Zyra e Kryeministrit

Çdo aktivitet yni duhet të jetë në përputhje me kriteret e procesit të Integrimit në BE, – ka theksuar kryeministri Thaçi

8 Maj, 2009

Prishtinë, 8 maj 2009

Me rastin të 9 majit, Ditës së Evropës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 64-tën me radhë, në të cilën ka debatuar për procesin e Integrimit Evropian.

Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se mbledhja e sotme zhvillohet në ditën që simbolizon bashkëpunimin, konkurrencën, synimin për jetë të lirë, zhvillimin ekonomik, demokratizimin dhe të gjitha këto janë synime edhe të shtetit tonë të ri.

“Qeveria dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar për integrim. Ky proces duhet të përfshijë të gjitha segmentet dhe institucionet e Kosovës nga niveli qendror deri tek nivelet me të ulëta. Ky është edhe përkushtimi maksimal për sundimin e ligjit dhe reformat në administratën publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit” ka thënë kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar në thellimin e reformave ekonomike, legjislative dhe reformat politike në funksion të ndërtimit të shtetit demokratik, të mundësive të barabarta. Ndërtimin e Kosovës si atdhe për të gjithë qytetarët, me të drejta të afirmuara për minoritetet.

“E ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt. Prandaj, edhe sot do t’i ftoj të gjitha institucionet që të koordinojnë aktivitetet dhe të rrisin përkushtimin për plotësimin e kërkesave që dalin në procesin e integrimeve evropiane” u shpreh kryeministri Thaçi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare dhe çdo veprim apo vendim i Qeverisë dhe institucioneve tjera do të jetë në përputhje me kriteret për integrim në BE”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Agjenda zhvillimore e Kosovës dhe procesi i integrimit, janë të ndërlidhura dhe janë pjesë integrale të një procesi. Rruga për integrimin e Kosovës në BE dhe synimi ynë për integrim në familjen euroatlantike është vizioni i politikës shtetërore të Kosovës, është vullneti i qytetarëve të Kosovës. Edhe në rast të organizimit të ndonjë referendumi, qytetarët e Kosovës, me plebishit do të ishin në favor të ecjes përpara të Kosovës, për të qenë pjesë e NATO-s dhe BE-së, ka vlerësuar kryeministri Hashim Thaçi.

Last modified: 8 Maj, 2009

Comments are closed.