Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përgëzon homologun e tij, Sali Berisha, me rastin e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkim Evropian

29 Prill, 2009

Prishtinë, 29 prill 2009

Në mesazh thuhet:

I nderuari kryeministër Berisha,

Kam nderin dhe privilegjin që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’Ju shpreh përgëzimet më të sinqerta me rastin e aplikimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkim Evropian.

Anëtarësimi i plotë Shqipërisë në NATO një muaj më parë ishte një e arritur e jashtëzakonshme e popullit shqiptar.

Shqipëria, duke u bërë pjesë e organizatës më të fuqishme botërore për siguri dhe paqe, u bë shembull i mirë i arritjes së standardeve të larta demokratike për shtetet në rajon.

Qeveria e Kosovës dhe gjithë qytetarët e saj i gëzohen arritjeve të Shqipërisë në të gjitha fushat e integrimeve euroatlantike.

Ne besojmë se institucionet e Shqipërisë do ta luajnë rolin e duhur për të ndihmuar dhe afirmuar të arriturat e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Integrimi i ardhshëm i  Shqipërisë në Bashkim Evropian do të jetë  edhe një hap i madh i popullit shqiptar dhe një e arritur për të gjitha vendet fqinje.

Paqja, stabiliteti dhe përparimi i përgjithshëm po bëhet pjesë e rajonit tonë.

Në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në emrin tim edhe njëherë iu shpreh përgëzimet më të mira.

Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Last modified: 29 Prill, 2009

Comments are closed.