Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti përkujton 24-vjetorin e Betejës së Kaqandollit

15 Shtator, 2022

Podujevë, 15 shtator 2022

Fjala e lexuar e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në shënim të përvjetorit të 24-të të Betejës së Kaqandollit:

I nderuar Kryetar i Komunës së Podujevës z. Shpejtim Bulliqi,

Të nderuara familje të dëshmorëve; veteranë të nderuar të luftës së UÇK-së nga Zona Operative e Llapit dhe nga Zona e Shalës; bashkëluftëtarë të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Ilir Konushevcit, qytetarë të dashur.

Është gjithmonë një përjetim më i gjallë, kur betejat luftarake të popullit tonë përkujtohen në vendin e tyre të ngjarjes. Në këtë përvjetor të 24-të të Betejës së Kaqandollit, duke u kthyer dhe tubuar në këtë vend, përveçse freskoni kujtimet, merrni edhe forcë e vullnet nga e kaluara jonë.

Sot është një ditë e kthjelltë dhe e nxehtë, por më 15 shtator 1998, mëngjesi e kishte çelur Kaqandollin nën mjegull. Nën një mjegull të dendur prapa së cilës ishin fshehur njësitë e ushtrisë së Serbisë, të paraprirë nga forca paraushtarake. Ata ia kishin mësyrë këtyre trevave të Llapit, në zbatim të një politike të diktatorit fashist Sllobodan Millosheviq, që kishte urdhëruar një fushatë ushtarake në Kosovë me qëllim të shpartallimit të plotë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, llogaritë e tij dolën të ishin të gabuara.

Teksa forcat serbe po përparonin nga Dobratini drejt Kaqandollit, ata u pikasën nga ushtarët e UÇK-së që po bënin roje. Në pikën e Kaqandollit, ishin jo më shumë se 24 ushtarë, të drejtuar nga Selim Haziri – Komandant Bekria. Në ora 06:00 të mëngjesit, për t’u mundësuar përparimin paramilitarëve, nisi granatimi nga 6 pozicione prej fshatrave Dobratin dhe Bajçinë. Granatimet vazhduan, deri në ora 11:00 të paradites, kur pasi u largua mjegulla, nisën granatimet masive të pozicioneve të UÇK-së.

Ushtari Sami Plakolli shkoi në Bajgorë të njoftonte shtabin e zonës, prej nga erdhi në ndihmë një njësi speciale. Sepse atë kohë, UÇK-ja në fshatrat e Llapit ishte në një fazë zgjerimi dhe strukturimi. Naser Hyseni – Doktori ishte në pikën e Potokut; Idriz Shabani – Luta, Komandant i Brigadës 151 “Zahir Pjaziti”, po zgjeronte shtrirjen e UÇK-së në Majac; Refik Jashari – Kika po ushtronte vullnetarët e rinj që sapo i ishin bashkuar UÇK-së, por që bashkë me Musa Jakupin – Llapin, erdhën në mbështetje të njësisë speciale të udhëhequr nga Avni Ajeti – Sokoli.

Arif Muqolli – Profa, Komandant i Brigadës 152 “Shaban Shala” do t’iu bashkohej gjithashtu, siç bëri edhe vetë komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi. Por në këtë kohë UÇK-ja nuk ishte ajo që do të bëhej më pas dhe në mungesë të linjave të rregullta të komunikimit dhe informacionit, lëvizjet ishin shumë të vështira dhe të kufizuara. Andaj në Betejën e Kaqandollit ishin vetëm disa dhjetëra ushtarë, përballë qindra pjesëtarëve serbë të mirëarmatosur. Mirëpo, përveç armëve të krahut dhe disa mitralozëve e gulinovëve, ushtarët e UÇK-së kishin të paktën edhe katër armë kalibri të madh: idealet e larta, trimërinë prej çlirimtarësh, vullnetin e fortë dhe mbështetjen e popullit që i kishte rritur. Andaj ashtu siç në njërën anë kishte pabarazi në armatime, në anën tjetër kishte pabarazi në motive dhe qëllime.
Një grup ushtarësh zbritën për të udhëzuar largimin e popullatës së zonës në drejtim të Bradashit, nga të cilët në kthim e sipër, u vranë ushtarët Islam Rekaliu dhe Selim Rekaliu nga Dobratini. Fare të rinjtë në moshë, Islami dhe Selimi u bënë dy dëshmorët e parë të Betejës së Kaqandollit. Ndërkohë u plagos dhe Hyzri Talla, i cili pas vetëm një muaji e gjysmë ra dëshmor në Prishtinë.

Atë ditë, ushtarëve të UÇK-së iu bashkua edhe një burrë i moshuar nga Burica, Plaku, që vetëm me një thikë në brez u fut në luftë duke thënë se nëse vritet dikush nga shokët, do të armatosej me pushkën e tij. Pasdite, nga granatimet dhe plumbat e snajperëve serbë, u vranë duke rënë dëshmorë edhe 5 ushtarë të tjerë të UÇK-së: Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Fadil Sejdiu, Habib Zeka dhe Nazmi Zhegrova. Këta 7 emra të përveçëm, dëshmorë të UÇK-së të rënë në Betejën e Kaqandollit, janë pjesa më kokëfortë e kujtesës sonë për luftën që na është dashur ta bëjmë për të jetuar të lirë deri sot.

Luftimet vazhduan edhe të nesërmen më 16 shtator 1998, kur serbët kishin depërtuar edhe nga ana e Bajgorës, derisa ushtarët gati të rrethuar të pikës së Kaqandollit, u tërhoqën pasdite nëpër Lupçe në drejtim të fshatrave Pollatë, Popovë e Majac. Atë pasdite, në pjesën e epërme të Kaqandollit, serbët humbën disa policë në përballje me një grup ushtarësh të UÇK-së, mes të cilëve edhe Bashkim Latifi, Isuf Latifi dhe Gazmend Sfishta, të cilët madje edhe u morën armët serbëve.

Humbjet jo të vogla që pësuan nga ushtarët e UÇK-së, serbët i përmbyllën duke vrarë dhe masakruar disa civilë të paarmatosur. U vra edhe Ramadan Behrami, shtëpia e të cilit kishte qenë strehë për ushtarët e UÇK-së. Kështu, si e para betejë frontale në Zonën e Llapit, Beteja e Kaqandollit e futi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Llap në një fazë të re, pas të cilës UÇK-ja jo vetëm që nuk u shpartallua, por u rrit dhe zgjerua duke u shtrirë në çdo fshat. Kaqandolli mbeti fshati që i ushqeu ushtarët e UÇK-së me radhë, shtëpi për shtëpi, me një solidaritet të atillë që edhe familjet më pak të kamura, u dhanë bukë çlirimtarëve të Kosovës.

Ushtarët e UÇK-së, u kanë nxjerrë hakun dëshmorëve të Betejës së Kaqandollit qysh gjatë betejës, por tani, të gjithë ata ushtarë që luftuan këtu dhe kudo në Zonën e Llapit dhe në të gjithë Kosovën, u kanë borxh shokëve të rënë, vetë idealeve për liri, mbesave e nipërve të tyre dhe të gjithë brezave të së ardhmes, që dëshmitë dhe rrëfimet e luftës, t’i shpërndajnë me historianët e rinj që do ta shkruajnë historinë e UÇK-së dhe të luftës së Kosovës. Sepse vetëm ju e dini rrjedhën e plotë dhe të vërtetë të ngjarjeve, luftimet e vështirësitë dhe sepse kështu, këto episode të Betejës së Kaqandollit që i shkoqita sot me ju, do të plotësohen për t’u përjetësuar në historinë moderne të Kosovës.

Lavdi dëshmorëve të Betejës së Kaqandollit dhe martirëve të rënë atyre ditëve në këto anë.
Paçim jetë t’i kujtojmë për veprat e lëna pas dhe paçim vullnet të ndjekim idealet e tyre.

Ju faleminderit!

Last modified: 15 Shtator, 2022

Comments are closed.