Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi liderët e partive opozitare

30 Gusht, 2022

Prishtinë, 30 gusht 2022

Me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, u zhvillua takimi me liderët e partive opozitare parlamentare. Qëllimi i takimi ishte për t’i njoftuar liderët e opozitës dhe për të diskutuar me ta për takimin e 18 gushtit në Bruksel dhe detaje rreth dialogut.

Ftesës për takim u ishin përgjigjur pozitivisht dy nga tre liderët e opozitës, përkatësisht kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

Në deklarimin për media pas takimit, kryeministri Kurti u shpreh se është gatishmëri dhe interes i tij që sa më shumë t’i njoftojë edhe partitë politike, që nuk janë pjesë e Qeverisë, që të kuptojnë që Qeveria është edhe e përgjegjshme në dialog edhe llogaridhënëse në lidhje me dialogun.

Ai tha meqë Kuvendi i Republikës së Kosovës, është pushim deri në mesin e shtatorit, është parë si e rëndësishme që të ketë një takim në këtë kohë kur edhe është arritur dakordimi, që as në anën e kufirit të Serbisë as në atë të Kosovës të mos lëshohen më dokumente për hyrje-dalje.

Më tej shtoi se si Qeveri mbesim të përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo, e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Në takimin e sotëm tre liderët e partive opozitare, të Partisë Demokratikë të Kosovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, janë ftuar nga unë si Kryeministër i Republikës së Kosovës, që të vijnë në takim për t’u njoftuar dhe për të diskutuar për bisedimet në Bruksel. Dy nga tre liderët e kanë konfirmuar dhe erdhën në takim. Është gatishmëri dhe interes i imi, që sa më shumë t’i njoftojë edhe partitë politike, të cilat nuk janë në Qeveri, që të kuptojnë se Qeveria jonë është edhe e përgjegjshme në dialog edhe llogaridhënëse në lidhje me dialogun.

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ju e dini që kemi pauzë, kemi pushim deri kah mesi i shtatorit, andaj edhe kjo është arsyeja pse e konsideruam që është e një rëndësie të veçantë takimi i këtillë në fund të gushtit, kur është arritur dakordimi që as në anën e kufirit të Serbisë as në atë të Kosovës të mos ketë më aso dokumentesh hyrje-dalje.

Pavarësisht kësaj, pavarësisht edhe marrëveshjes për ata që janë zhdukur me dhunë, edhe për çështjen e energjisë në veri, ne ngelemi të përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo, e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke.

Pra, i diskutuam edhe detajet e dialogut, të cilin e zhvilluam dhe besoj që është një bashkëpunim i shtuar, që jep shpresë edhe për më shumë komunikim të ndërsjelltë ndërmjet mazhorancës apo Qeverisë dhe opozitës.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.

×