Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Pavarësia është e pakthyeshme

9 Shkurt, 2010

09 shkurt 2010

Në vazhdim po e japim të plotë intervistën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhënë gazetës “Die Presse”

„Die Presse“: Me 17 shkurt Kosova feston përvjetorin e dytë të pavarësisë. Në ç’masë ka përfituar vendi nga pavarësia?

Hashim Thaçi: 65 vende kanë njohur pavarësinë tonë. Jemi bërë anëtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me vendet e rajonit- tani për tani me përjashtim të Serbisë. Vitin e kaluar Komisioni i BE-së na ka ofruar perspektivën e anëtarësimit.

Por në Kosovë ka probleme të mëdha: papunësi të lartë, korrupsion, rroga të vogla për mjekët.

Thaçi: Është e natyrshme që pavarësia nuk ka krijuar mrekullira. Por këtë vit do të marrim vendime të rëndësishme, para së gjithash në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës. Do të privatizojmë Postën, Telekomin dhe Qendrat e Turizmit Dimëror. Ky proces do të sjellë investime të huaja dhe vende të reja pune.

Serbia ka kyçur Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në luftën kundër pavarësisë së Kosovës. Çfarë vendimi pritni nga Gjykata Ndërkombëtare?

Thaçi: Unë pres që Gjykata Ndërkombëtare të respektojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Pas vlerësimit ligjor të Gjykatës llogaris në valë të re të njohjeve të shtetit tonë.

Në anën tjetër Serbia shpreson që pas vendimit të Gjykatës të rifillojë negociatat rreth statusit të Kosovës.

Thaçi: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Qeveria e Serbisë ka mendim ndryshe rreth kësaj. Ministri i Jashtëm serb udhëton nëpër tërë botën dhe përpiqet të ndikojë tek shtetet për të mos njohur Kosovën.

Thaçi: Edhe ne kemi arritur suksese në lobimin tonë. Vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën janë duke e ndërruar mendjen, në mesin e tyre edhe shtetet skeptike të BE-së.

Ministri i Jashtëm i Austrisë Spindeleger do të qëndrojë të mërkurën në Beograd. Çfarë do të duhej t’i thoshte Qeverisë Serbe lidhur me Kosovën?

Thaçi: Është me rëndësi t’i thotë Beogradit se duhet të ndërpresë ushtrimin e ndikimit negativ dhe presionit te serbët e Kosovës. Po ashtu Beogradi duhet të ndalë përkrahjen e ekstremistëve të veçantë në veriun e Kosovës. Kosova dhe Serbia do të mund të jetonin mirë pranë njëra tjetrës si dy shtete fqinje të pavarura. Serbia duhet të mendojë për të ardhmen, për Bashkimin Evropian dhe jo të mendojë për të kaluarën – për Kosovën.

A prisni ju që, në vitet në vijim Qeveria e Serbisë të ndryshojë qëndrimin e saj rreth Kosovës?

Thaçi: Beogradi e di që Kosova është e pavarur, por druan ta thotë këtë publikisht meqë ka frikë nga reaksionet e popullit. Megjithatë, mendimi publik në Serbi rreth pavarësisë së Kosovës po fillon të ndryshohet

Rasti i Nazim Bllacës ka bërë bujë së fundi në Kosovë. Ai deklaroi se ka qenë pjesëtar i Shërbimit Sekret të UÇK-së dhe më vonë edhe i Shërbimit Sekret të partisë suaj. Poashtu deklaroi të ketë bërë atentate dhe krime tjera me urdhër të Shërbimit Inteligjent.

Thaçi: Kjo ishte një dramë e pavlerë e fushatës zgjedhore. Ishte pjesë e një fushate negative kundër partisë time para zgjedhjeve lokale. Por jam krenar, sepse përkundër kësaj, qytetarët masovikisht votuan për mua. Askush nuk u besoi gënjeshtrave që i përhapën kundërshtarët tanë politikë
 

Por, a nuk është duke u zhvilluar proces gjyqësor rreth këtij rast?

Thaçi: Dihet se personi i cili bëri këto deklarata ndodhet nën arrest. Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit-EULEX është duke u marrë me rastin.
 

Kur pritni që Kosovës t’i hiqen vizat për BE? A dështoi Kosova në implementimin e kritereve teknike?

Thaçi: Si u bë e mundur që BE t’i heq vizat për Serbinë, kur nëpër Beograd ende shëtisin kriminelët e luftës?

Ne do t’i implementojmë të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave. Nuk dëshiroj që Kosova të mbetet rob i procedurave burokratike. Çështja e liberalizimit të vizave duhet të shihet edhe nga këndvështrimi njerëzor, e jo vetëm si çështje politike apo teknike. Kosovarët janë evropianë.

Last modified: 9 Shkurt, 2010

Comments are closed.