Prishtinë, 1 dhjetor 2009
Fjala e plotë e kryeministrit Hashim Thaçi në mbledhjen e 96-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që është mbajtur sot
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra, kabinet qeveritar,
Më lejoni të hap këtë mbledhje të radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me një pikë të vetme të rendit të ditës, të propozuar para jush, që i kushtohet qëndrimit dhe mbështetjes së plotë të Kosovës për procesin në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, si dhe çështje tjera në të ndryshme.
Kjo është mbledhje e veçantë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që i kushtohet qëndrimit dhe mbështetjes së plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë.
Sot vendi ynë përballet me një proces, i cili zhvillohet nga organi më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare. Qeveria ka bërë përgatitje shumë serioze për një prezantim të denjë të shtetit tonë. Prandaj, ne duam të besojmë se të gjithë do të jenë të përgjegjshëm përballë kësaj sfide të Kosovës.
Sot edhe ne nga këtu, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës falënderojmë shtetet, që e mbështesin Kosovën në këtë gjykatë, gjithashtu edhe shtetet tjera që janë në proces të njohjes.
Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të punojnë fuqishëm për të respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës, pra ndërtimin e shtetit tonë demokratik dhe multietnik.
Institucionet e drejtësisë ndërkombëtare kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë besimin e plotë të institucioneve dhe popullit të Kosovës, dhe respektojmë plotësisht autoritetin e kësaj gjykate dhe të drejtën ndërkombëtare.
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,
Gjatë gjithë periudhës së angazhimeve dhe luftës sonë për pavarësi dhe pas luftës kemi bashkëpunuar dhe respektuar të gjitha normat dhe institucionet më të larta ndërkombëtare. Gjithë transicionin e kemi kaluar bashkërisht si Kosovës dhe bashkësi ndërkombëtare dhe suksesi është i përbashkët.
Pavarësia e Kosovës është shpallur pas një procesi të gjatë negociues mes autoriteteve kosovare, me ndërmjetësimin ndërkombëtar dhe refuzimin e këtij procesi nga autoritetet e Serbisë. Shteti i pavarur, sovran dhe demokratik i Kosovës është shpallur në mënyrë të koordinuar dhe duke respektuar plotësisht vullnetin e qytetarëve dhe drejtësinë ndërkombëtare, pasi që janë shterur të gjitha mundësitë e arritjes së një pajtueshmërie, në kuptimin e respektimit të vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Historia jonë politike e juridike tregon se të tjerët kanë bërë shkelje të normave ndërkombëtare në Kosovë, duke ardhur me dhunë e duke u larguar me dhunë e gjenocid.
Ne si Kosovë jemi pavarësuar pas shumë viteve të vuajtjeve, përpjekjeve, luftës, por edhe ndihmës nga bota demokratike që ka ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
Ne jemi shtet i pavarur, në përputhje me të gjitha normat vendore dhe ndërkombëtare dhe kështu do të funksionojmë për gjithmonë.
Ne si shtet i Kosovës do të vazhdojmë ndërtimin e institucioneve demokratike, konsolidimin e tyre, në mënyrë që të jemi anëtar i barabartë i botës demokratike dhe pjesë e BE dhe e NATO-s, dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tanimë Kosova si shtet është anëtar i Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar. Republika e Kosovës është njohur nga 63 shtete më me ndikim në botë dhe jemi duke pritur njohje të reja.
Vullnetin e qytetarëve tanë për pavarësi dhe vendimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga përfaqësuesit legjitimë të Kosovës e kanë pranuar të gjitha vendet fqinje, përpos hezitimit të Serbisë deri në shkallë refuzimi. Njohjet do të vazhdojnë.
Po ashtu, edhe anëtarësimi jonë në mekanizmat ndërkombëtarë është në rrugë të mbarë. Unë edhe dje kam zhvilluar bisedë telefonike me zotëri Solana dhe Kosovës i jepet përkrahje e plotë në perspektivën evropiane nga autoritetet unike dhe autoritetet e reja në Bruksel.
Prandaj, edhe ne si kabinet qeveritar duhet vetëm t’i rrisim angazhimet që i kemi në raport me agjendën numër një që kemi për t’u integruar sa më parë në gjithë mekanizmat euroatlantikë.
Ne besojmë se çështja e Gjykatës Ndërkombëtare për Kosovën do të përfundojë në favor të vendit tonë, ngase në favor tonin është e drejta, drejtësia dhe e vërteta. Kjo është përpjekje e Serbisë për të frenuar zhvillimin normal të vendit tonë, si shumë herë gjatë historisë, por e vërteta do të ngadhënjejë. E ftojmë botën demokratike që të vazhdojë ta mbështesë Republikën e Kosovës. Njëkohësisht, duke falënderuar të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, vazhdojmë që t’u bëjmë ftesë edhe vendeve tjera, që janë në proces të njohjes, ta njohin Republikën e Kosovës, në mënyrë që të krijohet edhe një rrethanë më lehtësuese për integrimin e Kosovës në gjithë mekanizmat ndërkombëtarë.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga 63 shtete dhe vazhdimi i njohjeve të reja që do të ndodhin, është mesazhi më i mirë për punën që është bërë në Kosovë, për suksesin që është arritur në Kosovë, por dua të theksoj se Republika e Kosovës, shteti i Kosovës ka sjellur më tepër siguri dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë. Ka sjellur një ambient, një klimë, një realitet demokratik dhe shumetnik, ka avancuar standardet demokratike, ka hapur perspektivë evropiane.
Pavarësia e Kosovës ka sjellur më tepër stabilitet dhe paqe në rajon. Asnjëherë rajoni nuk ka qenë më i qetë dhe i sigurt sesa nga koha e shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Edhe njëherë dëshiroj të shpreh bindjen e plotë se ky proces do të jetë i drejtë dhe Republika jonë do të merr përgjigjen që është në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, me vendimin për shpalljen e Kosovës shtet nga përfaqësuesit legjitimë të saj më 17 shkurt.
Drejtësia ndërkombëtare do ta vërtetojë se ne ishim në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, me të drejtën ndërkombëtare dhe vullnetin legjitim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Çështjen dhe të vërtetën e Kosovës do ta prezantojë ministri Hyseni me ekipin vendor dhe atë ndërkombëtar, një ekip ky i nivelit shumë të lartë profesional. Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet e standardit më të lartë të prezantimit të së vërtetës së saj dhe e vërteta do të ngadhënjejë.
Ne do të vazhdojmë të respektojmë dhe ndërtojmë shtetin e Kosovës në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Kosova ka të ardhme të sigurt euroatlantike, Kosova do të jetë pjesë e BE, e NATO-s dhe e gjithë mekanizmave relevantë ndërkombëtarë, si të gjitha shtete tjera të pavarura.
Në të njëjtën kohë ne do të vazhdojmë me reforma të cilat i kemi para nesh, reforma këto demokratike, edhe në politikë, që të arrijmë standardin politik në nivelin më të lartë të BE, nivelin më të lartë perëndimor, të vazhdojmë me reformat e thella me sistemin e legjislacionit, të drejtësisë, që të vazhdojmë që gjithë ky proces i legjislacionit të jetë plotësisht në përputhshmëri me standardet e BE. Por, do të vazhdojmë fuqishëm edhe me reformat e reja e të thella demokratike edhe në ekonomi.
Last modified: 1 Dhjetor, 2009