Prishtinë, 4 mars 2010
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramë Manaj në takimi i radhës të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur tha se qeveria do të sigurojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme, në mënyrë që të koordinohen të gjitha masat për ndriçimin e fatit të të pagjeturve.
Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet demokratike të shtetit tonë të ri, mbesin të përkushtuara në vazhdimësi dhe mbesin në obligimet e tyre për të mbështetur gjithë punën e bërë. Qeveria po ashtu mbështet Komisionin dhe gjithë akterët e tjerë të shoqërisë civile për zvogëlimin e kësaj fatkeqësie, së paku duke zvogëluar numrin e atyre që edhe pas 11 vitesh nuk dihet për fatin e tyre.
Zëvendës kryeministri Ramë Manaj ka vlerësuar përkushtimin dhe angazhimet e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur , të Shoqatave të familjarëve të të pagjeturve dhe të organizatave ndërkombëtare.
Duke folur për planin e punës për vitin 2010, z. Manaj ka thënë se në këtë plan të veprimit janë përcaktuar veprime dhe afate konkrete të angazhimeve për të bërë gjithë çka është e mundur, që fati i numrit të mbetur të personave të pagjetur të zbardhet sa më shpejtë që është e mundur .
Në takimin e sotëm të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur është miratuar plani i veprimit për vitin 2010 dhe po ashtu është kërkuar përshpejtimi i miratimit të ligjit për të pagjeturit.
Last modified: 4 Mars, 2010