Prishtinë, 21 dhjetor 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot presidentin e Republikës së Sllovenisë, Danilo Turk.
Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për thellimin e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë dhe për mbështetjen e shtetit slloven dhënë Kosovës në procesin e integrimeve euro-atlantike.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi presidentin slloven për ndihmën e gjithanshme që Sllovenia po i jep Kosovës.
“Kosova dhe Sllovenia kanë një historik të suksesshëm të marrëdhenieve bilaterale. Raportet mes shteteve tona do të njohin vetëm përparim” – u shpreh kryeministri Thaçi.
Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që po i jep Republika e Sllovenisë, Republikës së Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike, kryeministri Thaçi theksoi se “Kosova është pjesë e pandarë e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne do të përmbushim të gjitha obligimet tona, në mënyrë që integrimi të jetë sa më i afërt“.
Kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit me presidentin slloven, Danilo Turk, u përqëndrua edhe në investimet sllovene në Kosovë. “Investitorët sllovenë kanë dhënë një shembull të mirë edhe për investitorët e vendeve tjera. Kosova është një vend i mundësive për investime dhe zhvillim, si në infrastrukturë, energjetike, turizëm dhe bujqësi. Investitorët sllovenë janë të mirëseradhur “- potencoi z.Thaçi.
Nga ana e tij, presidenti i Republikës së Sllovenisë, Danilo Turk përgëzoi kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova në këto dy vite të pas pavarësisë. Presidenti Danilo Turk siguroi kryeministrin Thaçi që Sllovenia do të vazhdojë të mbetet partnere dhe mbështetëse e Kosovës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Last modified: 21 Dhjetor, 2009