Prishtinë, 4 maj 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për gazetarë, ku mori pjesë edhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiq u bëri thirrje të gjithëve qytetarëve të Kosovës, pa dallime etnike, veçanërisht komunitetit serb që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre në Kosovë.
Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi në konferencën e sotme për media
Jemi këtu se bashku me ministrin Rashiq, që të dërgojmë edhe një mesazhin në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve lokale, gjithashtu të institucioneve të Kosovës, mesazhin e kthimit për të gjithë qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të jetojnë në pronat dhe shtëpitë e tyre.
Ky është mesazh që i dërgohet në emër të Qeverisë së Kosovës, gjithë njerëzve ku do që jetojnë, e që aktualisht nuk janë në pronat, shtëpitë dhe banesat e tyre.
Ne po ndërtojmë vend demokratik, me shoqëri shumetnike. Janë krijuar kushtet e sigurisë dhe mundësitë më të mëdha të jetesës, të jetës më të mire, të jetës së re, që çdo qytetar pa dallim të përkatësisë etnike të jetojë aty ku dëshiron të jetojë. Kemi klimë dhe ambient të sigurt.
Ky mesazh ju drejtohet gjithë qytetarëve të Kosovës, para së gjithash i drejtohet njerëzve të komunitetit serb, që të vazhdojnë në trendin pozitiv të kthimit të tyre në pronat dhe shtëpitë e veta.
Qeveria e Republikës së Kosovë do të vazhdojë t’i kryej me përpikëri të gjitha obligimet e saj që dalin nga dokumenti i presidentit Ahtisari, nga përgjegjësitë e veta që ka, përgjegjësi që dalin edhe nga Kushtetuta, por edhe nga vizioni për ta ndërtuar një Kosovë të re, një Kosovë si atdhe të të gjithë qytetarëve të saj.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të krijoj kushte edhe më të mira për të gjithë qytetarët që kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre. Në kuadër të kësaj, ju bëjmë edhe një herë ftesë qytetarëve serbë që jetojnë edhe në Serbi, për kthim në vendet, në shtëpitë dhe banesat e tyre. Në kuadër të kësaj, dëshiroj që të theksoj edhe njëherë zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkushtimin e saj shtesë për mbështetje të plotë edhe financiare, por edhe të angazhimeve dhe përkushtimeve me projekte konkrete.
Gjithashtu, ftoj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qeverinë e Serbisë, autoritetet në Beograd, që të jetë ndihmuese në kthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre këtu dhe të mos jetë pengues për qëllime politike të manipulojnë këtë proces.
Ne do të vazhdojmë të punojmë drejtpërdrejt me komunitetet, me autoritetet ndërkombëtare, me gjithë autoritetet lokale, gjithë kryetarët e komunave kanë treguar autoritet dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme në këtë drejtim, që të punojnë edhe në terren drejtpërdrejt, në mënyrë që të krijohen kushtet dhe mundësitë për kthimin.
Tani, janë kushtet, mundësitë, siguria, ekzistenca, por edhe përkushtimi i drejtpërdrejt i institucioneve të Kosovës për kthimin e të gjitha komuniteteve, gjithë njerëzit e Kosovës, në pronat, shtëpitë, banesat e tyre.
Last modified: 4 Maj, 2009