Prishtinë, 16 prill 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë këtë mbrëmje në pritjen e organizuar nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë, me rastin e emërimit të drejtorit të ri ekzekutiv të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Besnik Vasolli.
Në fjalën e tij, kryeministri shprehu urimet ndaj z. Vasolli për detyrën e re, si dhe shprehu se “Gjermania ka qenë në veçanti, dhe vazhdon të jetë një nga partnerët, aleatët dhe miqtë tanë më të rëndësishëm. Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht se si është rritur bashkëpunimi ynë – nga ndërtimi i paqes dhe zhvillimi demokratik e deri tek formësimi i tanishëm i progresit ekonomik së bashku.”
Ai shtoi se Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, si platformë për biznes, shërben si urë lidhëse ndërmjet vendeve dhe kompanive tona, gjersa uroi z. Vasolli që nën udhëheqjen e tij të vazhdojë mbështetja për ndërmarrjet gjermane dhe ato kosovare, duke u ofruar atyre qasje në mundësitë në të dy tregjet, veçanërisht për të rinjtë e Kosovës.
“Me mbi gjysmë milion të rinj nga mosha 15 deri në 30 vjeç, Kosova është plot energji, kreativitet dhe potencial. Ky potencial rritet më së miri në një ekosistem të shëndetshëm: me institucione të forta, drejtësi dhe partneritete që janë ndërtuar mbi besimin reciprok dhe qëllimet e përbashkëta. Njëjtë si partneriteti ynë.” u shpreh kryeministri.
Në vijim kryeministri përmendi se Kosova është e para në rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor sipas Bankës Botërore, e para në përmirësimet në sundim të ligjit në rajon dhe e dyta në nivel global sipas World Justice Project, e dyta në Evropë dhe e treta globalisht për liritë civile sipas Freedom House dhe e para sa i përket demokracisë elektorale në Ballkanin Perëndimor sipas Institutit V-Dem.
“Z. Vasolli, roli juaj do të jetë kyç në sjelljen e bizneseve më pranë njëra-tjetrës, duke i ndihmuar ata të lundrojnë në të dy tregjet dhe duke treguar se Kosova është një vend ku idetë e mira dhe njerëzit e mirë bashkohen në një mjedis miqësor për investitorët.” përfundoi kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Ambasador Rohde,
I nderuar zoti Vasolli,
Të nderuar përfaqësues të qeverisë dhe opozitës,
Zonja dhe zotërinj,
Është një kënaqësi e vërtetë të jem me të gjithë ju këtu sonte. Fillimisht, urime z. Besnik Vasolli për rolin tuaj të ri si Drejtor Menaxhues i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare. Ju po merrni përgjegjësinë në një moment shumë dinamik – një kohë kur Kosova po ecën përpara, duke reformuar dhe thelluar lidhjet e saj me partnerët e saj evropianë.
Gjermania ka qenë në veçanti dhe vazhdon të jetë një nga partnerët, aleatët dhe miqtë tanë më të rëndësishëm. Ne e vlerësojmë me të vërtetë se si është rritur bashkëpunimi ynë – nga ndërtimi i paqes dhe zhvillimi demokratik deri në formimin e tanishëm të progresit ekonomik së bashku.
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, si platformë për biznes, shërben si urë lidhëse ndërmjet vendeve dhe kompanive tona. Uroj që ju, zoti Vasolli, nën udhëheqjen tuaj të vazhdoni të mbështesni ndërmarrjet gjermane dhe kosovare, duke u ofruar atyre qasje në mundësitë në të dy tregjet, veçanërisht për të rinjtë e Kosovës.
Me mbi gjysmë milioni të rinj nga mosha 15 deri në 30 vjeç, Kosova është plot energji, kreativitet dhe potencial. Ky potencial rritet më së miri në një ekosistem të shëndetshëm: me institucione të forta, drejtësi dhe partneritete që janë ndërtuar mbi besimin reciprok dhe qëllimet e përbashkëta. Ashtu si partneriteti që kemi.
Më lejoni të përmend disa nga përbërësit kryesorë të përparimit tonë në të ardhmen, të cilët janë mes nesh aktualisht. Kosova është e para në rritjen reale ekonomike në Ballkanin Perëndimor, 2023-2025, sipas Bankës Botërore, e para në përmirësimin e sundimit të ligjit në rajon dhe e dyta në nivel global sipas Projektit Botëror për Drejtësi. E dyta në Evropë dhe e treta globalisht për liritë civile sipas Freedom House dhe e para në demokracinë zgjedhore në Ballkanin Perëndimor sipas Institutit V-Dem.
Dhe klima e biznesit e ndërtuar për shkallë dhe shkathtësi është evidente në këta numra:
– 10% tatim mbi të ardhurat e korporatave
– 0% Taksë për dividentët, makineritë e importuara dhe eksportet
– Rreth 700 euro paga mesatare mujore – kosto shumë konkurruese e punës
– 15% e barrës totale tatimore (kundrejt 25% mesatares rajonale)
– 6% rritje mesatare e PBB-së gjatë 4 viteve të fundit
– Vëllimi i investimeve është 36% e PBB-së (përkundrejt 28% e mesatares rajonale)
– dhe padyshim qeveria pro-biznesit e angazhuar për tërheqjen e shërbimeve të investimeve të huaja direkte dhe BPO-së të orientuara drejt eksportit.
Për të mos harruar sistemin arsimor të dyfishtë gjithnjë në zgjerim, shumë premtues për të lidhur tregun e punës me arsimin profesional.
- Vasolli, roli juaj do të jetë kyç në afrimin e bizneseve, duke i ndihmuar ato të operojnë në të dy tregjet dhe duke treguar se Kosova është një vend ku idetë e mira dhe njerëzit e mirë bashkohen në një mjedis miqësor për investitorët. Jam i sigurt se Dhoma do të vazhdojë të lulëzojë me ju në krye. Dhe tashmë ju njoh përmes disa njerëzve me të cilët punoj ngushtë, Luan Dalipi, shef i kabinetit tim dhe Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit.
Le ta shfrytëzojmë këtë mbrëmje për të festuar atë që kemi ndërtuar deri më tani – me vështrim drejt së ardhmes për gjithçka që mund të arrijmë ende, së bashku. Prandaj, gëzuar për Besnikun, për Odën, për marrëdhëniet e shkëlqyera gjermano-kosovare dhe për të gjithë ju këtu sonte!
Last modified: 17 Prill, 2025