Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Komitetit për Privatizimin e rrjetit të distribuimit dhe atij të shitjes në KEK
Prishtinë, 7 dhjetor 2009
Kam kënaqësinë të shoh sot këtu shumë partnerë dhe miq të Kosovës – në momentin kur po nisim formalisht procesin e privatizimit të rrjetit të shpërndarjes dhe shitjes në KEK.
Sot dëshmohet edhe një herë përkushtimi i palëkundur i Qeverisë ndaj pjesëmarrjes së sektorit privat në sektorin e energjisë dhe demonstrohet përkrahja e vazhdueshme e saj për një privatizim të suksesshëm të Shpërndarjes dhe Shitjes në KEK.
Qëllimi ynë është që të sigurojmë furnizim me energji elektrike, që është një ndër parakushtet kryesore të zhvillimit ekonomik.
Bashkë me partnerët tanë në komunitetin e donatorëve ndërkombëtarë, kemi arritur progres të dukshëm në krijimin e kornizës ligjore dhe rregullatore.
Ne besojmë se investuesit në sektorin e energjisë dhe në sektorët tjerë do ta shohin si të favorshme për të inveshtuar në Kosovë.
Megjithatë, ne do të vazhdojmë t’i inkurajojmë dhe informojmë investuesit potencial për mënyrat për përmirësim të mjedisit për investime.
Të tri ligjet e energjisë që janë miratuar në të kaluarën janë duke u rishikuar për të siguruar pajtueshmërinë me Direktivat e reja të Bashkimit Evropian dhe me iniciativat në sektorin e energjisë.
Sikur që e dini, Kosova është palë nënshkruese në Traktatin e Athinës që ka krijuar Komunitetin e Energjisë të Evropës Juglindore.
Ne jemi të bindur që do të ketë përfitime të mëdha për Kosovën nga lidhjet me vendet tjera fqinje për importin dhe eksportin e energjisë dhe të burimeve të tjera të energjisë sikur që është thëngjilli.
Projekti Kosova e Re do të sigurojë energji elektrike më se të mjaftueshme për Kosovën dhe do të ketë potencial të konsiderueshëm për ndërtimin e termocentraleve të tjera, që do të dizajnohen për eksportimin e energjisë tek fqinjët tanë, duke përdorur rezervat e mëdha të linjitit të cilat i posedon Kosova.
E dimë që investuesit duhet të nxjerrin fitime nga investimet e tyre dhe ne besojmë që kthimet potenciale në sektorin e energjisë mund të jenë atraktive për kompanitë që tanimë kanë shprehur interesimin e tyre në projektet e kaluara dhe ato të tashme.
Në anën tjetër, ne gjithashtu do të mbrojmë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe të sigurojmë që çmimet e energjisë të jenë të lira dhe të vazhdojnë të mbesin të tilla.
Duhet gjetur një ekuilibër ndërmjet këtyre interesave me rëndësi dhe ne presim nga këshilltarët tanë të transaksionit në të dy projektet që të sigurojnë arritjen e këtij ekuilibri – gjithmonë në të mirë të qytetarit të Kosovës.
Regjimi rregullator në Kosovë mund t’u garantojë investuesve një proces të drejtë, të hapur dhe transparent për hyrje në treg, dhe më pas për të gjitha operacionet dhe raportet ndërmjet kompanive të ndryshme në sektor.
KEK-u tanimë ka ecur përpara me procesin e shthurjes së bizneseve të tij në përputhje me kërkesat e BE-së, duke nisur me ndarjen e KOSTT-it, si operator i sistemit të transmisionit, pasuar nga themelimi i një kompanie për të marrë përsipër biznesin e shpërndarjes dhe shitjes, që do t’i nënshtrohet privatizimit.
Me hapjen e tregut të energjisë në aspekt të furnizimit për konsumatorët, të gjithë qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë në bazë të çmimeve konkurruese.
Në pritje të përfshirjes së sektorit privat në sektorin e energjisë në Kosovë dhe duke përkrahur këtë dhe iniciativat tjera të mëdha në sektor, Qeveria ka përkrahur reformat që janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me praktikat e mira.
Qeveria do të vazhdojë të punojë me partnerët tanë të shumtë në ndërtimin e institucioneve dhe të kornizave që mbështesin një mjedis të lirë, të hapur dhe transparent për biznese komerciale në Kosovë.
Jam i kënaqur që Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) është angazhuar si Këshilltar i Transaksionit për këtë projekt. IFC ka shërbyer me sukses si këshilltar i transaksionit për qeveri të ndryshme nëpër botë, dhe ka përvojë të gjerë në Evropën.
Gjithashtu jemi shumë mirënjohës për mbështjetjen shumë zemërgjerë të USAID-it, që ka siguruar një ekip të ekspertëve të transaksionit dhe të ekspertëve ligjor e financiar për të shtyrë përpara projektin dhe për të siguruar rezultatin më të mirë të mundshëm për popullin e Kosovës.
Pjesëmarrja e sektorit privat në rrjetin e shpërndarjes dhe të shitjes në KEK pritet të përmirësojë dhe të zgjerojë rrjetin e shpërndarjes, të shtojë faturimin dhe inkasimet, të zvogëlojë humbjet e energjisë, dhe të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe cilësinë e gjithëmbarshme të shërbimeve për konsumatorët.
Koha për veprim është tani. Ne duhet të punojmë shumë për të siguruar një rezultat solid për qyetarët e Kosovës, në një proces tërësisht transparent dhe të zhvilluar në përputhje me standardet më të larta. Sfida është reale por edhe mundësitë janë shumë të mëdha.
Ju faleminderit.
Last modified: 7 Dhjetor, 2009