Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Integrimi i Kosovës në BE, prioritet strategjik, vizion i politikës së Kosovës dhe vullnet i popullit tonë

15 Maj, 2009

Prishtinë, 15 maj 2009

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e II-të të Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian

Të nderuar Zëvendëskryeministra,
Të nderuar Ministra,
E nderuara Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane,
Të nderuar udhëheqës të institucioneve shtetërore,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë sot, të hap takimin e dytë të rregullt të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane.

Sot, jemi mbledhur të diskutojmë procesin e integrimeve evropiane dhe ecurinë e tij gjatë muajve në vijim dhe gjatë këtij viti.

Fillimisht, dëshiroj të theksoj se Qeveria e Republikës së Kosovës, por dhe të gjitha institucionet tjera të vendit, janë maksimalisht të angazhuara në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit dhe shtimit e thellimit të dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian.

Po ashtu, ju falënderoj për përkushtimin dhe përgjegjësitë e vazhdueshme ndaj këtij procesi, pra procesit të integrimit të Kosovës, të cilin ne, si Qeveri e kemi vendosur si prioritet strategjik dhe vizion të politikës së Kosovës dhe vullnetit të popullit të saj.

Duke vendosur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si një prej prioriteteve strategjike, ne, si Qeveri, jemi plotësisht të vetëdijshëm për domosdoshmërinë dhe nevojën e përshtatjeve të politikave të Qeverisë së Republikës së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian, me qëllim që të sigurohet sa më shpejt integrimi i Kosovës në familjen evropiane.

Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se rruga për në Bashkim Evropian është shumë e rëndësishme dhe kërkon përgjegjësi dhe përkushtim maksimal nga institucionet tona, nga shoqëria në përgjithësi, ne, si Qeveri, jemi të përgatitur për këtë proces, i cili Kosovës do t’i mundësojë zhvillim të gjithëmbarshëm socio-ekonomik, ku rezultatet e këtij zhvillimi do të jenë të pranueshme dhe do t’i gëzojnë qytetarët e Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Që nga viti 1993, të gjitha vendeve të Evropës Juglindore, iu është ofruar mundësia e qartë e anëtarësimit në Bashkim Evropian, iu është ofruar mundësia e stabilitetit, e paqes, demokracisë dhe zhvillimit.

Deri më sot, familja e Bashkimit Evropian është zgjeruar në 12 vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore, duke rishkruar kështu librat e historisë dhe duke unifikuar edhe njëherë kontinentin evropian. Por, tani, jo me anë të luftërave, por me anë të bashkëpunimit, besimit, krijimit të vlerave të përbashkëta.

Anëtarësimet e fundit në Bashkim Evropian, kanë treguar qartë që procesi i anëtarësimit kërkon ndërmarrjen e reformave të vërteta dhe punë të jashtëzakonshme drejt plotësimit të kërkesave të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, eksperienca e vendeve të reja të Bashkimit Evropian, na ka treguar se procesi i integrimit, nuk është i bazuar në ndonjë afat kohor, por në punë dhe reforma serioze të vendeve aspiruese.

Prandaj, Kosova tash e një vit është shtet, por në hapa të sigurt po ecën drejt integrimit në familjen evropiane, në familjen euroatlantike.

Zonja dhe zotërinj,

Kosova që nga viti 2002, është pjesë e Mekanizmit Përcjellës të Procesit të Stabilizim Asociimit, proces ky, i cili udhëheq vendet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.

Deri më sot, Kosova dhe Bashkimi Evropian, kanë zhvilluar dialog të vazhdueshëm me anë të takimeve të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit, janë mbajtur 15 takime plenare dhe numër i madh i takimeve sektoriale, ku Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë diskutuar të arriturat, si dhe sfidat që e presin Kosovën gjatë rrugës për në Bashkim Evropian.

Në vitin 2008, Bashkimi Evropian, ka aprovuar Partneritetin Evropian për Kosovën, duke ofruar pasqyrë të qartë të prioriteteve afatshkurta dhe afatmesme për vendin tonë.

Me qëllim të përmbushjes së prioriteteve të Partneritetit Evropian, Qeveria e Kosovës ka koordinuar me të gjitha institucionet e vendit, përgatitjen e Planit të Veprimit për Partneritet Evropian, zbatimi i të cilit do të sigurojë avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.

Është kënaqësi imja, t’ju njoftoj se gjatë javëve në vijim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të aprovojë Planin e Veprimit për Partneritet Evropian të plotësuar, duke adresuar sfidat e Raportit të Progresit të vitit 2008.

Në nëntor të vitit 2008, Komisioni Evropian, ka publikuar Raportin e Progresit të vitit 2008 për Kosovën, në të cilin ka identifikuar sfidat për Kosovën drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.

Institucionet e Kosovës janë në përgatitje e sipër të imputit për raportin e progresit, që do të dërgohet në Komisionin Evropian me 1 qershor 2009.

Kuvendi ynë do të komunikojë të gjitha sukseset e bëra gjatë këtij viti.

Gjatë vitit 2009, Komisioni Evropian do të përgatisë Studimin e Fizibilitetit për Kosovën. Studimi i Fizibilitetit, është hapi i rëndësishëm drejt raporteve të reja me Bashkimin Evropian dhe Qeveria e Kosovës është e sigurt që studimi i fizibilitetit do të propozojë një formë të thellimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Po ashtu, është me rëndësi të ceket rëndësia, të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës i dedikon bashkëpunimit rajonal.

Ne jemi të hapur dhe mirëpresim bashkëpunim me të gjitha shtetet e rajonit.

Zonja dhe zotërinj,

Është shumë e qartë që viti 2009, është vit jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë. Dëshiroj të potencoj se të gjitha aktivitetet lidhur me agjendën evropiane gjatë muajit maj dhe qershor, duhet të trajtohen me prioritetin më të lartë.

Në këtë drejtim, dëshiroj të nënvizoj që aktivitetet në vijim duhet të trajtohen me seriozitet dhe përkushtim maksimal. Përgatitja e imputit për raportin e progresit, përgatitja e takimit të 16-të plenar të Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit, përgatitja e tretë e takimit të Mekanizmit Përcjellës Sektorial në fushën e ekonomisë, infrastrukturës dhe bujqësisë.

Këto tri angazhime, do të kontribuojnë drejtpërdrejt në përgatitjen sa më të mirë të studimit të fizibilitetit, prandaj, besoj se, secili nga ne, si dhe qytetarët e Kosovës, kemi për obligim t’i trajtojmë këto aktivitete me seriozitet maksimal.

Zonja dhe zotërinj,

Institucionet e Kosovës në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, do të punojmë drejt plotësimit të të gjitha kritereve teknike të anëtarësimit në Bashkim Evropian.

Në kuadër të kësaj, ne do t’i thellojmë reformat edhe në politikë, ekonomi dhe legjislacion.

Do të vazhdojmë me qeverisje të mirë, qeverisje stabile, efektive, demokratike.

Të ndërtojmë Kosovë demokratike, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, respektim afirmativ të minoritarëve, sundim ët ligjit, reforma në drejtësi, luftë pa kompromis kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive devijonte.

Angazhimet e Kosovës do të jenë të suksesshme.

Rruga e Kosovës për integrim në familjen evropiane, është e qartë.

Koha se kur do të ndodh kjo, varet nga suksesi ynë.

Jemi të bindur, se me këtë vizion, me këto përgjegjësi, do të kemi sukses të plotë.

E ardhmja e shtetit të Kosovës, është e ardhme euroatlantike, është e ardhme në Bashkimin Evropian.

Prandaj, kërkoj nga të gjithë ju këtu dhe nga gjithë ata që nuk janë këtu, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, angazhimin maksimal edhe në nivel qendror edhe në nivel lokal, në mënyrë që suksesi i Kosovës, të jetë sukses i vlerësuar, i konsoliduar dhe një sukses i hapjes së sigurt të perspektivës për në Bashkim Evropian, pra, edhe në NATO.

Unë dua të theksoj se në mënyrë meritore do të kemi vlerësimin e studimit të fizibilitetit.

Ne do t’i kryejmë obligimet, përgjegjësitë dhe detyrat e shtëpisë sonë.

Faleminderit!

Last modified: 15 Maj, 2009

Comments are closed.