Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi potencon qëndrimin unik evropian në mbështetje të angazhimeve integruese të Qeverisë së Kosovës në veri

11 Shkurt, 2010

Prishtinë, 11 shkurt 2010

Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e kryeministrit Thaçi, pas takimit

Ishte kënaqësi të takohesha me zëvendëskryeministrin, njëherit ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, z. Asselborn.

Shteti i Kosovës dhe ai i Luksemburgut kanë ndërtuar raporte të shkëlqyeshme bashkëpunimi në të gjitha sferat, bashkëpunim ky, i cili vetëm sa do të avancohet.

E informova ministrin për angazhimet që kemi në thellimin e reformave demokratike në Republikën e Kosovës, me vizionin tonë të qartë që të jemi vend demokratik, shoqëri shumetnike.

Zgjedhjet e fundit lokale, ishin shembulli më i mirë i arritjes së një standardi të lartë demokratik, me një shumëpërfshirje, në kuptimin e participimit të qytetarëve në zgjedhje, por edhe gjithpërfshirjes etnike, formimi i komunave të reja, tashmë me liderë të rinj, legjitim.

Zotimet që i ka bërë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ndarjen e mjeteve konkrete që e ka bërë për rritjen e mirëqenies sociale të gjithë qytetarëve, edhe të komunitetit serbë në komunat përkatëse.

Gjithashtu, është edhe një qëndrim unik evropian në mbështetje të angazhimeve tona integruese edhe në veri, për sundimin e ligjit, për formimin e komunës së re, të organizimit të zgjedhjeve të reja në tri komunat përkatëse, për avancimin e  angazhimeve socio-ekonomike.

E informova ministrin se në kuadër të kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës, do të krijojë fondin të veçantë dhe natyrisht përkushtimi është që të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Është kjo një perspektivë e gjithë rajonit.

Kosova ka ndërtuar raporte shumë të mira bilaterale me të gjitha vendet e rajonit, shtetet fqinje, Malin e Zi, Maqedoninë dhe me Shqipërinë. Kosova është e gatshme të ndërtojë raporte të mira bashkëpunimi, të interesave të ndërsjella edhe me Serbinë, natyrisht si dy shtete të veçanta.

Falënderoj zëvendëskryeministrin, njëherit dhe ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, shtetin e tij, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, edhe në periudhën e luftës, edhe gjatë periudhës së tranzicionit demokratik, në procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohjes dhe tash, bashkëpunimi në rrafshin ekonomik.

Falënderoj autoritetet e Luksemburgut edhe për mbështetjen e plotë që kanë dhënë tash në fillimin e ndërtimit të dy shkollave të reja profesionale me vlerë 10 milionë euro në Prizren dhe Ferizaj.

Diaspora jonë në Luksemburg ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryejë obligimet e veta për riatdhesimin e qytetarëve, që të krijojë kushte sa më të mira për të gjithë ata që dëshirojnë të kthehen në Kosovë.

Last modified: 11 Shkurt, 2010

Comments are closed.