Prishtinë, 14 shtator 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot një delegacion nga Katari të kryesuar nga Ambasadori i Shtetit të Katarit, Ali bin Hamad Al Marri.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në vend. Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e interesuar që të rrisë bashkëpunimin tregtar me shtetin e Katarit dhe mirëpret investime të huaja. Ai e njoftoi ambasadorin Al Marri për treguesit ekonomikë, me theks te rritja ekonomike prej 10.53% dhe rritja e eksporteve prej 83% duke nënvizuar se Kosova synon të bëhet vend me ekonomi të orientuar kah eksporti. Me demokraci kualitative, sundim të ligjit, popullatë të re dhe fuqi punëtore të talentuar, kryeministri Kurti tha se Kosova është mundësi e mirë për investime të huaja.
Ambasadori Al Marri u shpreh se Republika e Kosovës është shumë e rëndësishme për Katarin, teksa nënvizoi faktin që vizita e parë e këtij delegacioni në rajon po zhvillohet në Kosovë. Me ambasadorin Al Marri, kryeministri Kurti foli edhe për Fondin Sovran që do ta themelojë Kosova. Shkas për këtë ishte fakti që edhe Katari ka një Fond Sovran. Ndërkaq Drejtori Rajonal i Zhvillimit të Biznesit për Evropën, Rusinë dhe Turqinë i shtetit të Katarit, Mubarak Abdulziz Al-Khulaifi, pjesë e delegacionit, tha se janë të interesuar për investime afatgjate.
Kryeministri Kurti ftoi delegacionin që t’i shqyrtojë mundësitë për investime në Kosovë dhe që së bashku të ndërtojmë një urë ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Last modified: 14 Shtator, 2022