Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Sovrani ka vendosur – vullneti i qytetarëve është i padiskutueshëm, i pandryshueshëm dhe do të jetë i respektuar nga të gjithë

18 Dhjetor, 2009

Prishtinë, 18 dhjetor 2009

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me ambasadorin amerikan në Kosovë, Christopher Dell sot ka vizituar Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.

Kryeministri Thaçi fillimisht është pritur nga kryetarja e KQZ-së , znj. Nesrin Lushta dhe personeli udhëheqës i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Z. Thaçi më pas ka vizituar ambientet e kësaj qendre dhe është informuar lidhur me punën që po bëhet për përmbylljen e procesit të numërimit të votave nga zgjedhjet lokale .

Në një konferencë shtypi kryeministri Thaçi tha se Kosova shënoi një sukses të jashtëzakonshëm, duke arritur standardin më të lartë të organizimit të zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike, me një pjesëmarrje të lartë, me një pjesëmarrje edhe multietnike, që i kanë dhënë një vulë të fuqishme vullnetit të qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet lokale, për zgjedhjen e liderëve të rinj komunal.

Kryeministri Thaçi me këtë rast falënderoi qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, personalisht ambasadorin Dell, USAID-in, për mbështetjen e plotfuqishme, OSBE-në, vendet e Bashkimit Evropian, Brukselin për partneritetin dhe bashkëpunimin në Kosovë.

“Këto ishin zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur dhe arritëm standard të lartë demokratik. Është përmbyllur procesi i zgjedhjeve. Jemi në përmbyllje gjithashtu të procesit tjetër të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultatit zgjedhor, siç dihet në shumicën e komunave”, tha z. Thaçi, duke shtuar se ndodhet  këtu sot që të falënderoj kryetaren e KQZ-së, Nesrin Lushta, t’i jap mbështetje të plotë institucioneve të zgjedhura nga vetë ne si shtet i Kosovës, pra KQZ-në, KZAP-in.

Ata kanë bërë një punë tepër të mirë. E kanë pasur dhe do ta kenë mbështetjen e plotë në të gjitha angazhimet dhe vendimet e pavarura dhe shumë profesionale, të cilat i marrin – u shpreh kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në vazhdim ka pohuar se ndonjë lëshim i vogël që është evidentuar, nuk duhet të lejojmë që ta prish hijeshinë e madhe të suksesit të madh të shtetit të Kosovës.

Lëshimet e vogla ndodhin në çdo vend edhe më demokratik, prandaj ne po e zhvillojmë dhe ndërtojmë demokracinë dhe duhet të fokusohemi e koncentrohemi në angazhimet e implementimit të rezultatit zgjedhor – ka theksuar z.Thaçi.

“Sovrani ka folur, ka vendosur. Vullneti i qytetarëve është i padiskutueshëm, i pandryshueshëm dhe do të jetë i respektuar nga gjithë spektri politik dhe institucional. Pra duhet të respektohet në plotni Kushtetuta, ligjet e Kosovës, por edhe procesi demokratik.

Kam qenë dhe jam mbështetës i fuqishëm i këtij angazhimi, por edhe i këtij suksesi të përbashkët. Ky është sukses i të gjithëve, prandaj, dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve, edhe ju medieve, për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë për arritjen e këtij suksesi të shtetit dhe popullit të Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtar”, u shpreh kryeministri Thaçi .
 

Last modified: 18 Dhjetor, 2009

Comments are closed.