Prishtinë, 28 janar 2010
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi priti sot ne një takim një delegacion të Këshillit të Evropës të udhëhequr nga shefi i Zyrës së KE në Prishtinë, Renzo Davidi.
Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës njoftuan z. Kuçi me obligimet që duhet përmbushur Kosova sa i përket liberalizimit të vizave. Përfaqësuesit e KE thanë se është arritur progres i ndjeshëm, megjithatë mbeten ende sfida me të cila Kosova duhet të ballafaqohet dhe ti zgjidhë ato. Ata pohuan se është vërejtur disponim i mirë dhe gatishmëri tek të gjithë faktorët relevant në Kosovë për të përmbushur këto kërkesa andaj kjo është që në start lajm i mirë. Një koordinim më i mirë ndër ministrorë, menaxhimi i integruar i kufijve si dhe disa çështje tjera janë kushtet kryesore për tu përmbushur.
Z. Kuçi edhe njëherë falënderoi për ndihmesën që po i jep KE, Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe konfirmoj edhe njëherë vullnetin politik për të përmbushur të gjitha detyrat që dalin përpara. Ai informoi bashkëbiseduesit me prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe veprimet drejt plotësimit të këtyre standardeve në fushën e sundimit të ligjit dhe në fushat tjera.
“Një Gjyqësor funksional i pavarur është prioritet për Qeverinë” tha zëvendëskryeministri Kuçi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës po angazhohet maksimalisht në këtë drejtim, gjithnjë duke ruajtur pavarësinë e organeve të drejtësisë.
Përfaqësuesit e KE janë zotuar se në muajt në vijim do të përcjellin për së afërmi punën e institucioneve të Kosovës me qëllim të krijimit të një pasqyroje të saktë rreth zhvillimeve në Kosovë sa i përket progresit në drejtim të liberalizimit të vizave.
Last modified: 28 Janar, 2010