Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Manaj merr pjesë në Konferencën e NVM në Pragë

13 Maj, 2009

Prishtinë, 13 maj 2009

Në vazhdim po japim fjalimin e zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramë Manaj:

 

Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj shumë për mundësinë e shkëlqyer që më dhatë për të qenë me ju në këtë konferencë, e cila jam i sigurt do të japë përgjigje për shanset e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NMV) në kohën e krizës globale dhe do të ndihmojë që ekonomia dhe ndërmarrësit të mund ta përballojnë dhe të ndikojnë që niveli i zhvillimit dhe ekonomia të ruhen. 

Sikur e dini ndikimi i sektorit të NVM në punësim dhe dinamizim të ekonomive në shumicën e vendeve të industrializuara është i jashtëzakonshëm, duke përfshirë rritjen ekonomike, punësimin, reduktimin e varfërisë, inovacionet, kërkimet etj.

Ne e kemi pranuar faktin se sektori privat është i vetmi sektor, i cili arrin t’i përgjigjet diversitetit të kërkesave të tregut. Një ekonomi e cila udhëhiqet nga iniciativa private ka dëshmuar se është e aftë të gjenerojë dhe rigjenerojë  rritje ekonomike të një vendi, absorbim të fuqisë së re punëtore dhe zvogëlim të varfërisë.

Roli i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është jashtëzakonisht i madh. Në vendet me të hyra të ulëta të GjDP-së  mes 100-500$/ kokë banori,  NVM kontribuojnë me mbi 60%  në krijimin e GjDP-së  dhe 70% të totalit të të punësuarve, ndërsa në vendet me të hyra mesatare të GjDP-së, NVM kontribuojnë rreth 70% në krijimin e GjDP-së  dhe 95% në totalin e të punësuarve.

Por, cili është roli i NMV ne zhvillimin ekonomik te Kosovës dhe çfarë po ndërmarrim ne si Qeveri e Kosovës për të përballuar efektet e krizës globale?

Shumica dominante e bizneseve të regjistruara janë mikro-ndërmarrje (1 – 9 punëtorë), po ashtu edhe numri më i madh i të punësuarve është në këtë kategori të ndërmarrjeve. Sipas numrit të punëtoreve të regjistruar në këtë kategori janë 151.434 punëtorë apo 61.12 %. Në ndërmarrje të vogla janë të punësuar 21.329 punëtorë apo 8.60 %, në ndërmarrje të mesme  janë të punësuar 21.361 punëtorë apo  8.62 %.

Si ndërmarrje të mëdha (mbi 250 punëtorë) janë të regjistruara edhe ndërmarrjet shoqërore dhe publike (KEK, PTK etj.) dhe me gjithë këtë në ndërmarrje të mëdha janë të punësuar 53.658  punëtorë apo  21 66 % e të punësuarve në bizneset e regjistruara.

 Sektori i NVM në Kosovë ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në absorbimin e vendeve të reja të punës pasi rreth 194.124 apo 78.44% e gjithë numrit të punësuarve në ndërmarrje absorbon ky sektor apo duke marrë numrin total të punësuarve në Kosovë (Sektori privat ≈ 24.7782 + sektori publik ≈ 75.000, gjithsej ≈ 322.782) del se sektori i NVM merr pjesë në punësim me mbi 60%, një përqindje e cila tejkalon atë amerikane është nën atë japoneze dhe e përafërt me mesataren e vendeve të BE-së.

Në mungesë të statistikave, kontributi i NVM në krijimin e GJDP-së, buxhetit të shtetit nuk është i njohur edhe pse mbi bazën e disa parallogarive kjo pjesëmarrje shkon prej 40-55%. Sido që të jetë,  kontributi i sektorit të NVM në Kosovë edhe nga aspekti i zhvillimit të sektorëve ekonomik është i pa zëvendësueshëm dhe fundamental, pasi që vetëm NVM janë organizma të cilat popullojnë edhe sektorët më të margjinalizuara. Duke pasur një shtrirje kaq të gjerë sektoriale, NVM shquhen edhe për një tjetër afinitet të tyre për plotësimin e diversitetit të nevojave të shoqërisë të cilat për shkak të specifikave që përmbajnë asnjëherë nuk arrijnë të kthehen në një industri me shtrirje të gjerë apo me bazë të lartë profiti.

Sfidat që ballafaqohen NVM në Kosovë dhe alternativat e Qeverisë së Kosovës për të përmirësuar pozitën e tyre.

Sfidat që ballafaqohet sektori i NVM në Kosovë janë të shumta dhe të llojllojshme. Në bazë të hulumtimeve periodike që i bënë Qeveria e Kosovës përmes Agjencisë për Mbështetje të    Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme si dhe në bazë të hulumtimeve që i kanë bërë institucionet tjera si ato vendore ashtu edhe ndërkombëtare, ekziston një pajtueshmëri gjerë se barrierat janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme.

Agjencia për një kohë të gjatë ka arrit që të sistemojë dhe adresoj barrierat kryesore të cilat për vite të tëra adresohen nga sektori i NVM-ve në Kosovë, nga përfaqësues të biznesit dhe autoritete publike shkencore, akademike dhe politike.

Më poshtë po sjellim një gamë të gjerë të këtyre barrierave: duke filluar nga faktorët makroekonomikë,  si: pengesat për investime të huaja dhe qasja në kreditë ndërkombëtare, recesioni (kombëtar dhe ndërkombëtar), limitet buxhetore të qeverisë, kamatat e larta; mungesa e energjisë elektrike, procesi i ngadaltë i privatizimit etj.; pastaj infrastruktura jo e zhvilluar si: sistemi i informacionit të tregut, sistemi i transportit, sistemi i distribuimit, hapësirat biznesore etj.; ambienti i biznesit si: tradita e limituar e ndërmarrësisë, politikat favorizuese etj, pastaj sektori informal, si: konkurrenca jolojale, evazioni fiskal etj.; qasja në financa, si:  rrjedhja e kufizuar e investimeve të huaja, fitimi i ulët në shumicën e bizneseve, periudhat e shkurtra të kthimit të kredive etj.; teknologjia, si: zhvillimi jo gjithherë i kënaqshëm i institucioneve dhe i mekanizmave për komercializimin dhe transferimin e teknologjisë, mungesa e financimit për hulumtim, zhvillimin dhe përmirësimin e teknologjisë dhe modernizim i procesit të prodhimit si dhe detyrimet e larta doganore për pajisjet moderne.  
   
                                                                                   
Qeveria e Kosovës  është e involvuar në implementimin e procesit të  Kartës Evropiane për ndërmarrje të vogla, për vite të tëra është marrë me dizajnimin e programeve dhe projekteve të cilat kanë për  qëllim që gradualisht të tejkalojnë këto barriera dhe tu afrojnë bizneseve tona një ambient për një zhvillim të qëndrueshëm. S’do mend se sfidat janë të shumta por perspektiva e zhvillimit të NVM në Evropën jug-lindore është e pa kontestueshme. Regjionalizimi dhe internacionalizmi i NVM sipas pikëpamjeve të Qeverisë së Kosovës paraqet një shans të cilin duhet shfrytëzuar në mënyrë që në rrugëtimin e vendeve tona drejtë proceseve integruese sektori i NVM duhet të mbajë një pozitë qendrore.

Last modified: 13 Maj, 2009

Comments are closed.