Prishtinë, 28 prill 2009
Në vazhdim po e prezantojmë të plotë, prononcimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e fillimit të aksionit “Një qytetar, një fidan” në Komunën e Kastriotit.
Kastrioti është një prej qyteteve dhe hapësirave më të ndotura në Kosovë. Kemi planifikuar që edhe në këtë hapësirë sivjet, të mbillen rreth 25 hektarë fidanë, me mbi 60 mijë fidanë.
Falënderoj kryetarin e Komunës së Kastriotit për mbështetjen dhe participimin në këtë aksion për të mirën e qytetarëve, për zgjerimin e hapësirës së gjelbërimit, për një ambient më të mirë.
Ne po e ndryshojmë gjithë Kosovën, po ndryshon edhe Kastrioti, po bëhet një punë e mirë.
Do të vazhdojmë të investojmë në këto projekte që janë me interes për shëndetin e qytetarëve të Kosovës.
Prandaj, dëshiroj që të vazhdojmë kështu të gjithë bashkërisht që të investojmë në këto projekte për të sotmen dhe për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u përgjigj edhe në interesimin e medias lidhur me akuzat e fundit të opozitës.
Unë nuk jam sot këtu për të bërë politikë, por për të punuar, dhe atë punë konkrete në interesin e të gjithë qytetarëve dhe vendit, për të ndryshuar vendin dhe për të implementuar prioritetet e mia strategjike para qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Edhe kritikuesin e ftoj që ta mbjell një pemë, në mënyrë që thjeshtë, të pastrohet edhe skena politike apo edhe të freskohet ajo.
Unë i ftoj të gjithë që të punojnë dhe të pastrohet skena politike nga sharjet, akuzat, etiketimet, arroganca, agresiviteti dhe nervoza.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Kastriotit, Rexhep Kelani, pas fillimit të aksionit të mbjelljes së fidanëve në Kastriot, theksoi:
Siç theksoi edhe kryeministri Thaçi në Kastriot është një ndotje enorme. Po mundohemi në këtë drejtim dhe ky është një aksion i qëlluar dhe i mirë, sepse po mundohemi që ta zgjidhim këtë çështje, që është aq serioze.
Last modified: 28 Prill, 2009