Zyra e Kryeministrit

Republika e Kosovës e mbështetë vendimin e Presidentit amerikan Obama për hapat e mëtejmë në Afganistan dhe Pakistan

2 Dhjetor, 2009

Prishtinë,  2 dhjetor 2009

Duke vlerësuar lart angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global, populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës mbështesin vendimin e Presidentit Obama për dërgimin e forcave shtesë ushtarake e civile në Afganistan dhe Pakistan për të çrrënjosur dhe parandaluar rikthimin e Al Kaidës në këto vende në të ardhmen.

Kosova, si partnere e rëndësishme në kultivimin dhe ruajtjen e paqes në rajon dhe më gjerë, mbështet fuqishëm këtë vendim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkushtimi themelor i të cilave ka qenë dhe mbetet gjithnjë krijimi i një ambienti më të mirë dhe më të sigurt për popujt e botës.

Institucionet e Kosovës vlerësojnë se investimi që Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë bërë dhe po bëjnë në Afganistan dhe në Pakistan do t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit të këtyre vendeve dhe gjithë rajonit.

Jemi të bindur se ky mision do t’u ndihmojë edhe më tej autoriteteve të Afganistanit dhe Pakistanit që në një periudhë jo të gjatë kohore ta menaxhojnë vetë sigurinë dhe stabilitetin në këto dy vende e në rajon dhe kësisoj t’i realizojnë përpjekjet për t’i konsoliduar institucionet vendëse dhe për të siguruar paqen e qëndrueshme dhe prosperitetin e përgjithshëm të tyre.

Last modified: 2 Dhjetor, 2009

Comments are closed.