Prishtinë, 19 maj 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin me temë “Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike: efektet dhe masat lehtësuese”, organizuar nga Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.
Në këtë forum, i cili u hap nga Sekretari i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, Artan Mehmeti u diskutua për ndikimin e liberalizimit të tregut të energjisë dhe mënyrat e bashkëpunimit për përballimin me sukses të kësaj sfide, e cila është paraparë më Ligjin për Energji Elektrike të miratuar në vitin 2016. Kryeministri u shpreh se janë të vetëdijshëm se bizneset që preken nga liberalizimi mund të përballen me rritje të kostos, veçanërisht ato prodhuese. Me këtë rast, ai siguroi që Qeveria e Republikës së Kosovës do të qëndrojë pranë prodhuesve vendor për të dëgjuar brengat kryesore dhe nevojat e tyre për përkrahje lidhur me procesin e liberalizimit të tregut.
“Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: të sigurojmë një kalim të menaxhueshëm dhe të drejtë drejt tregut të lirë, ku askush nuk mbetet pas dhe ku konkurrenca dhe investimet nxisin zhvillim. Si Qeveri, do të qëndrojmë gjithmonë pranë prodhuesve tonë dhe do të sigurojmë që edhe ky proces të shoqërohet me masa konkrete mbështetëse, në mënyrë që prodhuesit vendorë të mos mbeten të pambrojtur dhe të mund të vazhdojnë rritjen, zhvillimin dhe gjithashtu depërtimin gjithnjë e më të madh përmes eksportit në tregje të jashtme të prodhimeve tona”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai përmendi hapat konkretë të ndërmarrë për tejkalimin e kësaj sfide, duke përfshirë: dizajnimin e skemave grantesh për efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtërishme, për të ulur konsumin e energjisë elektrike, me mbështetje konkrete e që do të rritet me rishikimin e buxhetit; hapjen e thirrjeve publike përmes KIESA-s për subvencionimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, me një buxhet të planifikuar prej 5 milionë eurosh; si dhe mbështetjen për të bërë auditime energjetike, që të bëhet ulja e konsumit dhe kostove të energjisë elektrike.
Ndër të tjera, kryeministri Kurti veçoi edhe përkrahjet e tjera gjatë katër viteve të qeverisjes, sikurse rritja e kapitalit të lirë, tregjeve të reja, infrastrukturën moderne, fuqinë punëtore të kualifikuar dhe motivuar, si dhe lehtësimin e barrës administrative.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është obligim që rrjedh nga pjesëmarrja në komunitetin e energjisë dhe integrimi në tregun rajonal dhe evropian, të cilin tanimë e kanë zbatuar edhe më herët edhe në masë shumë më të madhe shtetet e rajonit.
Ajo ndër të tjera theksoi se është duke u punuar në një skemë të re mbështetëse për biznese për efiçiencë të energjisë.
“Aktualisht jemi duke e përfunduar një skemë të re mbështetëse për bizneset prodhuese me përkrahjen e LuxDev Development. Brenda kësaj skeme do të përkrahim eficiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave, sisteme solare fotovoltaike (FV, për prodhim të energjisë elektrike), sisteme solare termike (për ngrohje të ujit) bateri për sisteme solare FV, si dhe pajisje si rregullatorët e fuqisë reaktive për të rritur eficiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim.”
Në këtë forum morën pjesë edhe zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, prodhues, përfaqësues të bizneseve, përfaqësues të Odave Ekonomike dhe përfaqësues të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar zëvendëskryeministër Bislimi,
Të nderuara ministre, Artane Rizvanolli dhe Rozeta Hajdari,
Të nderuar prodhues, përfaqësues të bizneseve, përfaqësues të Odave Ekonomike, përfaqësues të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe angazhimin tuaj në këtë takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime. Këtë takim e kemi ftuar për të diskutuar së bashku mbi ndikimin e liberalizimit të tregut të energjisë dhe mënyrat se si mund të bashkëpunojmë për ta përballuar me sukses këtë sfidë.
Siç e dini, Ligji për Energji Elektrike, i cili e parasheh liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, është miratuar qysh në vitin 2016. Pas aprovimit të Ligjit, ZRrE filloi reformën e liberalizimit të tregut dhe zbatoi fazën e parë me nxjerrjen në treg të lirë të konsumatorëve të lidhur në nivelin e tensionit të lartë – Trepça, Sharrcemi dhe Ferronikeli- në vitin 2017. Pas kësaj, pati shtyrje të nxjerrjes në treg të grupeve të tjera të bizneseve për arsye të ndryshme për tetë vjet me radhë, deri në mars te këtij viti.
E kemi parasysh që një ndër brengat e shprehura ka qenë ndikimi në konkurrueshmëri në rajon e me gjerë. Mirëpo, Kosova është e fundit në rajon që zbaton këtë reformë. Shqipëria ka nxjerrë në treg të gjithë konsumatorët e lidhur në nivelin e tensionit të lartë 35 kV dhe 20 kV, kurse në Maqedoninë e Veriut rreth 40% të konsumit të tërësishëm sigurohet me çmime të tregut. Prodhuesit tanë kanë përfituar ndër vite nga tarifa të rregulluara më të mira se konkurrentët e tyre dhe nga subvencionimi i tarifave specifikisht gjatë vitit 2022 dhe 2023.
Jemi të vetëdijshëm se bizneset qe preken nga liberalizimi mund të përballen me rritje të kostos, veçanërisht ato prodhuese. Prandaj, dua të ju siguroj se Qeveria e Republikës së Kosovës, sikur përgjatë katër viteve të fundit, do t’ju qëndroj pranë prodhuesve vendorë, dhe të dëgjojmë nga ju për brengat tuaja kryesore dhe nevojat për përkrahje lidhur me procesin e liberalizimit të tregut.
Kur filluam mandatin, para më shumë së katër viteve, ishte e qartë që për sektorin prodhues mungonte kapitali. Sot, qindra prej jush i kanë dyert e hapura për linja automatike dhe pajisje të reja dhe robotike falë 100 milionë euro kredi investuese të subvencionuara për 379 ndërmarrje dhe 12 milionë eurove të tjera për 440 biznese që zgjeruan kapacitetin pa e rrezikuar bilancin.
Jemi siguruar që bizneset tona të rrisin praninë jashtë vendit: 139 kompani me potencial eksporti i kemi subvencionuar me 9.8 milionë euro për certifikime, digjitalizim e trajnime, ndërkaq 103 prodhues vendorë i kemi përkrahur që të blejnë linja prodhimi me 3.9 milionë euro mbështetje direkte. Në 51 panaire ndërkombëtare—nga Vjena te Dubai—mbi 250 biznese të Kosovës i kemi përkrahur që të zhvillojnë takime B2B me blerës të rinj, dhe forume investimesh në tetë shtete për të promovuar mbi 1,000 produkte të Kosovës.
Përkrahjen e prodhimit e promovimit e kemi shoqëruar me investime në infrastrukturë: tashmë kemi përfunduar parqet industriale në Shirokë, Viti e Vushtrri dhe inkubatorin në Malishevë, Tech Parkun në Bërnicë dhe Qendrën për Trajnime e Inovacion në Prizren.
Për të lehtësuar barrën administrative kemi zhvilluar pikën e vetme të kontaktit, regjistrimin elektronik të bizneseve dhe listën pasive të bizneseve. Kësisoj, mbi 33 mijë biznese të reja u regjistruan në vetëm tri vjet. Lejet e naftës i kemi zvogëluar nga 5,000 euro në vetëm 55 euro, kodet doganore e tatimore i kemi modernizuar, dhe kemi realizuar marrëveshje për evitimin e tatimit të dyfishtë me gjashtë shtete.
E gjithë kjo përkrahje nuk do të luante rol të madh pa njerëz. Prandaj, 1,268 biznese i kemi subvencionuar me gjysmën e rritjes së pagave duke u përmirësuar pagat e mbi 17 mijë punëtorëve, dhe pagën minimale e kemi liruar nga tatimi.
Me të gjitha këto përkrahje, kapital të lirë, tregje të reja, infrastrukturë moderne, barrë administrative të lehtësuar e fuqi punëtore edhe më të kualifikuar edhe më të motivuar, kemi punuar që të rrisim konkurrueshmërinë tuaj, që padyshim do të lehtësojnë përballjen tuaj me një proces të ardhshëm të liberalizimit të tregut të energjisë.
Edhe për tejkalimin e kësaj sfide po punojmë që të ju qëndrojmë pranë edhe me tutje, dhe kemi filluar me hapa konkret:
Po dizajnojmë skema grantesh për efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtërishme, për të ulur konsumin e energjisë elektrike, me mbështetje konkrete e që do të rritet me rishikimin e buxhetit;
Përmes KIESA-s kemi hapur thirrjen publike për subvencionimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, me një buxhet të planifikuar prej 5 milionë eurosh;
Do t’ju mbështesim për të bërë auditime energjetike, që të mund të ulni konsumin dhe kostot e energjisë elektrike.
Ky takim nuk është përfundim i diskutimit, por fillim i kapitullit të ri të bashkëpunimit tonë. Me të gjitha këto, Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: të sigurojmë një kalim të menaxhueshëm dhe të drejtë drejt tregut të lirë, ku askush nuk mbetet pas dhe ku konkurrenca dhe investimet nxisin zhvillim. Si Qeveri, do të qëndrojmë gjithmonë pranë prodhuesve tonë dhe do të sigurojmë që edhe ky proces të shoqërohet me masa konkrete mbështetëse, në mënyrë që prodhuesit vendorë të mos mbeten të pambrojtur dhe të mund të vazhdojnë rritjen, zhvillimin dhe gjithashtu depërtimin gjithnjë e më të madh përmes eksportit në tregje të jashtme të prodhimeve tona.
Ju faleminderit dhe pres me vëmendje mendimet dhe propozimet tuaja.
Last modified: 20 Maj, 2025