e afërt  ta njohin Republikën e Kosovës.

Rezoluta ka vlerësuar lart zhvillimet dhe progresin e madh në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.

Ka përshëndetur dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin e shtetit të Kosovës.

Janë këto përkushtimet e shteti të ri të Kosovës dhe  miratimi i kësaj rezolute do të sjell përfitime të shumanshme politike dhe ekonomike.

Me miratimin e kësaj rezolute, e cila ka referenca shumë të qarta edhe në Deklaratën e pavarësisë së Kosovës dhe në Kushtetutën e shtetit tonë, Republika e Kosovës ka hyrë përfundimisht në agjendën pozitive edhe të  Konferencës Islamike.

Shteti i Kosovës   do të vazhdojë  bashkëpunimin ndërshtetëror me këto shtete . Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës z. Hyseni është në Nju Jork, ku ka takime dhe konsultime të vazhdueshme me shumicën e përfaqësuesve të këtyre vendeve .

Miratimi i rezolutës nga Konferenca Islamike është sukses për Kosovën, për rendin demokratik, është sukses i partnerëve dhe miqve tanë me ç’rast dëshirojmë t’i falënderojmë përzemërsisht për punën dhe angazhimin e tyre të palodhshëm për miratimin me unanimitet të kësaj rezolute në mbështetje të Kosovës.   

Last modified: 26 Maj, 2009

Comments are closed.