Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Japonia vend mik dhe partner i vërtetë i popullit tonë

22 Shkurt, 2023

 

Prishtinë, 22 shkurt 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Festën Kombëtare të Japonisë, me rastin e ditëlindjes së Madhërisë së Tij, Perandorit Naruhito, e cila u organizua nga Ambasada e Japonisë.

Më këtë rast, Kryeministri Kurti në fjalën e tij, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ka uruar ditëlindjen Madhërisë së Tij, Perandorit Naruhito, duke shtuar se ndihet i nderuar të festoi në këtë ditë të veçantë me kaq shumë miq të Japonisë dhe Kosovës në Prishtinë. Në të njëjtën kohë i uroi mirëseardhje shumë të ngrohtë ambasadorit Mizuuchi duke e përgëzuar për detyrën dhe përgjegjësitë e reja.

Kryeministri Kurti para të pranishmëve tha se këtë muaj festuam 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe së shpejti do të pasohet me 15-vjetorin e njohjes së Kosovës nga Japonia, më 18 mars. Ndërsa, vitin e ardhshëm do të shënojmë 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy kombeve tona.

“Japonia ka qenë një mik dhe partner i vërtetë për popullin tonë. Ishte vendi i parë në Azinë Lindore ku Republika e Kosovës hapi një ambasadë, gjë që tregon rëndësinë që i kemi kushtuar aleancës sonë që në fillim”, tha Kryeministri Kurti, teksa shtoi se jemi veçanërisht mirënjohës për vendimin e Japonisë për të hapur Ambasadën e saj në Prishtinë në vitin 2020.

Më tej, kryeministri Kurti tha se është me rëndësi të Kosova dhe Japonia të avancojnë partneritetin, veçanërisht në dy drejtime. Së pari drejtë shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit ekonomik. Ai potencoi faktin se falë punës së Qeverisë në dy vitet e fundit, Kosova tani ofron një klimë edhe më tërheqëse për investitorët japonezë se më parë. Së dyti, krahas marrëdhënieve ekonomike, kryeministri theksoi që është po aq e rëndësishme dy vendet tona të zhvillojnë aleancën si dy vende demokratike, të dyja përballë sfidës së regjimeve autokratike në rajonet tona përkatëse.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Japonia ndajnë shumë vlera të përbashkëta politike dhe kulturore.

“Ideja e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial – këto janë vlerat politike që na lidhin së bashku. Dhe ndjenja e komunitetit, respekti i lartë për institucionet shtetërore dhe përgjegjësia ndaj familjes, janë elementet që na bashkojnë kulturalisht me Japoninë”, tha ai.

Fjala e plotë në gjuhën angleze e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj Ambasador Mizuuchi,
Të nderuar deputetë,
Ministra të Qeverisë,
Zonja dhe Zotërinj,
Kombanwa

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju uroj shumë urime në vigjilje të ditëlindjes së Madhërisë së Tij, Perandorit Naruhito. Jam i nderuar që ta festoj atë ditë të veçantë me kaq shumë miq të Japonisë dhe Kosovës këtu në Prishtinë. Dëshiroj t’i shpreh një mirëseardhje shumë të ngrohtë ambasadorit Mizuuchi dhe ta përgëzoj për marrjen e detyrës zyrtare më herët sot.

Shtatorin e kaluar vizitova Japoninë për të marrë pjesë në funeralin shtetëror të ish-kryeministrit Shinzo Abe. Me kryeministrin Kishida ne ramë dakord të forcojmë më tej lidhjet tona dypalëshe duke zhvilluar trashëgiminë diplomatike të trashëguar nga Kryeministri Abe. Kryeparlamentari Hosoda më njoftoi se i ka vizituar refugjatët tanë në Maqedoni gjatë luftës në vitin 1999. Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që Japonia i dha popullit tonë gjatë asaj periudhe të errët.

Këtë muaj ne festojmë 15 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Së shpejti do të pasohet nga 15-vjetori i njohjes së Kosovës nga Japonia, më 18 mars. Dhe vitin e ardhshëm do të shënojmë 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy kombeve tona.

Japonia ka qenë një mik dhe partner i vërtetë për popullin tonë. Ishte vendi i parë në Azinë Lindore ku Republika e Kosovës hapi një ambasadë, gjë që tregon rëndësinë që i kemi kushtuar aleancës sonë që në fillim. Japonia ka luajtur gjithashtu një rol kyç në ndihmën për të çuar përpara progresin ekonomik dhe mjedisor të Kosovës, veçanërisht përmes Iniciativës për Bashkëpunim për Ballkanin Perëndimor të krijuar nga kryeministri Abe. Ne jemi veçanërisht mirënjohës për vendimin e Japonisë për të hapur Ambasadën e saj në Prishtinë në vitin 2020, e cila ofron një bazë edhe më të fortë për zhvillimin e marrëdhënieve tona.

Shkëlqesitë tuaja,
Zonja dhe zotërinj,

Ka dy drejtime në të cilat ne kërkojmë veçanërisht të avancojmë partneritetin tonë. Së pari, falë punës së Qeverisë sonë në dy vitet e fundit, Kosova tani ofron një klimë edhe më tërheqëse për investitorët japonezë se më parë. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm në vendosjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Si rezultat, Projekti Botëror i Drejtësisë e ka renditur vendin tonë të parin në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit dhe të dytin në të gjithë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar. Kosova ofron kështu një mjedis të sigurt ligjërisht për investitorët e huaj që kërkojnë të zgjerohen në Evropën Juglindore.

Krahas marrëdhënieve tona ekonomike, besoj se është po aq e rëndësishme të zhvillojmë aleancën tonë si dy vende demokratike, të dyja përballë sfidës së regjimeve autokratike në rajonet tona përkatëse. 24 shkurti, një ditë pas ditëlindjes së perandorit Naruhito, shënon një vjetorin e një ngjarjeje shumë më të zymtë: Pushtimi i pajustifikuar dhe i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë. Bota demokratike – tani më shumë se kurrë – duhet të flasë me një zë dhe të veprojë me qëllim të përbashkët. Ashtu si Japonia, Kosova është një partner i besueshëm dhe një aleat besnik i shteteve të tjera demokratike. Për shembull, ne ishim ndër të parët që iu bashkuam sanksioneve të SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar kundër Rusisë. Ne kemi siguruar strehim për 1893 refugjatë nga Afganistani dhe jemi gati të pranojmë deri në 5000 refugjatë nga Ukraina. Dhe përmes programit tonë Gazetarët në Rezidencë, ne kemi mirëpritur shtatëmbëdhjetë gazetarë në vendin tonë: dymbëdhjetë nga Ukraina dhe pesë nga Afganistani. Ata tani janë banorë të Prishtinës.

Të dashur miq,

Ne ndajmë shumë vlera të përbashkëta politike dhe kulturore me Japoninë. Ideja e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial – këto janë vlerat politike që na lidhin së bashku. Dhe ndjenja e komunitetit, respekti i lartë për institucionet shtetërore dhe përgjegjësia ndaj familjes, janë elementët që na bashkojnë kulturalisht me Japoninë.

Gjatë vizitës sime, isha dëshmitar i miqësisë së sinqertë dhe vullnetit të mirë që populli japonez shfaqi ndaj vendit tonë dhe qytetarëve tanë. Takova studentë nga Kosova që studionin arkitekturë dhe shkenca politike në universitete të klasit botëror. Kam folur me atletë të shquar nga vendi ynë, të cilët po kontribuojnë në komunitetin e gjallë sportiv të Japonisë. U takova me disa CEO të kompanive, si Mitsubishi, të cilët janë të interesuar të eksplorojnë mundësi investimi në ekonominë tonë në rritje. Dhe takova biznesmenë dhe gazetarë që shprehën dëshirën për të na vizituar.

Të gjithë këta njerëz të shquar, së bashku, përbëjnë një urë miqësie ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Le të zgjasë kjo urë miqësie edhe në të ardhmen. Dhe le të shërbejë si një monument i gjallë, në zhvillim dhe në zgjerim të vazhdueshëm për marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Faleminderit shumë!

Arigato Gozaimas!

Last modified: 27 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×