Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Mundësitë e barabarta për gratë dhe burrat, janë themelet e drejtësisë sociale

7 Nëntor, 2022

 

Prishtinë, 7 nëntor 2022

“Të drejtat, qasja e barabartë në burime financiare, shërbime dhe mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, janë themelet e drejtësisë sociale”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në publikimin e librit të përkthyer në gjuhën shqipe “Ekonomiksi Gjinor” të autores Joyce P. Jacobsen, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Kurti tha se përfshirja e grave me pjesëmarrje e përfaqësim, në hartim të politikave e vendimmarrje, i hap udhë progresit e transformimit të shoqërisë. Vetëm kështu mundësohet që gjysma e potencialit, aftësive dhe talentit të popullsisë të mos lihet anash.

Duke folur për masat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për mbështetje të grave dhe vajzave, kryeministri Kurti tha se përmes integrimit gjinor në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike janë dizajnuar masa specifike për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e qasjes së grave në shkollim dhe punësim.

“Kemi mbështetur punësimin e grave, masë kjo nga e cila kanë përfituar mbi 3,500 gra dhe 1,490 biznese. Kemi mbështetur bizneset që janë në pronësi të grave, me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro (491,988), kurse vlera e kreditimit të mundësuar tejkalon 3 milionë euro. Që nga fillimi i skemës së mbështetjes për nënat e reja, deri më tani kemi rreth 200 mijë përfituese nga Shtesat për Fëmijë dhe mbi 23 mijë përfituese nga Shtesat për Lehona. Po mbështesim financiarisht Strehimoret që në kuadër të tyre ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, në proces të mbrojtjes sociale dhe ri-integrimit të tyre. Për vitin akademik 2021/2022, kemi ndarë 1365 bursat për gra dhe vajza për studime në STEM. Kemi dhënë 13 bursa për studente me aftësi të kufizuara. Kemi përkrahur 10 vajza për bursë të doktoraturës. E në bujqësi, për vitin 2021 kemi ndarë subvencione për 1325 gra përfituese”, tha kryeministri Kurti.

Më pas, ai tha se nuk është i mjaftueshëm integrimi. Duhet çlirimi. Nuk është e mjaftueshme përfshirja. Duhet pjesëmarrja. Margjinalizimi, përjashtimi, çfarëdo lloj diskriminimi, është në thelb mungesë e lirisë. Nuk mund të jesh edhe i lirë edhe i margjinalizuar; edhe i lirë edhe i përjashtuar; edhe i lirë edhe i diskriminuar. Andaj, nevojitet çlirimi dhe për çlirim nevojitet solidariteti. Gratë dhe vajzat duhet të jenë solidare me njëra-tjetrën në përpjekjet dhe betejat e tyre të përbashkëta dhe burrat edhe djemtë duhet t’i ndihmojnë ato, tha kryeministri.

Në këtë promovim të këtij libri me 500 kopje, që pjesa më e madhe e tyre do të ngelen këtu në Fakultetin Ekonomik për nevojat e studentëve dhe studiuesve të Universitetit të Prishtinës, jam i lumtur që po marr pjesë, sepse unë jam i bindur, që edhe dija edhe studimi edhe emancipimi, vijnë nga leximi, vijnë edhe nga diskutimi, por vijnë sidomos nga leximi, tha Kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti:

Ju faleminderit znj.Gusia,
E nderuar znj. Joyce Jacobsen, autore e librit “Ekonomiksi Gjinor”,
I nderuar ambasador i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund,
E nderuara prodekane znj. Afërdita Berisha,
I nderuari dekan, z.Driton Balaj,
E nderuar znj. Rudina Nallbani, nga Friedrich Ebert Stiftung,
Të nderuar profesorë e studentë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Po takohemi sot, për ta promovuar librin e përkthyer në gjuhën shqipe “Ekonomiksi Gjinor”, të autores së mirënjohur Joyce P. Jacobsen.

Vendosja e studimeve gjinore në nivel të studimeve akademike, i paraprinë përgatitjes profesionale të hartuesve të ardhshëm të politikave, me konceptet e barazisë gjinore dhe integrimin gjinor në legjislacion dhe politika publike në fushën e ekonomisë.

Përfshirja e grave me pjesëmarrje e përfaqësim, në hartimin e politikave e në vendimmarrje, qasje në mundësi dhe shërbime, i hap udhë progresit e transformimit të shoqërisë sonë. Vetëm kështu mundësohet që gjysma e potencialit, aftësive dhe talentit të popullsisë, së paku gjysma të mos lihet anash.

Të drejtat, mundësitë, qasja e barabartë në burime financiare, shërbime dhe mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, janë themelet e drejtësisë sociale.

Nuk mund të kemi barazi shoqërore, pa barazi gjinore.

Gratë ndryshe nga burrat, pikënisjen e tyre qoftë të punësimit e qoftë të angazhimit publik nuk e kanë të njëjtë. Një grua ka dyfish vështirësi e barrë në angazhimin e saj publik për shoqëri. Ajo e lufton pabarazinë e përgjithshme në shoqëri e edhe atë gjinore. Përqindja (21%) e grave aktive në tregun e punës në Kosovë është jo vetëm e dëmshme për të ardhmen e tyre, por e dëmshme edhe për të ardhmen e vendit tonë. Andaj, me shpejtësi e sa më shumë duhet ta rritim atë. Fuqizimi i grave është vendimtar për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm.

Përmes integrimit gjinor në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike janë dizajnuar masa specifike për ta mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e qasjes së grave në shkollim edhe në punësim.

Kemi mbështetur punësimin e grave, masë kjo, nga e cila kanë përfituar 3,500 gra dhe 1,490 biznese.

Kemi mbështetur biznese, që janë në pronësi të grave, me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro apo saktësisht 492 mijë euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar tejkalon 3 milionë euro.

Që nga fillimi i skemës së mbështetjes për nënat e reja, deri më tani kemi rreth 200 mijë përfituese nga Shtesat për Fëmijë dhe mbi 23 mijë përfituese nga Shtesat për Lehona.

Po mbështesim financiarisht strehimoret, që në kuadër të tyre ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, në proces të mbrojtjes sociale për ri-integrimin e tyre.

Për vitin akademik 2021/2022, i kemi ndarë 1365 bursat për gra dhe vajza për studime në STEM. Kemi dhënë 13 bursa për studente me aftësi të kufizuara. Kemi përkrahur 10 vajza për bursë të doktoraturës. E në bujqësi, për vitin 2021, kemi ndarë subvencione për 1325 gra përfituese.

Barazia në mundësi mund të mos jetë e mjaftueshme për të riparuar shtypjen dhe disavantazhin historik të grave, prandaj është e nevojshme te ndërmarrim masa afirmative për ta luftuar diskriminimin ndaj grave. Po punojmë që të rrisim qasjen e grave në informacion, burime financiare, vendimmarrje, si dhe ndërgjegjësimin e tyre lidhur me pjesëmarrjen në jetën shoqërore, me qëllim që të arrijnë një nivel të caktuar kontrolli mbi mjedisin ku jetojnë.

E në këtë kuptim nuk është i mjaftueshëm integrimi. Duhet çlirimi. Nuk është e mjaftueshme përfshirja. Duhet pjesëmarrja. Se, ai që të integron edhe ai që të përfshinë, është më lartë se ti. Do të thotë, unë po të përfshijë ty. Unë po të integroj ty. Por, margjinalizimi, përjashtimi, çfarëdo lloj diskriminimi, është në thelb mungesë e lirisë.
Nuk mund të jesh edhe i lirë edhe i margjinalizuar; edhe i lirë edhe i përjashtuar; edhe i lirë edhe i diskriminuar. Andaj, nevojitet çlirimi dhe për çlirim nevojitet solidariteti. Gratë e vajzat duhet të jenë solidare me njëra-tjetrën në përpjekjet dhe betejat e tyre të përbashkëta dhe burrat edhe djemtë duhet t’i ndihmojnë ato.
Jetojmë në demokraci ku ka pluralizëm dhe do të ketë konkurrencë, por jo konkurrencë pa bashkëpunim, jo diversitet pa solidaritet. Edhe diversitet edhe solidaritet; edhe konkurrencë edhe bashkëpunim.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

si institucione të shtetit dhe si shoqëri civile duhet të bashkëpunojmë për krijimin dhe mirëmbajtjen e vatrave të solidaritetit gjinor.

Na duhet emancipimi shoqëror, që në spikamë ka vetëdijesimin dhe edukimin e burrave.

Sepse, ne vazhdimisht themi duhet të ketë edukim dhe emancipim për gratë, mirëpo shumë më i kollajshëm është emancipimi dhe edukimi për gratë, kur e kemi edhe emancipimin dhe edukimin e burrave. Edukimi i burrave ndihmon shumë. Prandaj, duhet bashkërisht t’i edukojmë burrat në mënyrë që të emancipohet shoqëria në përgjithësi dhe unë besoj që kjo është e mundshme, por duhet të jemi më aktivë, më komuni-aktivë, të komunikojmë me njëri-tjetrin, ta ndërtojmë këtë solidaritet dhe të tregojmë, që mund të jemi të ndryshëm, andaj edhe lulëzon diversiteti. Është pasuri e shoqërisë.
Mirëpo, të qenit të ndryshëm, nuk e pamundëson të qenit të barabartë. Nuk janë të barabartë vetëm ata që janë identik. Madje, pikërisht duke qenë të ndryshëm, ne mund, duhet dhe do të jemi të barabartë. Dikush është nga fshati, dikush nga qyteti; dikush është më i gjatë, dikush është më i shkurtë; dikush më i pasur, dikush më i varfër; dikush më i moshuar, dikush më i ri; dikush grua e dikush burrë. Pra, jemi të ndryshëm, mirëpo, të qenit të ndryshëm, nuk duhet të na pengojë që të jemi të barabartë. Madje, pikërisht duke qenë të ndryshëm, ne dëshmojmë që mund ta themelojmë, ta mirëmbajmë dhe ta avancojmë barazinë.

Shumë padrejtësi e shtypje që ndodhin në shoqërinë tonë janë pasojë e pasojave të pa trajtuara të luftës së fundit, që shprehen në forma të ndryshme në shoqërinë tonë.

Na duhet pra vetëdijesim i përgjithshëm dhe në këtë mënyrë si shoqëri njerëzore duhet të krijojmë barazi aty ku ka më së shumti pabarazi, sepse edhe pabarazia është e shkallëve të ndryshme. Ku janë nevojat më të mëdha, duhet të ndërhyjmë së pari dhe aty ku janë nevojat e mëdha, aty edhe ndrydhja e shtypja e pabarazia është e madhe dhe aty kërkohet ndërhyrja, e cila për bindjen time është e dyfishtë. Në njërën anë është përgjegjësia institucionale e në anën tjetër është vetëdija shoqërore, edhe si institucione të shtetit edhe si shoqëri e vendit tonë.

Në këtë promovim të këtij libri me 500 kopje, që pjesa më e madhe e tyre do të ngelen këtu në Fakultetin Ekonomik për nevojat e studentëve dhe studiuesve të Universitetit të Prishtinës, jam i lumtur që po marr pjesë, sepse unë jam i bindur, që edhe dija edhe studimi edhe emancipimi, vijnë nga leximi, vijnë edhe nga diskutimi, por vijnë sidomos nga leximi.
Nevojitet edhe lexim edhe diskutim. Ky diskutimi pa lexim, bëhet kakofoni polemikash, të cilat më shumë janë shpërqëndruese se sa shteruese. Por, edhe në anën tjetër, lexim pa diskutim, krijon studiues të izoluar, ku vlera shoqërore ngelet e mangët.

Andaj, e nderuara zonja Jacobsen, jemi shumë të lumtur që jemi sot këtu dhe jemi thellësisht mirënjohës për bujarinë tuaj dhe ofrimin pa pagesë të së drejtës autoriale për përkthim të librit në gjuhën shqipe, për Agjencinë për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Pra, po e bëjmë këtë diskutim, që ta bëjmë leximin e ta vazhdojmë diskutimin.

U jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre edhe Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar – SIDA, Friedrich Ebert Stiftung-ut dhe Universitetit të Prishtinës.

Ju falemnderit e lexim të këndshëm!

 

Last modified: 7 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×