Prishtinë, 25 maj 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota sot qëndroi në komunën e Shtimes dhe inspektoi punimet në ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore dhe punimet në zgjerimin e rrugës “Tirana” përgjatë qendrës së qytetit.
Kryeministri Hashim Thaçi tha me këtë rast se ndodhet sot këtu për të parë nga afër punimet në ndërtimin e shkollave të reja në Shtime, të rrugëve të reja, të kanalizimeve, të fillimit të ndërtimit të shtratit të lumit dhe të ujësjellësit.
“Sivjet priten projekte të tjera në infrastrukturën e rrugëve, në ndërtimin e shkollave të reja, përfundimin e projekteve që kanë filluar më herët dhe në këto drejtime, Shtimja vazhdon të jetë shembulli i mirë i qeverisjes së mirë, të përgjegjshme, gjithmonë në shërbim të qytetarëve” theksoi z. Thaçi.
Kryeministri përgëzoi udhëheqjen komunale për këto punë të mira që po bëhen, për qeverisjen e mirë në shërbim të qytetarëve dhe konfirmoi mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ta ndryshuar edhe më tutje Shtimen për të mirë.
Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha se në komunën e Shtimes, punohet në shumë projekte të rrugëve, kanalizimit, ndërtimit të shkollave etj., ku kostoja e këtyre projekteve arrin shumën prej 6 milionë euro. Shumica e këtyre projekteve janë të financuara nga Qeveria e Kosovës, ndërkaq një pjesë nga buxheti ynë dhe donatorët tjerë.
Last modified: 25 Maj, 2009