Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në konferencën “Arsimi gjithëpërfshirës: Nga politika në praktikë”: Shkolla është domosdoshmëri për të gjithë, si mundësi për të gjithë

2 Mars, 2023

Prishtinë, 2 mars 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës dhe Zyra e BE-së, me titull “Arsimi gjithëpërfshirës: Nga politika në praktikë”.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se kur morëm qeverisjen e Republikës së Kosovës, gati para 2 vitesh, thamë se fokusi ynë ishte një shoqëri e drejtë për të gjithë. Pra, siç tha ai, synimet e këtij projekti Përfshirja për ngritjen e kapaciteteve për përfshirje në arsim janë shumë të rëndësishme për ne. Më e mira e shoqërisë së Kosovës duhet të pasqyrohet në shkollat tona dhe shkollat tona duhet të ofrojnë mundësi të drejta, tha ai.

Ai theksoi rritjen prej më shumë se 26% të buxhetit në arsim në dy vitet e fundit, vendimin për ta bërë arsimin e lartë publik falas dhe bursat që ka dhuruar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për studentë të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian si dëshmi të vëmendjes së qeverisë për arsimin, si një nga shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Kryeministri bëri të ditur se kanë trashëguar një situatë ku vetëm 59% e të rinjve romë, ashkali dhe egjiptianë përfundojnë arsimin e mesëm të ulët dhe trajtimi dhe adresimi i kësaj është një domosdoshmëri për të gjithë ne.

‘’Të dhënat e MICS nga intervistat me adoleshentët romë, ashkali dhe egjiptianë të moshës 15-19 vjeç, tregojnë se 13% e vajzave dhe 16% e djemve në këto komunitete janë ndjerë të diskriminuar. Në tërësinë e popullsisë, shifrat janë vetëm 2% e vajzave dhe 3% e djemve. Kjo është situata nga viti 2020 dhe në vitin 2023 dhe 2024 nuk duam që asnjë fëmijë në vendin tonë të ndihet i diskriminuar. Ne duam që të gjithë fëmijët tanë të jenë krenarë për atë që janë”, deklaroi kryeministri.

Dy nga pesë shtyllat e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali janë identifikuar të jenë edukimi dhe luftimi i diskriminimit, kurse Plani Strategjik për Edukimin identifikon përfshirjen e grupeve të cenueshme në edukim si një prej objektivave strategjike. Në këtë drejtim, kryeministri listoi nismat konkrete të cilat kanë për qëllim që strategjitë të përkthehen në realitet:

1. Mbështetja ndaj ekipeve të Parandalimit dhe Reagimit ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit në shkolla në të gjitha komunat;
2. Zgjerimi i mësimit në gjuhën rome në katër komuna;
3. Vazhdimi në baza vjetore i ndarjes së 500 bursave për nxënësit e shkollave të mesme nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian;
4. Mbështetja e Qendrave të Mësimit;
5. Ofrimi i pozitave të ndërmjetësimit në arsim në së paku shtatë komuna me përqendrim më të lartë të komuniteteve rom dhe ashkali, me qëllim reduktimin e braktisjes dhe mosregjistrimit në shkolla.

Nga përvoja, vazhdoi tutje ai, arsimi nuk është vetëm mision i shtetit për popullin e vet, por është edhe vendi ku fëmijët takohen për herë të parë me shtetin dhe ky takim, duhet të jetë një i tillë me mikpritje të ngrohtë, mbresëlënëse, që fëmijët nuk do ta harrojnë kurrë dhe që përcakton më vonë edhe profesionet që ata zgjedhin sikurse dhe kontributin dhe punën që bëjnë.

Kryeministri në këtë konferencë përshëndeti projektin Përfshirja për qasjen gjithëpërfshirëse që ka, duke përfshirë mentorimin dhe mësimdhënien për djemtë dhe vajzat romë, ashkali dhe egjiptianë, dhe trajtimin e qëndrimeve diskriminuese.

Fjala e plotë në gjuhën angleze e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

I nderuari Z. Soykan, Zëvendës Shef i Këshillit të Evropës në Prishtinë,
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci,
I nderuar zoti Stenbaek Madsen nga Zyra e BE-së në Kosovë,
I nderuar Z. Qiriazi nga Këshilli i Evropës,
I nderuar profesor Gollob nga Universiteti i Edukimit të Mësuesve të Cyrihut,
Të nderuar mësues nga Kosova dhe më gjerë,
E nderuara Shkëlqesia juaj, Ambasador i Finlandës në Republikën e Kosovës

Kur morëm qeverisjen e Republikës së Kosovës, gati para 2 vitesh, thamë se fokusi ynë ishte një shoqëri e drejtë për të gjithë. Kështu që synimet e projektit ‘Include’ për ngritjen e kapaciteteve për përfshirje në arsim janë shumë të afërta për ne. Më e mira e shoqërisë kosovare duhet të pasqyrohet në shkollat tona dhe shkollat tona duhet të ofrojnë mundësi të drejta. Për të gjithë. Nuk duhet të ketë rëndësi se sa të veçanta janë nevojat tuaja, apo nga cili grup etnik vini. Ne duam që çdo fëmijë të jetë në shkollë dhe të dijë se do të mbështetet atje, të mësojë, të përparojë dhe të zhvillojë aftësitë që do t’i nevojiten për të ardhmen e tij dhe të vendit tonë.

Prandaj është kënaqësi të jem me ju dhe të dëgjoj më shumë për punën që keni bërë dhe të diskutojmë se si mund ta bëjmë arsimin plotësisht gjithëpërfshirës.

Vitin 2022 e kemi emërtuar si Viti i personave me nevoja të veçanta në Kosovë dhe ka qenë privilegji im gjatë këtij viti që të takohem dhe bisedoj me fëmijët dhe të rriturit me nevoja të veçanta, me prindërit dhe kujdestarët e tyre. Për të kuptuar se sa potencial ka në këtë grup të qytetarëve të Kosovës. Kur mendoj për ëndrrat që dëgjova të artikuluara në një takim në zyrën time nga një djalë me autizëm, ose kur kujtoj vajzën e vogël duke më biseduar për gjithçka që ka mësuar në aktivitetet që ndjek për fëmijët me aftësi të kufizuara fizike, dijeni se këta janë nga të rinjtë tanë që kanë aq shumë për të kontribuar në shoqërinë tonë.

Po kështu, kam pasur rastin të takohem me të rinj frymëzues romë, ashkali dhe egjiptianë përmes serisë së tryezave të rrumbullakëta që kam mbajtur në zyrën time, gjatë vitit të kaluar, dhe vizitave që kam bërë për të parë projektet në veprim. Ishte një adoleshente në Prizren, e cila donte të tregonte poezinë që kishte mësuar në gjuhën e saj amtare, rome. Më kujtohet edhe grupi i ri i aktorëve të komunitetit të Fushë Kosovës që më ftuan në shfaqjen që kishin ideuar bashkë. Dhe aty ishte diskutimi që pata me studentët romë, ashkali dhe egjiptianë të cilët përfituan nga bursat që Ministria e Arsimit i ndau këtë vit për herë të parë, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Këto bursa ishin posaçërisht për studentët romë, ashkali dhe egjiptianë që studionin në universitetet publike për t’u diplomuar në lëndë si arsimi, në mënyrë që ata të bëheshin shembuj të dukshëm. Entuziazmi dhe përkushtimi për përparimin shoqëror që pashë mes këtyre të rinjve më frymëzon mua, dhe pa dyshim shumë të tjerë, për t’u siguruar atyre dhe të gjithë fëmijëve mbështetjen që u nevojitet.

Sepse siç e dimë sfidat janë të mëdha. Ne kemi trashëguar një situatë ku vetëm 59% e të rinjve romë, ashkali dhe egjiptianë përfundojnë arsimin e mesëm të ulët.

Të bësh diçka për këtë është një domosdoshmëri për të gjithë ne. Zgjidhjet nuk mund të jenë thjesht teknike. E përshëndes projektin Include për qasjen gjithëpërfshirëse që ka, duke përfshirë mentorimin dhe mësimdhënien për djemtë dhe vajzat romë, ashkali dhe egjiptianë, dhe trajtimin e qëndrimeve diskriminuese. Të dhënat e MICS nga intervistat me adoleshentët romë, ashkali dhe egjiptianë të moshës 15-19 vjeç tregojnë se 13% e vajzave dhe 16% e djemve në këto komunitete janë ndjerë të diskriminuar. Në të gjithë popullsinë e Kosovës, shifrat janë vetëm 2% e vajzave dhe 3% e djemve. Kjo është situata nga viti 2020 dhe në 2023 dhe 2024 nuk duam që asnjë fëmijë në vendin tonë të ndihet i diskriminuar. Ne dëshirojmë që fëmijët tanë të jenë të gjithë krenarë për atë që janë dhe kontributi i këtij projekti drejt këtij qëllimi është i mirëpritur.

Siç e dimë nga përvoja jonë, arsimi nuk është vetëm mision i shtetit për popullsinë e tij, por është edhe vendi ku fëmijët takohen për herë të parë me shtetin, dhe ky takim, duhet të jetë një mikpritje mbresëlënëse e ngrohtë që fëmijët nuk do ta harrojnë kurrë dhe e cila do t’i përcaktojë më vonë për profesionet që zgjedhin, kontributin dhe punën që do bëjnë.

Arsimi është shtylla kryesore, nga ana tjetër, për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Kjo është arsyeja pse ne kemi rritur buxhetin e arsimit për mbi 26% për dy vitet e fundit dhe e kemi bërë arsimin e lartë falas. Për diploma Bachelor dhe Master në universitetet tona nuk keni nevojë të paguani. Vetëm për doktoraturë duhet paguar, dhe kjo sërish nuk është aq shumë. E kemi identifikuar arsimin dhe trajtimin e diskriminimit si dy nga pesë shtyllat e Strategjisë sonë për avancimin e të drejtave të komunitetit rom dhe ashkali. Plani ynë Strategjik për Arsimin e identifikon përfshirjen e grupeve të cenueshme në arsim si një nga objektivat e tij strategjikë. Për t’i bërë këto strategji realitet ne kemi iniciativa konkrete ambicioze, si p.sh.:

•Së pari, mbështetja e ekipeve për parandalimin dhe reagimin e shkollave ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit në të gjitha komunat. Shkolla është një domosdoshmëri për të gjithë, si një mundësi për të gjithë;
•Së dyti, zgjerimi i mësimit në gjuhën rome në 4 komuna;
•Së treti, vazhdimi i ndarjes së 500 bursave në baza vjetore për nxënësit e komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali që ndjekin shkollën e mesme të lartë
•Së katërti, mbështetje për qendrat mësimore;
•dhe së pesti, ofrimi i pozitave të ndërmjetësimit në arsim në së paku 7 komuna me përqendrimin më të lartë të komuniteteve rom dhe ashkali për të reduktuar mosregjistrimin dhe braktisjen e shkollës.

Këto politika, plane dhe alokime buxhetore për ndryshime të dukshme tregojnë përkushtimin e qeverisë sonë ndaj vlerave të promovuara nga Këshilli i Evropës. Pasioni ynë për këto vlera është arsyeja që ne ndjejmë se i përkasim Këshillit të Evropës dhe e dimë se mund të përfitojmë dhe kontribuojmë më tej me anëtarësimin.

Do të vazhdoj të takohem me të rinj në mbarë Kosovën. Shpresoj të takohem sërish me djalin që jeton me autizëm, me atë vajzën që më tregoi nga karroca e saj për të mësuarit dhe arritjet e saj, me mësimdhënësit në trajnim nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian dhe me shumë të rinj të tjerë të cilët janë përkrahur nga sistemi ynë arsimor. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim ata që të jenë versioni më i mirë i vetvetes, në një Kosovë që është versioni më i mirë i vetvetes. Jam i lumtur që së bashku po kontribuojmë në këtë vizion.

Faleminderit shumë.

 

Last modified: 7 Mars, 2023

Comments are closed.

×