Prishtinë, 13 maj 2009
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Mbledhjen komemorative, me rastin e vdekjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Ismajl Haradinaj.
E nderuara familje Haradinaj
Zonja dhe zotërinj
Lëvizja politike për çlirimin e Kosovës, si proces i pareshtur në historinë e re të Kosovës, përveç që e ruajti kontinuitetin e saj, ajo në çdo kohë u identifikua me forma organizimi dhe profile të larta veprimtarësh.
Sot, fatkeqësisht, jemi tubuar për të bërë homazh për njërin nga veprimtarët më të shquar të Lëvizjes Kombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, për pedagogun dhe frymëzuesin e gjeneratave të shumta në rrugën e lirisë së Kosovës.
Jemi tubuar për t’i bërë nder emrit dhe veprës së Ismajl Haradinjat.
Ka njerëz që vetëm kur i humbim, i vërejmë përmasat e tyre reale, fuqinë e mesazhit dhe jetës së tyre, shohim vendin që kanë zënë dhe mungesa e tyre bëhet për të gjithë ne e pariparueshme.
Ismajl Haradinaj i përket asaj gjenerate veprimtarësh që përkushtimin e tyre jetësor e vënë vetëm në një drejtim, në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
Në shërbim të kësaj rruge jetësore dhe arritjes së këtij qëllimi, Ismajl Haradinaj i vuri në dispozicion të gjitha: rininë, pjekurinë, dijen, shëndetin, gjendjen materiale dhe mbi të gjitha, atë që është e shenjtë për individin – familjen.
Ky është ai profil i lartë veprimtarësh që investuan jetën ën realizimin e idealeve të tyre.
Vetëm me këtë çmim del në pah vendosmëria, karakteri dhe përkushtimi i individit përballë atdheut.
Vetëm këto karaktere mbjellin besim në arritjen e qëllimeve.
Vetëm këto karaktere bëhen model frymëzimi për breza të tërë.
Ismajl Haradinaj i përket gjeneratës së veprimtarëve që ishin identifikuar me fatin e vërtetë të popullit që i përkisnin.
Ata luftonin për lirinë e Kosovës, luftonin për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Atyre nuk u turbullohej pamja reale e statusit politik të Kosovës në asnjë periudhë, pavarësisht liberalizmit të rrejshëm të viteve të shtatëdhjeta të Jugosllavisë.
Vetëdija e zgjuar kombëtare, tradita atdhetare familjare dhe sensi për veprim konkret, Ismajl Haradinajn krejt natyrshëm e çonte drejt lëvizjes politike apo udhëheqjes politike të kohës.
Duke qenë frymëzuesi me ideale patriotike që në moshë të re, ai vepron në kuadër të organizatës politike të simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, që në fillim të viteve të gjashtëdhjeta.
Ismajl Haradinaj ishte veprimtar që nuk thyhej as në ditë më të vështira.
Edhe pas dëmtimeve që pësonte organizata që udhëhiqte, kontinuiteti dhe vendosmëria për t’mos reshtur veprimtarinë çlirimtare gjente veprimtarët adekuatë.
Ismajl Haradinaj ka një meritë të jashtëzakonshme në ruajtjen, ngritjen, rritjen dhe strukturimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare nën ish- Jugosllavi.
Ai ishte në krye të strukturave politike dhe organizative të kësaj lëvizjeje e cila kishte veprimtarë në vise të ndryshme të Kosovës dhe kudo që jetonin shqiptarët, si dhe shumë veprimtarë në botën e jashtme.
Viti 1981 rezymoi një periudhë historike, duke dëshmuar se Kosova përfundimisht kishte krijuar identitetin e saj politik, – që nuk pajtohej me pozicionin kushtetues, politik dhe administrativ nën ish-Jugosllavi.
Ismajl Haradinaj i përket këtij brezi që me shembull jetësor dëshmuan se nuk thyhen në rrugën e lirisë pavarësisht rrethanave të vështira jetësore.
Ismajl Haradinajn nuk e thyen burgosjet, torturat dhe dënimet e rënda.
Atë nuk e thyen burgosjet e djemve në moshë shumë të re dhe as persekutimi i tërë familjes.
Bacën Ismajl nuk e theu as izolimi familjar nga rrethi. Përkundrazi, ai me krenari dhe dinjitet i përballoi të gjitha.
Si pedagog kishte edukuar nxënësit, që nesër do jenë të rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ismajl Haradinaj që nga rënia në burg kaloi një jetë me gjendje të rëndës shëndetësore, si pasojë e karakterit të tij të fortë, vendosmërisë dhe mbrojtjes së parimeve për të cilat ai jetonte, mbijetonte dhe ideali i tij fitonte.
Ai përjetoi edhe jetën e rëndë të mërgimit, por Zoti i dha jetëgjatësi të mjaftueshme për ta parë të jetësuar ëndrrën e tij: Kosovën e lirë në qershor të 1999-ës, Kosovën e pavarur, sovrane dhe demokratike më 17 shkurt 2008.
Baca Ismajl ka qenë frymëzues i gjeneratave.
Ndihem edhe unë, tepër krenar që kam pasur rastin të jem bashkëluftëtar i djemve të bacë Ismajlit.
Ismajl Haradinaj vdiq në mërgim, por do të prehet në tokën e stërgjyshërve, në tokën e atdheut të tij të dashur, në tokën e lirë të Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran.
Sot, bacën Ismail e nderon shteti i Kosovës, qytetarët e Kosovës, e nderojnë gjithë shqiptarët.
Duke u ndarë nga jeta, ai la prapa kujtimin e mirë për shokët e miqtë e shumtë, tek ish – të burgosurit politikë dhe veprimtarët brenda dhe jashtë Kosovës.
Duke u ndarë nga jeta ai la prapa djemtë, nipërit dhe mbesat, të cilët do të shoqërohen tërë jetën me krenarinë dhe emrin e tij, siç do ta mbajmë në kujtim me krenari të gjithë ne bacën Ismail.
Lavdi jetës dhe veprës së Ismajl Haradinajt!
Last modified: 13 Maj, 2009