Zyra e Kryeministrit

Mbahet mbledhja e 108 e Qeverisë së Republikës së Kosovës

4 Shkurt, 2010

Prishtinë, 04 shkurt 2010

 

Qeveria e Republikës së Kosovës sot filloi me një minutë heshtje në shenjë respekti dhe nderimi për nënkryetarin e LDK-së dhe kryetarin e Komunës së Istogut Fadil Feratin.

Në hapje kryeministri Hashim Thaçi njoftoi kabinetin e tij qeveritar se në fillim të javës së ardhshme si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës do ti drejtohet Grupit Drejtues Ndërkombëtar për të arriturat e Kosovës, si shtet i pavarur sovran me një shoqëri demokratike dhe shumë etnike.

Më tutje z. Thaçi tha se do ta informojë GDN për procesin elektoral me një standard shumë të lartë demokratik, suksesin në procesin e decentralizimit dhe zgjedhjen e liderëve të rinj edhe në 4 komunat e reja, përpjekjet tona për anëtarësim në BERZH, për zbatimin e kushtetutshmërisë dhe zbatimin e plotë të ligjeve në gjithë territorin e Kosovës.

Qeveria sot ka marrë vendim që të ndaj mjete për Fondin për punësim me Bankën Botërore. U tha se punësimi është një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili do të realizohet në vazhdimësi duke rritur numrin e të punësuarve në sektorin publik dhe atë privat, përmes programeve dhe trajnimeve të ndryshme për aftësimin për punë. Një program i tillë është edhe “Fondi për punësim i Bankës Botërore” i cili është i bashkërenduar me  Qeverinë e Republikës së Kosovës për rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik. Për këtë fond qeveria sot  ka marr vendim që të ndajë mjete në vlerë prej 8 milionë euro.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marr vendim për zotimin e 2.1 milion euro për komunat e reja të Graçanicës dhe Shtërpcës.  Këto projekte  do të jenë në funksion të përmirësimit të jetesës për të gjithë qytetarët pa dallim etnie, moshe apo religjioni. Qeveria edhe në të ardhmen do të vazhdojë t`i përkrah projektet të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve më të mira për jetë të qytetarëve tanë.

Qeveria është informuar nga ministri Arsim Bajrami lidhur me projektin ideor “Prokurimi Elektronik (E-prokurimi)“ i Ministrisë së Administratës Publike (MAP).  Sipas ministrit Bajrami,  prokurimi  elektronik  do të mundësoj qasje të integruar dhe koordinuar për të arritur pikat kryesore të prokurimit nëpër të gjitha organizatat e institucioneve qeveritare. Qëllimi  është krijimi i një infrastrukture të integruar të teknologjisë informative duke mundësuar dhënien e shërbimeve në tregun elektronik. Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar që ky projekt të përmbyllet sa më shpejt.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka aprovuar propozimin për emërimin e anëtarëve të Bordit për Rishqyrtimin e Ankesave. Propozimin e anëtarëve të Bordit për Rishqyrtimin e Ankesave e ka bërë ministria e Ekonomisë dhe Financave, duke u bazuar në  Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Ministrja Nekibe Kelmendi ka njoftuar kabinetin qeveritar për veprimet që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë lidhur me rastin e burgosjes së veteranit të luftës Muharrem Gashit nga autoritetet italiane në bazë të një fletë arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet jo legjitime serbe.

Qeveria ka marrë vendim që në emër të renovimit të shtëpisë ti ndaj 9. 500 euro  familjarit Naser Hajdari të cilit shtëpia i ishte djegur kohë më parë.

Last modified: 4 Shkurt, 2010

Comments are closed.