Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi: Kosova në Vjenë është vlerësuar si storje e suksesit të plotë gjatë këtyre dy viteve

9 Shkurt, 2010

Prishtinë, 09 shkurt 2010

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë shtypi në Aeroportin e Prishtinës pas kthimit nga Vjena ka deklaruar se në takimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues ka prezantuar progresin e arritur në Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se në takimin Vjenës ka prezantuar të arriturat në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shtetit  të Kosovës, për organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve të para, të lira në Kosovën e pavarur. Zgjedhje këto të vlerësuar nga vendorët dhe ndërkombëtarët si zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, me standarde të larta perëndimore dhe me pjesëmarrje edhe të komunitetit serbë.

Z. Thaçi më tutja ka pohuar se ka siguruar  Grupin Ndërkombëtar Mbështetës për Republikën e Kosovës për vazhdimin e zbatimit të reformave demokratike në vend, të cilat do të qojnë komunitetin ndërkombëtarë në një vlerësim pozitiv në Raportin e ardhshëm të Progresit për Kosovën.

“Nga takimi i Vjenës morëm përkrahjen për hapat e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve ndërkombëtare për qasjen integruese në Veri , pra për sundimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë për organizimin e zgjedhjeve për tri komunat dhe zbatimin e planit socio-ekonomik për Veriun e Mitrovicës”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se është prezantuar edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës. “Kosova gjatë vitit 2009 ka shënuar një rritje ekonomike 4 për qind, ndërsa në vitin 2010 synimet janë që te kemi një trend të tillë të rritjes”, pohoi kryeministri Thaçi.

“Kam shprehur zotimin për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të hapjes së bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit si dhe gatishmërinë e Prishtinës, për vullnetin e mirë të bashkëpunimit për çështjet konkrete sipas vlerave evropiane edhe me shtetin e Serbisë”, ka thënë z. Thaçi  dhe ka shtuar se Kosova në Vjenë është vlerësuar si storje e suksesit të plotë gjatë këtyre dy viteve.  Në veçanti hapat e suksesshëm që janë bërë në këtë fillimvit akceptohen nga të gjithë edhe si mbështetje e fuqishme për perspektivën evropiane si dhe integrimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.  

Last modified: 9 Shkurt, 2010

Comments are closed.