Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore, Hayrettin Demircan

30 Gusht, 2022

Prishtinë, 30 gusht 2022

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore, Hayrettin Demircan.

Në takim u bisedua mbi sfidat e tanishme, me fokus në inflacionin dhe krizën energjitike të prodhuar nga invazioni rus në Ukrainë, efektet e së cilës janë të prekshme në të gjithë kontinentin evropian, përfshirë dhe Kosovën. Palët diskutuan gjithashtu dhe mbi mundësitë eventuale në shërbim të thellimit të bashkëpunimit dhe rritjes së mbështetjes së Bankës Botërore ndaj projekteve dhe ideve konkrete për investime në Republikën e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi trendin pozitiv të vitit të kaluar, ku vendi ynë shënoi rritje dyshifrore ekonomike, teksa në krahasim me vitin e kaluar dhe ato pararendës, janë rritur të hyrat buxhetore, eksporti, formalizimi i ekonomisë si dhe investimet e huaja. Z. Demircan theksoi se është i impresionuar nga potenciali i madh zhvillimor i Kosovës dhe mundësitë e investimit në fusha strategjike. Ai u zotua për të vazhduar me bashkëpunimin dhe mbështetjen për agjendën zhvillimore të Kosovës.

Z. Bislimi e falenderoi z. Demircan për vizitën, bashkëpunimin e ngushtë dhe përkushtimit ndaj sfidave të përbashkëta. Në këtë takim, z. Demircan ishte i shoqëruar nga Këshilltari i Drejtorit Ekzekutiv, z. Salih Ercan.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.

×