Prishtinë, 28 prill 2009
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi priti sot një grup të gazetarëve nga Rusia, Ukraina, Moldavia dhe Bjellorusia.
Zëvendëskryeministri Kuçi fillimisht u ka shprehur mirëseardhje dhe kënaqësinë për të bashkëbiseduar me gazetarët rus.
Z. Kuçi tha se Qeveria e Republikës Kosovës përkrah shkëmbimin midis dy vendeve dhe dy popujve, Kosova është e hapur për të gjithë dhe e gatshme për bashkëpunim me të gjitha vendet në këtë rast edhe me Rusinë. Zëvendëskryeministri Kuçi ka falënderuar për kontributin e shumë burrave dhe grave nga Rusia në kuadër të forcave paqeruajtëse në Kosovë .
Duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovës,. Z. Kuçi ka thënë se nga 17 shkurti 2008 Kosova është e pavarur dhe një vend i lirë.
“Deri tash ne kemi gëzuar njohje nga 58 shtete nga të gjitha kontinentet, e në veçanti Kosovën e kanë njohur të gjitha vendet e rajonit përveç Serbisë”, ka thënë z. Kuçi, duke shtuar se është miratuar një kushtetutë moderne dhe demokratike, ku qytetarët e Kosovës janë të barabartë e cila është e bazuar në planin e Presidentit Ahtisari. Kushtetuta jonë u garanton të drejta minoriteteve më shumë se çdo vend tjetër në botë.
Më tutje z. Kuçi tha se kemi ndërtuar institucione demokratike, kemi ndërtuar stabilitet në rajon dhe kemi vënë marrëdhënie diplomatike me 18 vende. Kosova shumë shpejt synon të jetë anëtare e mekanizmave ndërkombëtarë. Presim që në muajin maj të anëtarësohemi në Fondin Monetar Ndërkombëtarë dhe në Bankën Botërore .
“Një të ardhme të afërt presim të jemi anëtarë të NATO-s dhe BE-së. Kosova do të jetë kontribuues i paqes në rajon dhe në botë. Dhe njëkohësisht vend i qytetarëve të saj të barabartë. Pavarësia për ne është një mundësi për jetë më të mirë. Është një mundësi për rendin dhe ligjin në Kosovë, për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale dhe gjithë segmentet e jetës në Kosovës” – theksoi z. Hajredin Kuçi.
“Është sfidë për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës e veçmas në Veri të Mitrovicës. Aty janë disa qytetarë tanë nën presionin e Beogradit . Ata i trajtojmë si qytetarë tanë, ne do të jemi atraktiv për ta dhe nuk e kemi ndër mend të përdorim dhunën në atë pjesë, por do të bashkëpunojmë me ata qytetarë dhe me bashkësinë ndërkombëtare që është prezentë në Kosovë, me ICO dhe EULEX-in. Ne besojmë se në Kosovës gjërat po lëvizin pozitivisht dhe në drejtim të duhur” – ka pohuar z. Kuçi .
Me këtë rast Kuçi ka ftuar edhe Rusinë ta jap kontributin e saj duke e njohur shtetësinë e Kosovës. Kështu Rusia do të ishte në anën e paqes demokracisë dhe ardhmërisë. Rusia mund të luaj një rol pozitiv n Ballkan.
Më pas Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi është përgjigjur interesimeve të shumta të gazetarëve rus lidhur me çështjet e sigurisë , zhvillimit ekonomik dhe perspektivës së njohjes së shtetit të Kosovës në të ardhmen.
Last modified: 28 Prill, 2009