Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të 15-të të festivalit Chopin Piano Fest Prishtina

8 Maj, 2025

Prishtinë, 8 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e sotme mori pjesë në hapjen e festivalit Chopin Piano Fest Prishtina, me rastin e shënimit të edicionit të 15-të, i cili u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

E konsideruar si një prej ngjarjeve më domethënëse kulturore në vendin tonë, kryeministri Kurti në hapjen solemne të këtij festivali, tha se Chopin Fest nuk është vetëm një festë e pianos, por edhe e bashkimit shoqëror, edukimit artistik dhe diplomacisë kulturore.

Ky festival që mban emrin e figurës së njohur botërore Frédéric Chopin, si një prej emrave më unifikues në historinë e pianizmit botëror, është më shumë se një seri koncertesh. Si i tillë mbështet talentët e rinj, promovon trashëgiminë muzikore, dokumenton krijimtarinë dhe nxit diplomacinë përmes artit.

“Chopin Fest në Kosovë është tashmë një traditë e konsoliduar. Ajo pasqyron hapjen tonë ndaj botës, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi. Edhe këtë vit, programi i festivalit është i pasur dhe mbresëlënës, me artistë nga Polonia, Franca, Hungaria, Ukraina, Austria, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Kuba, Suedia, dhe natyrisht, Kosova. Kjo është një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendit që Kosova po fiton në hartën kulturore globale”, tha kryeministri Kurti.

Ndër të tjera ai shtoi se si Qeveri e Republikës dhe përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, riafirmojmë përkushtimin tonë për të mbështetur sektorin e pavarur kulturor dhe për të krijuar kushte të reja zhvillimi për festivalet që janë pasuri kombëtare.

“Faleminderit të gjithë artistëve që do të performojnë, institucioneve që mbështesin, dhe mbi të gjitha publikut që e bën këtë ngjarje kaq të gjallë. Dhe një falënderim i veçantë për organizatorët: ju nuk krijoni vetëm muzikë të bukur, por edhe një shoqëri më harmonike dhe një progres më ritmik”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara pianiste, znj. Maria Gabrys-Heyke, pianiste nga Polonia,
Shkëlqesia Juaj, Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Aivo Orav,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Republikën e Kosovës,
E nderuara znj. Agnieszka Kowalska dhe delegacioni nga Polonia,
E nderuara Lejla Haxhiu Pula, drejtore artistike e Chopin Piano Fest dhe e nderuara Besa Luzha, drejtore organizative e Chopin Piano Fest,
Të nderuar drejtues të institucioneve të artit dhe të kulturës së vendit tonë,
Të nderuar ministra të Qeverisë dhe deputetë të Kuvendit,
Të nderuar pianistë të rinj,
Të dashur artdashës,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Është nder për mua të jem sonte këtu me ju në hapjen e një prej ngjarjeve më domethënëse kulturore në vendin tonë—Chopin Fest—një festë e pianos, por edhe e bashkimit shoqëror, edukimit artistik dhe diplomacisë kulturore.

Emri i festivalit mban figurën e Frédéric Chopin, një prej emrave më unifikues në historinë e pianizmit botëror. Pianoja nuk është vetëm një instrument muzikor, ajo është një mjet fisnikërie, disipline e krijimtarie. Përmes tingujve të saj, ajo ka fuqinë të lidhë njerëzit, të shërojë ndarje dhe të ndërtojë ura midis kulturave dhe brezave.

Figura e Frédéric Chopin-it, mjeshtër i pianos dhe simbol i unitetit kulturor evropian, ka ndikuar thellësisht në arsimimin muzikor në botë dhe në Kosovë, ku muzika e tij është interpretuar, studiuar dhe përkujtuar përmes konkurseve e krijimeve të reja nga kompozitorët tanë.

Kjo lidhje thellohet nga tradita e pasur kulturore e Polonisë me figura si Ignacy Jan Paderewski, pianist, kompozitor dhe Kryeministër, si dhe Witold Lutosławski dhe Krzysztof Penderecki, që e kanë ngritur muzikën polake në arenën botërore dhe kanë forcuar ndërlidhjet kulturore me vende si Kosova.

Chopin Fest në Kosovë është tashmë një traditë e konsoliduar. Ajo pasqyron hapjen tonë ndaj botës, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi. Edhe këtë vit, programi i festivalit është i pasur dhe mbresëlënës, me artistë nga Polonia, Franca, Hungaria, Ukraina, Austria, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Kuba, Suedia, dhe natyrisht, Kosova. Kjo është një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendit që Kosova po fiton në hartën kulturore globale.

Ky festival është më shumë se një seri koncertesh. Është një ekosistem i gjallë kulturor, që mbështet talentët e rinj, promovon trashëgiminë muzikore, dokumenton krijimtarinë dhe nxit diplomacinë përmes artit. Ai lidh skenën tonë të pavarur muzikore me struktura të ngjashme në rajon dhe në botë.

Dua të shpreh mirënjohje të veçantë për profesoreshat Lejla Pula dhe Besa Luzha, që me punë të palodhshme, bashkë me një ekip të përkushtuar dhe mbështetje vendore e ndërkombëtare, kanë ndërtuar një platformë që sot na përket të gjithë neve.
Në këtë vit të reformave ligjore në fushën e kulturës, ne si Qeveri e Republikës dhe përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, riafirmojmë përkushtimin tonë për të mbështetur sektorin e pavarur kulturor dhe për të krijuar kushte të reja zhvillimi për festivalet që janë pasuri kombëtare.

Faleminderit të gjithë artistëve që do të performojnë, institucioneve që mbështesin, dhe mbi të gjitha publikut që e bën këtë ngjarje kaq të gjallë. Dhe një falënderim i veçantë për organizatorët: ju nuk krijoni vetëm muzikë të bukur, por edhe një shoqëri më harmonike dhe një progres më ritmik.

Ju faleminderit.

Last modified: 8 Maj, 2025

Comments are closed.