Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi: Ju jeni punëtorët më të mëdhenj të Republikës së Kosovës dhe ju prodhoni rrushin që është krenaria e këtij vendi

12 Nëntor, 2010

Prishtinë, 12 nëntor 2010

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi i shoqëruar nga ministri  Fatmir Limaj, zëvendësministri Idriz Vehapi dhe deputetët, Rexhep Hoti e Nait Hasani, ka takuar sot përfaqësuesit e Shoqatës së Vreshtarëve të Komunës së Rahovecit.

Zëvendëskryeministri Kuçi me këtë rast ka biseduar me vreshtarët lidhur me ecurinë e kompensimit të premtuar nga Qeveria e Kosovës për prodhimin e rrushit gjatë këtij viti.

“Ju jeni punëtorët më të mëdhenj të Republikës së Kosovës dhe ju prodhoni rrushin që është krenaria e këtij vendi”, theksoi z. Kuçi duke u premtuar vreshtarëve të Rahovecit se gjithmonë vreshtarët e Rahovecit  dhe puna e tyre do të çmohet.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Qeveria e Kosovës ka mbajtur premtimin. Deri tash janë bërë pagesat për 480 bujq  dhe   pjesa tjetër do të bëhet javën që vjen.

Ndërkaq kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të Rahovecit, Labinot Shulina ka falënderuar zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për premtimin e mbajtur ndaj vreshtarëve dhe u shpreh shumë i kënaqur që të gjithë bujqit janë kompensuar  me nga 1 mijë euro për çdo hektar të vreshtave me rrush.   

Last modified: 12 Nëntor, 2010

Comments are closed.