Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Zotimi dhe angazhimi që Qeveria ka bërë dhe po bënë në fushën e çështjes së komuniteteve – jashtëzakonisht i përgjegjshëm, serioz, i sinqertë dhe gjithëpërfshirës

3 Shkurt, 2010

Prishtinë, 3 shkurt 2010

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:

E nderuar znj. Plaks
I nderuar ambasador Dell,
I nderuar ministër Ferati
Kryetarë të komunave,
Të nderuar pjesëmarrës,

Fillimisht dëshiroj të falënderoj znj.Plaks për projektin për marrëdhënie etnike, të cilët kanë shërbyer me vite si urë lidhëse midis komuniteteve në Kosovë, duke mundësuar një dialog të hapur dhe të sinqertë.

Në veçanti jam i kënaqur që shoh këtu përfaqësues të komuniteteve, në veçanti të atij serb.

Me shumicën prej tyre jam takuar, i kam vizituar, kemi diskutuar për jetën e re. I kemi vizituar bashkërisht me ambasadorin Dell në lokalitete të caktuara edhe para zgjedhjeve dhe falënderoj shumë për pjesëmarrjen në jetën e re demokratike.

Është shumë inkurajuese për ne, por edhe për gjithë bashkësinë ndërkombëtare që zgjedhjet lokale ishin demokratike, gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrje shumetnike.

Më vjen mirë gjithashtu që shoh këtu kryetarë të komunave me shumicë serbe. Jam takuar me katër kryetarët e zgjedhur edhe bashkërisht, por edhe veç e veç. Ua kam shprehur mbështetjen time të plotë edhe personale, edhe si Qeveri e Republikës së Kosovës, për një bashkëpunim shumë të ngushtë, për realizimin e objektivave dhe projekteve të cilat janë të nevojshme për qytetarët në komunat përkatëse.

Qeveria e Kosovës dhe unë, tash kemi partnerë me mandat demokratik dhe legjitim për të implementuar projektet në të mirë të komuniteteve lokale.

Zgjedhja e përfaqësuesve legjitim në nivel lokal, është rruga më e mirë dhe e vetme për të ofruar pushtetin afër qytetarëve dhe të jetë plotësisht në shërbim të tyre.

Qeveria së bashku me partnerët ndërkombëtarë, do të jemi në mbështetje të forcimit të institucioneve të përfaqësuesve lokal të Kosovës. Do të jemi në mbështetje të realizimit të projekteve, me të cilat janë prezantuar. Jemi në fillim të angazhimeve konkrete për implementimin e këtyre projekteve, që ndërlidhen drejtpërdrejt në përkushtimet për një jetë më të sigurt dhe më të mirë për të gjitha komunitetet.

Procesi i decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në çështjen e të drejtave dhe zhvillimit të komuniteteve dhe për këtë arsye mbështetja për komunat e reja në projektet e tyre zhvillimore, do të jetë ndër prioritetet e para të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Zotimi dhe angazhimi që Qeveria ka bërë dhe po bënë në fushën e çështjes së komuniteteve, është jashtëzakonisht i përgjegjshëm, serioz, i sinqertë dhe gjithëpërfshirës.

Kushtetuta, legjislacioni dhe të gjitha strategjitë dhe programet tona, promovojnë frymën e tolerancës ndëretnike dhe ndër qytetare.

Zotimi ynë është që të ndërtojmë Kosovë demokratike, si atdhe i gjithë qytetarëve të saj.

Qeveria e Kosovës ka marr iniciativa të shumta për çështje të komuniteteve nëpërmjet ligjeve, institucioneve, strategjive e planeve të veprimit.

Janë krijuar institucione të reja me qëllim që të mbajnë çështjet e komuniteteve në nivel të lartë të agjendës së Qeverisë së Kosovës.

Për të qenë më afër komuniteteve dhe përkushtimit për zgjidhjen e problemeve, sidomos atij serb, që në fillim të mandatit tim si Kryeministër, kam vendosur që të themelojë pranë kabinetit tim një zyrë të veçantë për komunitete.

Zyra për Çështje të Komuniteteve me mbështetje edhe ndërkombëtare ndihmon në koordinimin e programeve të Qeverisë për komunitetet.

Me qëllim të vlerësimit të zbatimit të ligjeve dhe politikës, si pjesë fundamentale e Kushtetutës së Kosovës, Zyra ime, ministria e Pushtetit Lokal, ministria për Kthim, të gjitha institucionet përkatëse, kanë përfunduar një studim që ka të bëjë edhe me përfaqësimin efektiv të ët gjitha komuniteteve në institucionet dhe ndërmarrjet publike.

Jam plotësisht i bindur dhe pjesëmarrja e juaj, e komuniteteve dhe përfaqësuesve të tyre, është kruciale në zbatimin efikas të ligjeve dhe politikave që kanë të bëjnë me komunitetet.

Qeveria e Kosovës ka mbështetur një numër të madh të projekteve, të cilat përfshijnë banimin, infrastrukturën, arsimimin dhe promovimin kulturor të komuniteteve.

Qeveria e Kosovës ka pasur mirëkuptim për projektet e komunave, por edhe në të njëjtën kohë ka dalë me projekte të saj në shërbim të komuniteteve në të gjitha ato lokalitete, ku tanimë kemi përfaqësues legjitim de lider të zgjedhur.

Qeveria e Kosovës ka obliguar institucionet publike, të krijojnë strategjitë e tyre për të angazhuar komunitetet dhe të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve të tyre.

Në të ardhmen ne praktikojmë të bëjmë edhe më shumë.

Duke u përpjekur për një bashkëpunim më të madh, koordinim dhe angazhim të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe komuniteteve, ne mund të ndërtojmë një vend shumë më të zhvilluar për të gjithë ne.

Në kuadër të kësaj është edhe strategjia integruese për veriun, e cila është e përbashkët, e institucioneve të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare.

Kam kënaqësinë t’ju shoh të gjithëve këtu së bashku, që të kemi një diskutim të frytshëm për ndërmarrjen e hapave tjerë të rëndësishëm, së bashku me znj. Plaks, ambasadorin Dell, ministrat, të gjitha autoritetet që jemi këtu, vendore dhe ndërkombëtare.

Edhe një herë konfirmoj se Qeveria e Kosovës do të jetë në krye të obligimeve dhe përgjegjësive që ka në raport me komunitetet dhe gjithë qytetarët e Kosovës.

Faleminderit!

Last modified: 3 Shkurt, 2010

Comments are closed.