Zyra e Kryeministrit

Komunikatë e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur

24 Nëntor, 2023

Prekaz, 24 nëntor 2023

Gërmimet e realizuara brenda këtyre tri javëve, në lokacionin në Prekaz të Poshtëm, kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore (eshtrave) të disa viktimave, që potencialisht mund të jenë në Listën e Personave të Zhdukur.

Gërmimet në lokacionin në Prekaz të Poshtëm janë kryer në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Departamentit Special, pas shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha të dhënave dhe një sërë takimesh konsultative ndërinstitucionale mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, njësiteve të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it, bazuar edhe në rekomandimet e Raportit Analitik të përgatitur nga KNKK.

Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen për ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së. Sipas ekzaminimeve të para, mund të bëhet fjalë për së paku eshtrat e gjashtë (6) personave, por për të konfirmuar numrin dhe identitetin e individëve të zhvarrosur është i domosdoshëm përfundimi i të gjitha procedurave nga institucionet relevante, që do të pasohet me informim të familjarëve dhe publikut.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar angazhimin dhe punën, duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për t’i dhënë fund ankthit 24 vjeçar të pritjes së familjarëve për të ditur vendndodhjen e më të dashurve të tyre.​

Last modified: 24 Nëntor, 2023

Comments are closed.

×