Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës

1 Gusht, 2023

Prishtinë, 1 gusht 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, të organizuar nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.

Në këtë event, kryeministri Kurti tha se diaspora jonë nga Zvicra ka sjellë në vend një hov ekonomik dhe perspektivë të re. “Kosova është me fat jo vetëm që ka Zvicrën si shembull se çfarë mund të arrijë një shtet, por edhe të krijojë lidhje të thella me atë vend. Zvicra ka luajtur një rol vendimtar në rrugëtimin tonë. Së pari, ka hapur dyert dhe ka ofruar mundësi për ata që ikën nga një prej krimeve më të këqija që njerëzimi ka parë. Mbi çerek milion qytetarë zviceranë i kanë rrënjët në Kosovë”, vlerësoi kryeministri Kurti.

Me këtë rast, kryeministri përmendi dhe shembuj konkret të shqiptarëve të suksesshëm që jetojnë në Zvicër dhe rrugëtimit të tyre të jashtëzakonshëm profesional. “Suksesi i zviceranëve me origjinë kosovare nuk shfaqet vetëm në ndeshjet e futbollit, si në rastin e Xhakës dhe Shaqirit, por edhe në formën e drejtorit të klinikës për kirurgji të zemrës në Universitetin e Cyrihut – si në rastin e Omer Dzemali – dhe në vendet e këshillave kantonale – si në rastin e Ylfete Fanajt.” tha Kryeministri Kurti.

Duke përmendur zhvillimin ekonomik në Kosovë, ai shtoi se është bërë i mundur edhe falë ndihmës humanitare dhe ekonomike që ka dhënë Zvicra që nga viti 1990, e cila filloi si ndihmë humanitare dhe që tani është shndërruar në ndihmë zhvillimore, e cila shtrihet në fushat e infrastrukturës, arsimit, mbrojtjes së mjedisit, qeverisjes, kujdesit shëndetësor e shumë më tepër.

“Kjo mbështetje po intensifikohet me akordimin e 86 milionë frangave zvicerane për periudhën 2022-2025, ku menaxhimi i burimeve ujore përballë efekteve shkatërruese të ndryshimeve klimatike mbetet prioritet kryesor”, tha kryeministri.

Ai u shpreh i lumtur me forcimin e marrëdhënieve mes vendeve tona gjatë 15 viteve të fundit:

“Si qeveri, ne jemi plotësisht të përkushtuar për ta forcuar edhe më tej këtë bashkëpunim, veçanërisht në marrëdhëniet tona ekonomike, përmes marrëveshjes EFTA, investimeve direkte dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare. Zvicra mbetet një shembull kyç për ne – siç bën për pjesën tjetër të botës – të stabilitetit, prosperitetit, ekonomisë dinamike lokale, respektit për mjedisin dhe shoqërisë së lulëzuar e të larmishme që gëzon”, përfundoi kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj Thomas Kolly, Ambasador i Zvicrës në Kosovë,
Të nderuar ministra të Qeverisë,
Deputetë të Kuvendit,
Të nderuar ambasadorë, shefa të misioneve
Të Ngarkuarit me Punë dhe Përfaqësuesit e Ambasadave,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar mysafirë,

Jam i lumtur që jam bashkë me ju sot për të festuar 1 gushtin, ditën kombëtare të Zvicrës. 732 vjet më parë, kantonet Uri, Schwyz [Shvic] dhe Unterwalden nënshkruan Kartën Federale për t’u çliruar nga armiqtë e jashtëm. Që atëherë, kjo ditë ka shërbyer si shembull për botën se uniteti mund të kapërcejë kufijtë gjuhësorë dhe të tjerë, dhe se bashkëpunimi politik dhe qëndrueshmëria mund t’i rezistojnë provave të kohës dhe presionit të jashtëm.

Kosova është me fat jo vetëm që ka Zvicrën si shembull se çfarë mund të arrijë një vend, por edhe të krijojë lidhje të thella me atë vend. Zvicra ka luajtur një rol vendimtar në rrugëtimin tonë. Së pari, ka hapur dyert dhe ka ofruar mundësi për ata që ikin nga një prej krimeve më të këqija që njerëzimi ka parë. Mbi një çerek milion qytetarë zviceranë i kanë rrënjët në Kosovë.

Kjo diasporë jo vetëm që ka sjellë një hov ekonomik në vendin tonë, por ka ofruar edhe një perspektivë të formuar nga përvojat e tyre në shtëpinë e tyre të re. Afro 60 vjet më parë, në pranverën e vitit 1964, emigrantët e parë shqiptarë mbërritën në Zvicër. Ata shkuan të punonin në sektorin e bujqësisë, sepse aty kishte më shumë nevojë për ta ekonomia zvicerane. Shkrimtari zviceran Max Frisch – i cili në vitin 1933 bëri një turne nëpër Kosovë – tha se pas ardhjes së punëtorëve të parë të huaj në Zvicër, po e citoj, “ne kërkuam fuqi punëtore dhe erdhën njerëzit”. Megjithatë, pjesa më e madhe e migrimit ndodhi kur jetët dhe liritë e shqiptarëve etnikë u përballën me rreziqe ekzistenciale.

Zvicra i ka mundësuar komunitetit tonë të hapë rrugë të jashtëzakonshme profesionale përtej sektorëve në të cilët kanë punuar emigrantët tanë të parë. Suksesi i zviceranëve me origjinë shqiptare nuk shfaqet vetëm në ndeshjet e futbollit, si në rastin e Xhakës dhe Shaqirit, por edhe në formën e drejtorit të klinikës për kirurgji të zemrës në Universitetin e Cyrihut – si në rastin e Omer Dzemalit– dhe në vendet e këshillave kantonale – si në rastin e Ylfete Fanajt. Këto suksese shënohen gjithashtu në biznese të zhvilluara dhe qendra kulturore, duke e bërë të qartë se ata që ikin nga lufta dhe papërshtatshmëria kanë gjetur jo vetëm një shtëpi, por një vend ku ëndrrat e tyre kanë filluar të marrin hov.

Ndërkohë, këtu në Kosovë, përparimet ekonomike që shohim tani i detyrohen jo pak mbështetjes së patundur humanitare dhe ekonomike që ka dhënë Zvicra. Ajo që filloi si ndihmë humanitare në vitet 1990 ka kaluar në ndihmë zhvillimore, e qeverisë që shtrihet në të gjithë fushat e infrastrukturës, arsimit, mbrojtjes së mjedisit, kujdesit shëndetësor dhe më shumë. Në këtë proces, janë ndërtuar rrugë dhe ura, fermerët kanë marrë trajnime profesionale që u mundëson atyre të zhvillojnë bizneset e tyre të vogla në mënyrë të qëndrueshme dhe 600,000 qytetarë në zonat rurale kanë qenë në gjendje të kenë qasje në ujë të pijshëm dhe të pastër.

Kjo mbështetje po intensifikohet me ndarjen e 86 milionë frangave zvicerane për periudhën 2022-2025, ku menaxhimi i burimeve ujore përballë efekteve shkatërruese të ndryshimeve klimatike mbetet prioritet kryesor.

Përmes kësaj ndihme, Kosova ka kaluar nga një përfituese e ndihmës në një partner tregtar të mirëfilltë. Zvicra është partneri i tretë më i madh i Kosovës për bashkëpunim bilateral dhe është bërë destinacioni kryesor i eksportit për shërbimet kosovare në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe shërbimeve të tjera të kontraktimit të biznesit. Vendi ynë është bërë gjithashtu një destinacion i rëndësishëm dhe në rritje për disa kompani rekrutimi zvicerane.

Për më tepër, tradita e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe kultura pjesëmarrëse e Zvicrës demonstrojnë në mënyrë unike mundësitë e demokracisë. Si askund tjetër, zviceranët përdorin në mënyrë aktive të drejtën e tyre për të ndikuar në politikën e jetës së përditshme.

Është e natyrshme që qytetarët tanë, kryesisht në këto muaj të nxehtë vere, të kenë mundësi t’u bëjnë mirëseardhjen e ngrohtë miqve tanë nga Zvicra. Përveç diasporës sonë, një numër i mirë turistësh vijnë për të shijuar thesaret kulturore dhe bukuritë natyrore të vendit tonë – të Kosovës, kantonit të 27-të, siç priren të na quajnë me ironi të rëndë mediat zvicerane.

Zonja dhe zotërinj,

Zvicra ishte vendi i parë që përmes ministres së Jashtme të atëhershme, Micheline Calmy Rey, deklaroi mbështetjen e saj për pavarësinë e Kosovës, madje para se ta shpallnim atë.

Me forcimin e marrëdhënieve tona gjatë 15 viteve të fundit, jam shumë i lumtur që dy vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera në të gjitha nivelet. Si qeveri, ne jemi plotësisht të përkushtuar për ta forcuar edhe më tej këtë bashkëpunim, veçanërisht në marrëdhëniet tona ekonomike, përmes marrëveshjes EFTA, investimeve direkte dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare.

Zvicra mbetet një shembull kyç për ne – ashtu siç është edhe për pjesën tjetër të botës – të stabilitetit, prosperitetit, ekonomisë dinamike lokale, respektit për mjedisin dhe shoqërisë së shëndetshme e të larmishme që gëzon.

Ne jemi të emocionuar që ajo që lindi nga bujaria e pamasë gjatë kohëve tona më të errëta, tani mund të zhvillohet në një epokë shumë më të ndritshme.

Gëzuar festën kombëtare! Danke! Merci! Grazie! Grazia!

 

Last modified: 3 Gusht, 2023

Comments are closed.