Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Republikës së Kosovës po punon në ngritjen e një niveli të jetesës më të mirë për të rinjtë kosovarë

6 Maj, 2009

Prishtinë, 6 maj 2009

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Drejt parandalimit efektiv të vetëvrasjes dhe vetë-lëndimit në mesin e të rinjve kosovarë”.

 

Zonja dhe Zotërinj,          
                   

Jam i nderuar, që sot e hap këtë Konferencë Ndërkombëtare Shkencore, e cila ka për qëllim shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe skicimin e politikave që do të mirren në konsideratë në të ardhmen për të parandaluar vetëvrasjet dhe vetë-lëndimet në mesin e të rinjve kosovarë.

Më lejoni të shpreh përkushtimin e thellë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e një sistemi profesional kombëtar, me qëllim të përpilimit dhe zbatimit të programeve gjithëpërfshirëse,  që do të kenë pikë synimi parandalimin e kësaj dukurie tejet shqetësuese dhe negative në shoqërinë kosovare.

Qeveria e Republikës së Kosovës po bën përpjekje të vazhdueshme që të punojë në ngritjen e një niveli të jetesës më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, – e me theks të veçantë për të rinjtë kosovarë, duke e konceptuar këtë si standard fundamental për një shoqëri demokratike.

 

Në këtë kontekst janë bëre një varg arritjesh:

•       Është në proces të zhvillimit Dokumenti Strategjik dhe Plani Nacional i Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve në Republikën e Kosovës 2009-2013.

Këto dokumente parashohin masa dhe veprime    konkrete për mbijetesën, mbrojtjen, zhvillimin, mirëqenien e të gjithë fëmijëve dhe të rinjve pa dallim.

• Në të gjitha  Ministritë janë formuar Njësitë për të Drejtat e Njeriut, në të cilat punojnë edhe zyrtarë që mirren me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të  fëmijëve.

Po ashtu, kanë vazhduar përpjekjet për të rritur numrin e zyrtarëve komunalë për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve.

• Është miratuar Strategjia dhe Plani i Veprimit për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës 2009-2011.

Ky dokument, i cili është duke u zbatuar, ofron hapat e nevojshëm që do të ndërmirren për të përmirësuar promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Besoj, thellësisht, se konkluzionet dhe rekomandimet që do të dalin nga Konferenca e sotme do të shërbejnë për të përmirësuar më tej ndërhyrjet dhe obligimet tona për mbrojtjen e shëndetit të të rinjve.

Shpresoj se këto të arritura do të ndikojnë konkretisht në parandalimin sa më efektiv të vetëvrasjeve dhe vetë-dëmtimit në mesin e të rinjve tanë. 

Me këtë rast shfrytëzoj mundësinë t’i falenderoj sinqerisht të gjithë partnerët relevantë që kontribuan në realizimin e kësaj Konference.

Në veçanti falëndeoj Fondacionin “Together” nga Republika e Sllovenisë si dhe Zyrën për Qeverisje të Mirë.

Të nderuar pjesëmarrës, krejt në fund, Ju siguroj që Qeveria e Republikës së Kosovës, do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për krijimin e kushteve sa më të mira të jetesës konform standardeve ndërkombëtare për të gjithë të rinjët, si në familje, shoqëri, institucione publike dhe ato private.

Ju garantoj se do të angazhohemi në veçanti për mbrojtjen e të rinjve nga çdo formë e diskriminimit, dhunës, keqtrajtimit, shfrytëzimit dhe punëve të rrezikshme.

Ju garantoj se do të angazhohemi seriozisht, në mënyrë që atyre t’u sigurojmë një jetë dhe zhvillim normal.

Ju uroj punë të mbarë dhe suksese!

Last modified: 6 Maj, 2009

Comments are closed.