Prishtinë, 29 prill 2009
Në mesazh thuhet:
I nderuari president Topi,
Kam nderin dhe privilegjin që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’Ju shpreh urimet më të sinqerta me rastin e aplikimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkim Evropian.
Një muaj më parë, Shqipëria, u bë pjesë e organizatës më të fuqishme botërore për siguri dhe paqe, NATO-s, duke rikonfirmuar thellimin e progresit në procesin e arritjes së standardeve të larta demokratike euroatlantike.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjithë qytetarët e saj i gëzohen arritjeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të rëndësishëm të Integrimit në Bashkimin Evropian.
Ne besojmë se institucionet e Republikës së Shqipërisë do ta luajnë rolin e duhur për të mbështetur dhe afirmuar të arriturat e shtetit të Kosovës, në funksion të përshpejtimit të integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.
Integrimi i ardhshëm i Shqipërisë në Bashkim Evropian do të jetë edhe një hap i madh i popullit shqiptar dhe një e arritur për gjithë rajonin tonë, duke kontribuar kështu në thellimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim edhe njëherë iu shpreh përgëzimet më të mira.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Last modified: 29 Prill, 2009