RTK: Sapo e nënshkruat Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e EFTA-s. Si e vlerëson nënshkrimin e një Marrëveshje të tillë, dhe si do të ndikojë në Kosovë?
Kryeministri Kurti: Republika e Kosovës porsa nënshkroi Marrëveshje me shtetet e EFTA-s, dhe kjo është një ditë historike shumë e gëzuar për shtetin tonë, për qytetarët tanë, e në veçanti për ndërmarrësit tanë të cilët do të eksportojnë. Shtetet e EFTA-s janë katër Islanda, Norvegjia, Zvicra edhe Lihtenshtajni. Kemi negociuar gjatë dhe në fund e kemi përmbyllur marrëveshjen të cilën e nënshkroi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari.
Ajo ka negociuar fort dhe mençur dhe ka arritur që të jemi vendi i vetëm i rajonit tonë që nënshkruan marrëveshje me shtetet EFTA e ku përfshihet jo vetëm tregtia e mallrave por edhe tregtia e shërbimeve.
Eksportet e Kosovës janë dyfishuar në këto katër vitet e fundit, andaj ne me këtë marrëveshje shohim shansë për rritje të mëtutjeshme të eksporteve të cilët siç dihet dominohen nga përpunimi i drurit e i metalit, pastaj nga tekstili e lëkura, pijet e ushqimi dhe sidomos nga sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit ku i kemi rreth 1500 kompani shumë të suksesshme në Kosovë. Mbi 80 për qind të produkteve të tyre janë për eksport dhe ata i kanë rreth 1500 inxhinierë të softuerit dhe zhvillues të cilët tashmë fitojnë treg të ri.
Unë e falënderoj ministren Rozeta Hajdari, falënderoj shtetet të cilat janë anëtare të EFTA-s, Sekretariatin e EFTA-s, të cilët e mbërrimë këtë ditë që në Davos, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror ta nënshkruajmë këtu në shtëpinë e Zvicrës këtë marrëveshje historike për ekonominë dhe tregtinë e shtetit tonë.
E prej “Shtëpisë së Zvicrës” tash do të vazhdojmë te “Shtëpia e Kosovës” me një ceremoni tjetër festive ku kemi ftuar shumë mysafirë që t’i bashkohen gëzimit tonë.
RTK: Si e vlerësoni në përgjithësi pjesëmarrjen dhe mbarëvajtjen në Forumin Ekonomik të Davosit, por edhe që për herë të parë pra Kosova ka një shtëpi të saj në të cilën prezantohet oferta e saj?
Kryeministri Kurti: Ishim një çik të stresuar sepse ne gjithmonë kemi marrë pjesë në ceremoni që e organizojnë shtetet e tjera në shtëpitë e tyre, është hera e parë që në Davos, Kosova e ka shtëpinë e vet dhe ka një numër gjigant të punëve teknike, logjistike, organizative, po edhe diplomatike që duhet të bëhen në mënyrë që kjo të jetë e suksesshme dhe kanë punuar me qindra njerëz për këtë ditë edhe nga sektori ynë privat por edhe nga Ministria e jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga Ambasada jonë këtu në Konfederatën Zvicerane që të organizojmë panele, takime dhe festa në “Shtëpinë e Kosovës”.
Gjatë qëndrimit tim unë kam pasur takim me Kryeministrin e Lituanisë dhe me një mori krerësh të shteteve qofshin presidentë ose kryeministra, nëpër organizime të ndryshme këtu. Natyrisht që kulmi i gjithë qëndrimit tonë këtu ishte pikërisht nënshkrimi i Marrëveshjes me shtetet EFTA që besoj se është edhe një hap i Kosovës drejt integrimeve të mëtutjeshme në kontinentin tonë.
Këto katër shtete nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, por janë në Evropë ashtu qysh është edhe Kosova e në muajt dhe vitet në vijim do të punojmë me gjithë çfarë dimë e mundemi që ndërmarrësve tanë t’ju hapim mundësi të reja për eksportet e produkteve të tyre për shkak se është e qartë Kosova më 1.6 milionë banorë dhe me 1 milion qytetarë të saj në diasporë ka nevojë për tregje të reja për eksportin që duhet të rritet dhe për deficitin tregtar i cili duhet të zvogëlohet.
RTK: Patët takime edhe me investitorë të ndryshëm brenda “Shtëpisë së Kosovës”. I ftuat për të investuar në Kosovë. Si shkuan këto takime dhe a pati feedback prej tyre?
Kryeministri Kurti: Patëm takime me investitorë të fushës së energjisë dhe jo vetëm. Po e theksoj energjinë meqenëse në vitin e kaluar kemi pasur një përmbyllje të suksesshme të ankandit publik për parkun solar në Kramovik të Rahovecit, ku një kompani zvicerano-gjermano-kosovare ka fituar në fund me transparencë të plotë në garë me konsorciume nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Egjipti e Turqia. Dhe tash i kemi gjithashtu edhe ankandin për parkun tjetër kësaj radhe të energjisë të prodhuar nga turbinat e erës gjithashtu 100 megavat dhe jemi të interesuar që sa më shumë konsorciume nga perëndimi demokratik të marrin pjesë në Kosovë.
Synimi ynë është që të kemi energji me çmime të përballueshme, energji me furnizim të qëndrueshëm dhe ngritje të cilësisë e të sasisë së fuqisë punëtore në Kosovë.
Investitorëve po ju tregojmë që në Kosovë nuk ka taksë doganore për makineri prodhimi, nuk ka taksë doganore për lëndën e parë, nuk ka taksë për dividenten e korporatave dhe gjithashtu nuk ka tatim as në eksporte paralelisht me faktin që fuqia punëtore është relativisht e lirë, qiratë e objekteve janë relativisht të lira dhe energjia elektrike është më e lira në Evropë vetëm 7.4 cent të euros për kilovat/orë, kurse energjia e rinisë sonë bashkë me talentin e saj dhe me të qenit shumëgjuhësh është avantazh i madh për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të investojnë në Kosovë.
RTK: Kosova është në mesin e 25 shteteve, vetëm 25 shtete në botë që kanë shtëpi të tyre në Davos. A do të jetë për çdo vit një gjë e tillë?
Kryeministri Kurti: Synimi ynë është që “Shtëpia e Kosovës” të jetë në mes të janarit për çdo vit këtu në Davos dhe sa më shumë të kemi mysafirë e miq.
Last modified: 22 Janar, 2025