Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: E gjithë Kosova mirëpret partneritetin me FMN-në, së bashku ne do të arrijmë rezultate të mëdha

9 Maj, 2009

Prishtinë, 9 maj 2009

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për shtyp lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar

Kam kënaqësinë të njoftoj se Kosova bëri edhe një hap të rëndësishëm si shtet krenar, si shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur.

Sot, bashkësia ndërkombëtare ka pranuar Kosovën si anëtar të plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

138 shtete mbështetën anëtarësimin e Kosovës, duke marrë pjesë në votim për të siguruar përmbushjen e kuorumit; dhe një numër i fuqishëm prej tyre, 96 shtete, votuan në favor të Kosovës.

Këto shtete të pavarura mbështetën Kosovën, sepse ato e njohën përkushtimin tonë të thellë për shtetin tonë dhe për të ardhmen tonë.

Vendimi i tyre dërgon një mesazh të fuqishëm anekënd botës se Kosova është gati për të marrë vendin e vetë si një vend i barabartë, një vend stabil, dhe një vend në të cilin institucionet dhe qytetarët po punojnë së bashku për ta ndërtuar një jetë më të mirë.

 
Republika e Kosovës tashmë u bë pjesë Fondit Monetar Ndërkombëtar, organizatë ndërkombëtare që promovon dhe lehtëson punësim të shkallës së lartë dhe rritje të qëndrueshme ekonomike.
 

Si anëtar i Fondit, shteti ynë do të gëzojë një qasje më të madhe në bashkëpunimin global monetar dhe në tregun ndërkombëtar.

Më këtë vendim, vijnë mundësi të mëdha, por edhe përgjegjësi serioze.

Përgjegjësia për të vazhduar me krijimin e vendeve të punës, të paguara më mirë, përgjegjësia për të ndërtuar një infrastrukturë moderne për zhvillim ekonomik, për të ndërtuar shkolla të reja dhe për të përmirësuar sektorin tonë të bujqësisë.

Ne do të vazhdojmë me ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin Kosovën me Evropën dhe do të reformojmë sistemin e shëndetësisë, që ajo të ngritet në standardet më të larta Evropiane.

Synimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë edhe synimet tona. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë, të bashkuar si popull, për të siguruar arritjen e këtyre synimeve.

Me lejoni t’i shpreh falënderimet e mia më të thella të gjithë atyre që punuan në mbështetje të Kosovës.

Në veçanti, unë dua të falënderoj zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar për përpjeket që kanë për ta ndihmuar dhe kuptuar drejt procesin e anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
 

E gjithë Kosova mirëpret partneritetin me FMN-në, së bashku ne do të arrijmë rezultate të mëdha.

Së fundi, unë dua të falënderoj secilin qytetar të Kosovës.
Si popull kemi kaluar kohë të vështira, por ato asnjëherë nuk e kanë luhatur besimin tonë për ditë më të mira për shtetin tonë.

Sot është një ndër ato ditët për të cilat punuam shumë dhe është falë punës së juaj që ne mund ta kremtojmë këtë ditë, së bashku si popull, në Kosovën e pavarur.
 
 
Ju faleminderit.

Last modified: 9 Maj, 2009

Comments are closed.