Prishtinë, 23 dhjetor 2009
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka shqyrtuar dhe miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorit propozuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Programi për mbrojtjen e konsumatorit është i një rëndësie të veçantë ngase përmes tij synohet avancimi i mbrojtjes së konsumatorit duke e shndërruar atë në një mbrojtje cilësore, të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse si dhe ka për qëllim krijimin e një ambienti të sigurt për konsumatorët për të gjitha produktet dhe artikujt që konsumojnë.
Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të siguruar dhe garantuar të drejtat e komuniteteve në përputhje me standardet ndërkombëtare që burojnë nga konventat ndërkombëtare. Për këtë qëllim Qeveria ka miratuar Planin e Veprimit për Zbatimin e Strategjisë së Republikës së Kosovës për Integrimin e Komuniteteve; rom, ashkali, egjiptian 2009-2015. “Partnerët ndërkombëtarë me ofrimin e komenteve dhe opinioneve të tyre kanë pasuruar këtë dokument”, theksoi zëvendëskryeministri Ramë Manaj.
Po sot nga Qeveria është miratuar edhe Strategjia e Punësimit në Kosovë për periudhën 2010-2012. Me këtë rast u tha se për këtë qëllim Qeveria e Kosovës kohë më parë kishte formuar një komision ndërministror dhe dy grupe teknike, një për përpilimin e strategjisë së punësimit dhe grupi tjetër që ka të bëjë me menaxhimin e financave publike.
Qeveria sot ka miratuar edhe dy projektligje : Projektligjin për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Projektligjin për Këshillin i Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës.
Përmes projektligjit për Administratën Shtetërore rregullohet forma dhe struktura e administratës shtetërore pa përfshirë këtu organet e pavarura. Ky projektligj nuk do të zbatohet për: Administratën e Kuvendit, për Administratën e Presidencës, për Administratën e Gjykatës Kushtetuese, për Administratën e Gjyqësorit dhe të Prokurorisë, për Administratën e Institucioneve të Pavarura të përcaktuara në Kapitullin XII të Kushtetutës, dhe as për Administratën e institucioneve publike të arsimit të lartë.
Duke e arsyetuar miratimin e Projektligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Projektligji u adresohet të gjithë nëpunësve civilë, të pakënaqur me vendimet e organeve të punësimit në të gjitha institucionet e Shërbimit Civil dhe të gjithë nëpunësve civilë të nivelit drejtues, nëse emërimi i tyre është bërë në përputhje me parimet e parashtruara në Ligjin për Shërbim Civil të Republikës së Kosovës.
Last modified: 23 Dhjetor, 2009