Prishtinë, 14 maj 2009
Zonja dhe zotërinj,
Anëtarë të familjeve të dëshmorëve
Jam i nderuar sot që në emër te Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër te kryeministrit z. Hashim Thaçi, të shpreh respektin më të madh për ju familjet e dëshmoreve dhe të rënëve për luftën për liri të Kosovës.
Shënimet e përvjetorëve, siç është ky sot ne fshatin tuaj, janë momente kur e i kujtojmë sakrificat e mëdha në luftën për lirinë e Kosovës dhe janë momente kur e kujtojmë të ardhmen tonë, për fëmijët tanë dhe për te ardhmen e fëmijëve dhe fëmijëve tanë.
Ne çdo rast të kujtimit të sakrificave, njerëzit gjithmonë kanë para vetes dy gjëra kryesore: e para është toka dhe ngjarjet që kanë ndodhur në atë vend, dhe njerëzit që kane udhëhequr atë ngjarje dhe kanë ruajtur atë tokë.
Edhe Pavlani edhe Qyshku, edhe Dukagjini dhe Kosova e ka tokën të mbuluar me gjak dhe me shumë varreza anekënd Kosovës, por e ka edhe me krenari edhe me ngjarjet që i kanë dhënë shenjë të mirë lirisë për Kosovën, lirisë për ardhmërinë e Kosovës.
Por, këto ngjarje dhe kjo tokë asnjëherë nuk do të mbrohej pa njerëz të mëdhenj. Ky vend ka dhënë njerëz si Skënder Çeku, dëshmor i kombit, të cilin ne e përkujtojmë me krenari, si dhe gjithë ata të rënë për lirinë e Kosovës.
Krenaria është për dëshmorët e rënë, por edhe për luftëtarët e gjallë te lirisë. Ne kemi një respekt të veçantë për gjithë ata burra e gra që kanë luftuar për lirinë e Kosovës edhe nga ana juaj edhe kanë udhëhequr institucionet e Kosovës që në mesin e tyre është edhe z.Agim Çeku.
Qeveria e Republikës së Kosovës i fton qytetarët e Kosovës që të ruajnë unitetin politik dhe momentet e sakrificës të jenë momente që ne na bashkojnë dhe momente të ardhmërisë së Kosovës, të jenë momente që na bashkojnë për një të ardhme më të mirë.
Sot, të gjithë ne që mund të jemi edhe familjarë të të rënëve për lirinë e Kosovës, duhet ta ruajmë nderin dhe krenarinë, duhet ta kemi dhimbjen për ata, por ta bartim me vete çdo ditë një pikë shprese për të ardhmen tonë.
Sot, dalim ballëhapur para juve, sot ballëhapur shkojmë para varrezave të dëshmorëve dhe martirëve të vendit, ngase sot Kosova është shtet demokratik që funksionon me institucionet e veta dhe ka mbështetjen më të madhe ndërkombëtare.
Shume kush nga ne e ka ndjenjën e dhimbjes dhe shpeshherë mendon që Kosova e ka kompensuar atë luftë dhe atë gjak që është derdhur.
Kosova ka marrë hakun e vet, sepse Kosova është shtet dhe haku më i madh dhe satisfaksioni për familjet e dëshmoreve, është funksionimi i shtetit modern dhe demokratik, uniteti popullor dhe mbështetja ndërkombëtare.
Unë uroj shumë që këta fëmijë të rriten në liri, të kujtojnë me krenarinë paraardhësit e tyre dhe të ndërtojnë një Kosovë çfarë e deshën dëshmorët e kombit.
Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit dhe të rënëve për liri!
Last modified: 14 Maj, 2009