Prishtinë, 07 maj 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në hapjen e mbledhjes ka theksuar se Republika e Kosovës me përmbylljen e suksesshme të procesit të anëtarësimit në Fondin Monetarë Ndërkombëtar po shënon edhe një hap të madh në procesin e anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare.
“Ky është një sukses i Kosovës me rëndësi për zhvillimin e saj, por edhe një respekt për arritjet në ndërtimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, duke theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme të plotësojë të gjitha kushtet dhe obligimet që do të dalin nga përmbyllja e këtij procesi.
“Kosova ka të ardhme të sigurt evropiane, ka të ardhme të sigurt euroatlantike dhe ka të ardhme të sigurt në mesin e kombeve të lira të botës. Ne do të jemi mirënjohës për të gjitha shtete që kanë ofruar mbështetje për ndërtimin e shtetit të Kosovës” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij.
Qeveria ka aprovuar vendimin për licencimin e biologëve të diplomuar në drejtimin e Biologjisë aplikative. Të diplomuarit në këtë drejtim, pas plotësimit të kushteve që parashihen edhe në këtë vendim por edhe në Ligjin mbi Shëndetësinë, do të marrin thirrjet adekuate profesionale. Të diplomuarit me master në drejtimin Biokimik – Fiziologjik do të marrin thirrjen laborant i lartë mjekësorë, ndërsa ata me bachelor në këtë drejtim e marrin thirrjen laborant i diplomuar.
Me qëllim që Republika e Kosovës të jetë pjesë e procesit të arritjes së marrëveshjes për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që udhëtojnë në vendet e BE-së, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar një udhërrëfyes për zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ky dokument do t’i paraqitet Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, dhe do të shërbejë si dokument bazë për hartimin e planit të veprimeve në mënyrë që Kosovë të fillojë, që njëanshëm, të përmbushë të gjitha kriteret teknike të përcaktuara nga Komisioni Evropian për nënshkrimin e Marrëveshjes për Liberalizimin e Vizave.
Qeveria ka aprovuar në parim, rekomandimet e para të projektit për rishikimin funksional dhe organizimit institucional, për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për Ministrinë e Shërbimeve Publike, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë e Punëve të Brendshm. Kët rekomandime janë përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë dhe të financuara nga Qeveria britanike. Bartëse i këtij projekti është FRIDOM. Projekti i rishikimit funksional do të vazhdojë dhe pritet që deri në shtatorë të përgatiten edhe rekomandimet edhe për institucionet tjera në Kosovë.
Me kërkesën e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria ka ndarë 7000 euro ndihmë për familjen e dëshmorit Sami Rama. Kjo ndihmë është ndarë për zgjedhjen e çështjes së banimit për këtë familje, e cila aktualisht jeton në kushte të vështira ekonomike dhe sociale.
Last modified: 7 Maj, 2009