Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Edhe Kosova, si një shtet i ri, mëton të bëhet pjesë e familjes së madhe Evropiane

8 Maj, 2009

Prishtinë, 8 maj 2009


Fjalimi i Kryeministrit për nder të 9 Majit – Ditës së Evropës

 
 
Zonja dhe zotërinj

 
 
Kam nderin të jem me ju, sot, për ta shënuar, 9 Majin, këtë ditë të rëndësishme për qytetarët e Bashkimit Evropian,.
 

Kjo ditë shënon fillimin e bashkimit të vlerave për një të ardhme të ndritshme dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Evropës.

 
Edhe Kosova, si një shtet i ri, mëton të bëhet pjesë e familjes së madhe Evropiane dhe e sheh të ardhmen e saj në këtë familje, me të cilën e bashkojnë të njëjtat vlera.

 
Qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar të jetojnë  në një ambient ku mbizotëron liria, paqja, demokracia dhe ku të gjithë jetojnë të lirë dhe në harmoni me njeri tjetrin.

 
Ata janë të përkushtuar të jetojnë në një vend ku ka prosperitet ekonomik dhe social, – një vend që ka marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim me të gjitha shtetet fqinje, për një të ardhme të përbashkët Evropiane.

 
Për të realizuar këtë aspiratë të qytetarëve të Kosovës, Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë drejt realizimit të saj,  duke e shndërruar atë në prioritetin kryesor qeveritar.  

 
Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e reformimit të administratës publike dhe ndërtimit të kapaciteteve administrative të nevojshme për adresimin e të gjitha prioriteteve që dalin nga procesi i Integrimit Evropian.

 
Aktualisht në kuadër të shumë aktiviteteve tjera, Qeveria e Republikës së Kosovës është në përfundim të rishikimit të Planit të Veprimit për Partneritet Evropian.

 
Ky dokument strategjik i bashkërendon politikat tona krahas përgjegjësive që dalin nga Partneriteti Evropian dhe Raporti i Progresit për Kosovën.

 
Për të siguruar një realizim sa me të shpejtë të përgjegjësive tona, institucionet e Republikës së Kosovës janë duke ndërmarrë masat e nevojshme për themelimin dhe funksionalizimin e strukturave të nevojshme administrative.

 
Gjatë kësaj ecurie, Kosova është duke u mbështetur nga shtetet mike, të cilat me një përkushtim të përhershëm përkrahin Kosovën në zhvillimin e gjithëmbarshëm politik, ekonomik dhe social.

 
Kjo përkrahje e vazhdueshme e miqve tanë na motivon edhe më shumë që t’i ndërmarrim reformat e nevojshme për të siguruar një të ardhme me prosperuese për popullin e Kosovës.

 
Për këtë arsye Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Komunitetin e Donatoreve ka iniciuar themelimin e Forumit të Nivelit të Lartë i cili do të bashkërendojë donacionet e dhëna për zhvillimin e vendit.

 
Zonja dhe Zotërinj,

 
Ky vit shënon edhe një vit të rëndësishëm për të ardhmen e shtetit tonë.

 
Këtë vit ka filluar Studimi i Fizibilitetit për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian.

 
Ky Studim do t’i mundësojë Kosovës vendosjen e marrëdhënieve kontraktuare me Komisionin Evropian në kuadër të procesit të stabilizim – asociimit.

 
Jemi të sigurt që ky studim do të pasqyrojë të arriturat e Qeverisë në rrafshin e sundimit të ligjit, marrëdhënieve ndëretnike, investimeve kapitale, reformave legjislative dhe ekonomike, luftën kundër korrupsionit etj.

 
Në këtë raport pa dyshim vend të posaçëm zë edhe anëtarësimi i Kosovës në FMN dhe së shpejti në Bankën Botërore.
 

Ne jemi të përkushtuar që Kosova të ketë zhvillim të gjithëmbarshëm, ku frytet e këtij zhvillimi do t’i gëzojnë të gjithë qytetarët e saj.

 
Kosova do të jetë shembull për bashkëjetesë ndëretnike në një demokraci të qëndrueshme, e cila ndërthurë në veti parimet dhe idealet fondamentale të Bashkimit Evropian.

 
Ne jemi të vetëdijshëm se rruga për në Bashkimin Evropian është e gjatë dhe kërkon përkushtim maksimal nga institucionet dhe shoqëria në përgjithësi.

 
Procesi i integrimit evropian nuk është ekskluzivitet për një grupim politik e as për një komunitetit etnik, por ai është një proces kombëtar që do të mundësojë përmirësimin e kualiteti të jetës së qytetarëve të Kosovës.

 
Për Kosovën Integrimi në BE nuk është vetëm dëshirë, por rrugë për të cilën kemi vendosur.

 
Integrimi ne BE nuk ka alternativë.

 
Ju Faleminderit

Last modified: 8 Maj, 2009

Comments are closed.