Prishtinë, 17 maj 2009
Në vazhdim po e japim të plotë, deklarimin e kryeministrit Thaçi në Ferizaj:
Jam këtu sot, në një vizitë zyrtare në Ferizaj, për të vizituar dhe përgëzuar kryetarin, z. Barjush Xhemajli tani më të shpallur nga USAID-i, si më i miri i qeverive komunale.
Unë e përgëzoj për punën e madhe, të jashtëzakonshme dhe shumë të përgjegjshme që po e bënë për të gjithë qytetarët e Ferizajt, që po e ndryshon për të mirë Ferizajn.
Ferizaj ëhstë shembull i vazhdimeve të ndryshimeve në të gjithë Kosovën, të ndryshimeve pozitive.
Ju jeni dëshmitarë, si dhe gjithë qytetarët e Ferizajt për këtë punë madhështore dhe ndryshimeve të mëdha, të domosdoshme, të pritura nga qytetarët e vendit.
Këto ndryshime mund të bëhen vetëm prej njerëzve të përgjegjshëm, vetëm prej një njeriu që respekton ligjin me përpikëri, që lufton dukuritë negative në mënyrë të pakompromis, që, para së gjithash e ka si prioritet interesin e qytetarit.
Prandaj, ndihem tepër mirë edhe me mbështetjet dhe mundësitë, si dhe përgjegjësitë që kemi teguar edhe ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, në mbështetje të realizimit të projekteve këtu në Ferizaj.
Dua të theksoj se ndihem tepër i inkurajuar me përfundimin e 70 kilometrave të reja të ndërtimit të ujësjellësit vetëm në komunën e Ferizajt për këtë vit të qeverisjes. Gjithashtu mbi 35 kilometra kanalizime të reja dhe rreth 30 kilometra rrugë të reja.
Gjithashtu, me gjithë këto hapësira të reja të krijuara, me tri shkolla të reja për një vit të qeverisjes komunale, me dy shkolla tani që do të fillojnë gjithashtu dhe me krijimin e hapësirave të reja të gjelbrimit, kopshteve të reja, parkingjeve të reja dhe natyrisht, edhe luftimit të ndërtimeve pa leje.
Ferizaj është shembulli i qeverisjes së mirë lokale për Kosovën.
Prandaj, jam këtu të përgëzoj edhe kryetarin, edhe qeverinë komunale, gjithë spektrin politik dhe qytetarët e Ferizajt.
Mbështetja nga Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë në mënyrë të pakursyer, me kontinuitet.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli pasi falënderoi Kryeministrin për vizitën, tha se ndihet i inkurajuar për përkrahjen e parezervë që ka pasur nga Qeveria e Kosovës, e cila ka mundësuar investime kapitale me vlerë, që deri tash nuk janë parë në Ferizaj.
Last modified: 17 Maj, 2009