Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Epopeja e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 është historia moderne e lirisë sonë

5 Mars, 2010

Prishtinë, 5 mars 2010
 

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në manifestimin e organizuar me rastin e shënimit të 12 vjetorit të Epopesë së UÇK-së

I nderuar President Sejdiu,
I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Krasniqi
Të nderuara familje të dëshmorëve
E nderuara familje Jashari,

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është rezistenca më vigane, më origjinale dhe e papërsëritshme në historinë e çlirimit të një kombi.

Sakrifica e Komandantit legjendar Adem Jashari është akti sublimues i gjithë përpjekjeve dhe sakrificave shekullore për lirinë e Kosovës.

Është kryevepër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Epopeja e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 është historia moderne e lirisë sonë.

Zonja dhe zotërinj,

Dymbëdhjetë vjet pas Epopesë së Komandantit Legjendar Adem Jashari, Kosova ka hyrë në vitin e 11 të lirisë, në vitin e tretë të pavarësisë, gjithnjë e sigurt dhe e vendosur për të qenë pjesë e botës euroatlantike.

Pjesë e botës për të cilën ëndërruan ata që na sollën në ditët e sotme.

Çdo vit që kalon i thellon themelet e lirisë së Kosovës.

Rrit dhe zgjeron perspektivën euroatlantike të saj.

Çdo vit që kalon rrit madhështinë e sakrificës madhore për lirinë e vendit tonë, thellon peshën historike të kujtesës sonë rrit krenarinë e brezave tanë dhe të pasardhësve tanë.

Ata janë në themelet e ëndrrave tona. 

Në fytyrën e qeshur dhe të shëndetshme të fëmijëve tanë.

Në hapjen e një shkolle të re.

Janë në ëndrrat dhe lumturinë e të rinjve tanë.

Në mundin dhe djersën e punës së fermerëve, minatorëve, mjekëve, pedagogëve dhe inxhinierëve.

Jeni në nderin e ushtarëve dhe policëve.

Në krenarinë e fëmijëve dhe familjeve të dëshmorëve.

Janë në bujarinë e nënave, në rehatinë e veteranëve dhe  pensionistëve.

Janë në paragrafët e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në tingujt e himnit dhe në të gjitha themelet e institucioneve të shtetit të ri të Kosovës.

Ata janë në themelet e së shkuarës dhe në horizontet e ardhmërisë.

Prandaj Kosova, institucionet dhe qytetarët e saj përkulemi para tyre.

Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari!

Lavdi Dëshmorëve!

Last modified: 5 Mars, 2010

Comments are closed.