Zyra e Kryeministrit

Mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës, diskutohet gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend dhe iniciohet hartimi i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë

8 Maj, 2009

Prishtinë, 8 maj 2009

Në përputhshmëri me Ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe në përputhshmëri me afatin e rregullt ligjor, nën drejtimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është mbajtur sot mbledhja e dytë e Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës.

Në takim është diskutuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, është iniciuar hartimi i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, po ashtu është miratuar rregullorja e punës e Qendrës së Situatave dhe logoja e Këshillit të Sigurisë.

Duke hapur takimin e Këshillit të Sigurisë, Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se përkundër disa trazirave të intensitetit të ulët në veriun e Kosovës, dhe disa aktiviteteve kriminale, të cilat kanë ndodhur në javët që kemi lenë pas, gjendja e gjithëmbarshme e sigurisë në vend konsiderohet e qetë dhe stabile.

Kryeministri Thaçi ka përshëndetur po ashtu mënyrën e ballafaqimit të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të EULEX-it me protestuesit në veri të vendit, të cilët janë duke shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me ndërtimet e shtëpive të pronarëve në pronat e tyre.

Në takim Kryeministri Thaçi dhe anëtarët e Këshillit të Sigurisë kanë konstatuar se përkundër protestave të përditshme, gjendja është mbajtur nën kontroll, punimet kanë vazhduar dhe nuk ka pjesëtarë të policisë me lëndime serioze.

Ndërsa, lidhur me aktin kriminal të vjedhjes së një sasie të konsiderueshme të provave faktike brenda ndërtesës kryesore të Policisë së Kosovës, Këshilli i Sigurisë ka shprehur bindjen se organet e ndjekjes janë duke e bërë punën e tyre, si dhe ka kërkuar që rezultati i hetimeve të sjell përpara drejtësisë kryesit e kësaj vepre kriminale sa më shpejtë.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe anëtarët e Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës kanë kërkuar me vendosmëri rritjen e masave të sigurisë brenda Policisë së Kosovës, duke e vlerësuar këtë si çështje të natyrës emergjente dhe të lidhur drejtpërsëdrejti me sigurinë kombëtare.

Në takimin e sotëm të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës, është iniciuar edhe hartimi i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe anëtarët e Këshillit të Sigurisë, e vlerësuan jashtëzakonisht të rëndësishme për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë dhe theksuan se hartimi i kësaj strategjie duhet të marrë në konsideratë faktorë të shumtë, që ndërlidhen me situatën e sigurisë në nivel të vendit, rreziqet e sigurisë në nivel rajonal dhe atë gobal.

Me propozimin e kryeministrit Hashim Thaçi, u formua Grupi Punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, që do të udhëhiqet nga Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ndërsa anëtarë tjerë të Grupit Punues do të jenë:

1. Ministri i Forcën e Sigurisë së Kosovës;
2. Ministri i Punëve të Jashtme;
3. Ministri i Drejtësisë;
4. Ministri i Ekonomisë dhe Financave;
5. Ministri për Kthim dhe Komunitete;
6. Një përfaqësues i Presidentit të Republikës së Kosovës;
7. Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë;
8. Këshilltari i Kryeministrit për Siguri;
9. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës;
10. Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës;
11. Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Kosovës;
12. Drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme;
13. Drejtori i Doganave të Republikës së Kosovës.
14. Përfaqësuesi i Kuvendit të Kosovës (Komisioni për Siguri)

Përgjegjës për koordinimin dhe mbarëvajtjen e tërë procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë do të jetë Sekretariati i Këshillit të Sigurisë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar nga anëtarët e Grupit Punues, që në procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të bashkëpunojnë ngushtë me Zyrën për Siguri, e cila vepron në kuadër të Zyrës Ndërkombëtare Civile, me EULEX-in dhe me KFOR-in.

Në momentin kur të përfundohet së hartuari Strategjia Kombëtare e Sigurisë, Qeveria e Republikës së Kosovës do ta miratojë dhe e njëjta do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës për miratim përfundimtar.

Last modified: 8 Maj, 2009

Comments are closed.