Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ne po ndërtojmë shtet demokratik, shumetnik dhe e ardhmja e Kosovës është e ardhme evropiane

10 Dhjetor, 2009

Prishtinë, 10 dhjetor 2009

Kryeministri Hashim Thaçi e ka hapur mbledhjen e rregullt të 98-të të kabinetit të ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës me vlerësimet pozitive për procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), që po zhvillohet në Hagë.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një rast i mirë që edhe njëherë në një forum të lartë ndërkombëtar të prezantohen para botës argumentet e shtetësisë së Kosovës, kauza e drejtë e qytetarëve të Kosovës dhe e drejta e pakontestueshme për shtet të pavarur, demokratik, sovran dhe të integruar gjithashtu në strukturat euroatlantike, pra për një shtet demokratik dhe multietnik”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se  GJND-ja do tu ndihmojë edhe shteteve që hezitojnë tash për tash që të njohin vullnetin legjitim të qytetarëve të Kosovës, që të ndodhin njohjet edhe më të shpejta dhe më të shumta.

Z. Thaçi më tutje ka pohuar se pavarësia e Kosovës ka sjell edhe qartësi, stabilitet, bashkëpunim rajonal, fqinjësi të mirë me gjithë rajonin tonë. “Ne po ndërtojmë shtetin demokratik, shumetnik. Shteti i Kosovës është një reflektim në interesin e gjithë njerëzve për  paqe dhe stabilitetit në rajon.  Presim që shteti i Kosovës në të ardhmen shumë të afërt të jetë pjesë e NATO-s dhe e BE. E ardhja e Kosovës është e ardhme evropiane”, theksoi Kryeministri duke falënderuar shtetet mike që konfirmuan  pavarësinë e Kosovës apo të drejtën tonë për pavarësi.

Një çështje tjetër që sot kryeministri Thaçi ngriti para kabinetit qeveritar ishte vendimi para një dite i Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili i ka dërguar si propozim Komisionit Evropian që qytetarët e Kosovës të mos anashkalohen nga procesi i liberalizimit të vizave me BE-në. “Ky vendim rikonfirmon faktin se Kosova ka të ardhme të sigurt në BE. Rekomandimi lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën është jashtëzakonisht prosperues. Ky ka një rëndësi të veçantë për lëvizje të lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë z. Thaçi.

Qeveria e Republikës së Kosovës falënderon Këshillin e Evropës që e çmon punën e qeverisë dhe të gjitha institucionet e Kosovës në menaxhimin e stabilitetit të Kosovës dhe realizimin e objektivave e kritereve demokratike në Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar shumë të suksesshëm edhe raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin lokal në Kosovë. Kryeministri edhe një herë ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje dhe u ka bërë ftesë qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhje  dhe të votojnë për të ardhmen e tyre. “Dua të besoj  në suksesin e plotë që shteti ynë, Kosova, do të arrijë edhe më 13 dhjetor”, ka thënë z. Thaçi.

Qeveria sot ka miratuar Planin e Veprimit për Reformën në Menaxhimin e Financave Publike, propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave. 

Në bazë të vlerësimeve të Shpenzimeve Publike dhe Llogaridhënies Financiare gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 është thelluar një analizë në identifikimin e drejtimit të reformave në Menaxhimin e Financave Publike.  Sipas ministrit Ahmet Shala janë identifikuar përparësitë në fushën e auditimit dhe kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm ku procesi është vendosur dhe është duke u bërë ndërtimi i kapaciteteve për zbatim efektiv të Financave Publike .

Po ashtu sot është miratuar nga Qeveria Projektligjit për Inspektoratin e Tregut dhe Mbikëqyrjen Inspektuese. Rezultatet e vrojtimit kanë nxjerrë në pah shumë mangësi në legjislacionit ekzistues për  Inspektoratin e Tregut.

Me këto ndryshime të ligjit ekzistues eliminohet ekonomia informale, parandalohen praktikat mashtruese tregtare, nxitet konkurrenca e drejtë, si dhe mbrohet e drejta e konsumatorit.

Last modified: 10 Dhjetor, 2009

Comments are closed.